Me një histori enigmatike dhe misterioze, ai është i vetmi ishull i mirfilltë i bregdetit Shqiptarë. Një bukuri e pa shoqe e natyrës sonë ujore, përsëri mbetet në kuadrin e enigmës.
Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet për rreth. Sot kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund ështe kthyer në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.
Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.
Të shkruash për vendin tënd nuk është aspak e lehtë, aq më tepër të përshkruash vlerat dhe bukuritë e tij natyrore. Menjëherë sapo ulesh dhe merr penën të kaplon një emocion i veçantë, i cili të shoqëron gjatë gjithë kohës. Unë e quaj veten me fat qe jam Shqiptar dhe që jetoj në këtë vend kaq të bukur. Mirëpo, habitem shpesh herë kur dëgjoj shumë të rinj të moshës sime që thonë: “Në Shqipëri nuk jetohet, ky vend nuk të ofron asgjë, nuk bëhet dhe nuk ka për t’u bërë ndonjëherë!” Ndjej keqardhje për faktin që brezi i ri rritet me një ndjenjë pesimizmi dhe inferioriteti ndaj vendlindjes së tij. Shqipëria me të vërtetë ka përjetuar një periudhë tranzicioni të gjatë dhe të stërmundimshëm, por kjo nuk do të thotë që ky vend nuk ka ndryshuar dhe nuk të ofron asgjë. Është një gënjeshtër e madhe, pasi këto 20-vjet, përveç problemeve, për të cilat jam koshient, Shqipëria ka pësuar ndryshime rrënjësore, të cilat janë evidente kudo në të gjithë territorin. Shumë turistë të huaj që vizitojnë vendin tonë mahniten nga ajo çka gjejnë tek ne dhe thonë, që ju jeni me fat që jetoni në këtë vend kaq të bukur.
Shqipëria, për shkak edhe të pozitës gjeografike ka bukuri natyrore, të cilat janë shumë të favorshme për zhvillimin e turizmit dhe ne duhet t’i promovojmë ato sa më shumë. Turizmi në Shqipëri është vërtetë një nga sektorët që duhet t’i jepet prioritet në vitet në vijim, pasi vendi jonë ka pika shumë të bukura dhe mjaft atraktive, të cilat tërheqin çdo vit me qindra e mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Së fundmi, tabloidi britanik “Daily Mail” ka publikuar për vendin tonë një shkrim me titull: “Cepi i fundit i Evropës, plazhet dhe bukuritë në Shqipëri”, ku përshkruan ndryshimet që ka pësuar Shqipëria në 20-vitet e fundit, të cilat sipas saj janë të paimagjinueshme. Para pak kohësh, së bashku me një grup miqsh të Televizionit Shqiptar shkuam me xhirime në një nga vendet më të bukura në jug të Shqipërisë, në qytetin e Vlorës dhe më konkretisht në Sazan. Do të eksploronim dhe do të zbulonim me syrin e kamerës ishullin e Sazanit, të vetmin ishull të madh që kemi, i cili është një perlë e vërtetë.
Nisemi nga Tirana në mëngjes herët që të mbërrinim sa më shpejt në Vlorë dhe prej aty në ishullin e Sazanit. Rrugës ndihesha i emocionuar dhe herë pas here shikoja orën dhe rruga po më dukej shume e gjatë. Mbërrijmë në Bazën Detare të Pashalimanit rreth orës 09:00 të mëngjesit dhe prej aty nisemi në drejtim të ishullit më një motovedetë të Bazës Detare të Pashalimanit. Motovedeta me të cilën udhëtonim është prodhim amerikan, fjala e fundit e teknologjisë, super e shpejtë dhe e pambytshme. Me ne në bord janë edhe disa oficerë të Bazës Ushtarake të Pashalimanit, të cilët do të na shoqërojnë gjatë rrugëtimit tonë. Gjatë lundrimit, oficerët e marinës na treguan për kapacitetet e këtij mjeti lundrues, manovrat që mund të kryente (të cilat edhe na i demonstruan), për misionet që kryejnë ushtarakët tanë me të etj., etj. Sa më shumë i afrohemi Sazanit, aq më tepër më rritet emocioni dhe adrenalina. Para syve kisha ishullin, për të cilin kisha lexuar nga historia, por që se kisha shkelur asnjëherë deri më tani. Pas pothuajse 30 minuta udhëtimi, mbërrijmë në ishull. Menjëherë aty vihet re një qetësi absolute, e cila thyhej herë pas here nga dallgët e detit që përplaseshin furishëm në bankinat e betonit të molit, ku ankorohen anijet. Për Sazanin, nga historia dija që nga fundi i shekullit XIX, Mbretëria e Bashkuar e Italisë, menjëherë pas krijimit të saj, filloi të shfaqë dukshëm një interes të veçantë ndaj fqinjit të saj lindor, Shqipërisë. Për të Shqipëria ishte një vend i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike, pasi mund t’i garantonte asaj një urë kalimi drejt Ballkanit. Me marrjen nën kontroll të Sazanit, që ndodhej në hyrje të gjirit të Vlorës, italianët mund të zotëronin gjithë Adriatikun. Ende pa hyrë në Luftën e Parë Botërore, Italia në tetor të vitit 1914 pushtoi Sazanin dhe Vlorën…
Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, por edhe në sajë të qëndresës së popullit shqiptar si dhe të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, në qershor të vitit 1920, italianët u tërhoqën nga Vlora, por ishullin e Sazanit e mbajtën nën kontroll deri në shtator të 1943, kur u pushtua nga Gjermania. Menjëherë pas çlirimit të vendit, ishulli filloi të shihej si një vend strategjik ushtarak edhe nga regjimi që erdhi në fuqi. Deri nga fillimi i viteve ’50 aty u ndërtuan disa reparte ushtarake të marinës, të këmbësorisë dhe artilerisë, të cilat u vendosën në kazermat e ndërtuara nga italianët. Në këto vite në ishull filloi të gjallërojë jeta edhe për familjet e para të ushtarakëve që do të shërbenin atje, na tregon Julian Tiku, oficeri që na shoqëronte. Ushtarakët e marinës që populluan Sazanin, na tregon më tej ai, kur erdhën morën me vete edhe familjet e tyre. Lulëzimi i vërtetë i ishullit të Sazanit ka filluar në kohën e forcimit të marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, në vitet 1950-1960. Sazani në atë kohë shihej si një pikë tepër e rëndësishme ushtarake nga Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës dhe si i tillë fitoi një peshë të madhe në Mesdhe. Duke u ngjitur më në brendësi të ishullit dhe duke parë nga afër bukuritë që të ofron ai vend mahnitës si dhe gjurmët e ndërtimeve të shumta që ishin ende prezent aty rrotull, fillova të përfytyroja jetën që kanë bërë ushtarakët tanë që kanë jetuar aty në ato vite. I shtyrë nga kureshtja pyes Julianin, udhërrëfyesin tonë gjatë këtij rrugëtimi. Ai na tregon për hovin e madh të zhvillimit të ishulli të Sazanit në ato kohë, duke na thënë se: “Që nga moli poshtë, e deri në qendrën e ishullit u ndërtua dhe u asfaltua një rrugë e re dhe shumë e bukur, e përshtatshme për kalimin e makinave të rënda ushtarake; u ndërtuan gjithashtu ndërtesa të tjera si: Komanda e re ushtarake; kompleksi i ri i dyqaneve; kinoklubi etj, të gjitha në stilin e ndërtimeve karakteristike ruse”.
Edhe pas prishjes me Bashkimin Sovjetik vëmendja e shtetit komunist për forcimin e ishullit nuk u ndërpre, përkundrazi që nga ajo kohë u mor vendimi për ta kthyer Sazanin dhe Karaburunin në një bazë të fuqishme ushtarako-detare në Adriatik. Ndërsa për lehtësimin e jetës së banorëve, të cilët kishin populluar ishullin në këtë periudhë u morën masa edhe për sigurimin e energjisë dhe ujit të pijshëm. Kështu që, për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike, veç stacionit të fuqishëm të motorëve, në një kohë rekord u arrit shtrirja e një kabulli nëntokësor nga Kodrat e Treportit në ishull, duke siguruar energjinë elektrike pa ndërprerje. Ndërsa për sigurimin e ujit të pijshëm u ndërtuan depozita të mëdha, ku mblidhej uji i shiut dhe nëpërmjet një sistemi filtrimi mblidhej në rezervuare. Më pas u krijuan depot e mëdha, në të cilat shkarkohej uji i pijshëm që vinte me anijet cisternë që nga Uji i Ftohtë në Vlorë dhe prej andej nëpërmjet një rrjeti të gjerë shpërndahej nëpër shtëpitë e banorëve në të gjithë ishullin. Gjatë rrugëtimit që zhvillojmë në Sazan, duke e eksploruar atë anë e kënd, shohim në çdo pëllëmbë të tij shenjat e jetës që ka pasur aty, të cilat më me detaje na i tregon oficeri Spartak Shyti. Ai na tregon se pas vitit 1975, ishulli i Sazanit filloi të merrte një hov të madh zhvillimi. Menjëherë pasi u krijua Komanda e Ishullit, një komandë që varej direkt nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm u ndërtuan shtëpitë e ulëta dhe pallatet shumëkatëshe, ku banonin rreth 200 familje. Gjithashtu u ndërtua: shkolla e re 8-vjeçare; kopshte dhe çerdhe për fëmijët e vegjël; këndi i lojërave për fëmijët; fusha e sportit; spitali me të gjitha shërbimet mjekësore, përfshirë edhe një sallë operacioni; shtëpia e kulturës; kinemaja në të cilën shfaqeshin çdo natë filma etj.
Të gjitha këto i dhanë Sazanit formën e një qyteti të vogël, ku jeta e banorëve të tij zhvillohej normale si kudo tjetër. Në fillim të viteve ‘90, pas rrëzimit të sistemit komunist dhe reformave demokratike që përfshinë tërësisht vendin tonë, në ishull filloi të pakësohej interesimi ushtarak, u pakësuan forcat ushtarake dhe dalëngadalë filloi të venitej edhe jeta qytetare. Tashmë teksa përfundon rrugëtimi ynë në Sazan, i cili mbart në vete një histori të lavdishme por që tashmë nuk gjendet asgjë, përveçse pak ushtarakëve dhe disa anijeve të Guardia di Finanza-s të marinës italiane. Sot ishulli i Sazanit qëndron në heshtje mes Jonit dhe Adriatikut, në krye të Gjirit të Vlorës. Vazhdon të presë që dikush të kujtohet për të dhe thesaret që mbart “barku” i tij gjigant. Historia kryqëzohet dhe përplaset fort brigjeve shkëmbore të ishullit tonë. Largohemi nga ishulli i Sazanit, duke parë edhe perëndimin e diellit me shpresën, që një ditë ky vend i mrekullueshëm do të “rilindë” dhe do të marrë jetë, duke u kthyer në një pikë atraktive turistike për turistët e huaj dhe ato vendas.