Fondacionit “ALSAR” Konferencë në Tiranë në 20-vjetorin e hyrjes së trupave...

Fondacionit “ALSAR” Konferencë në Tiranë në 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë

784
0

Nëse në Kosovë u kremtua me shumë ceremoni gjatë javës së kaluar 20-vjetori i çlirimit, ndryshe, i hyrjes së trupave të NATO-s, veprimtaritë në kryeqytetin e Shqipërisë për këtë jubile kanë qenë fare të pakta, për të mos thënë se kanë munguar fare.

Përjashtim ka bërë Fondacioni “ALSAR”, organizues të hënën i një konference mbi Kosovën, parë dhe nga këndvështrimi i marrëdhënieve me Shqipërinë.

Me temë, “Shtetformimi i Kosovës dhe Shqipëria: sfidat dhe perspektivat”, konferenca mblodhi ligjërues me reputacion nga të dy anët e kufirit. E ndarë në dy pjesë, konferenca u drejtua nga diplomati i mirënjohur Shaban Murati dhe nga prof. dr. Ksenofon Krisafi, të cilët mbajtën gjithashtu dhe kumtesat e tyre.

Konferenca u hap me fjalën e kryetarit të Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra.

“Mblidhemi këtu në Tiranë për ta analizuar rrugëtimin dydekadësh të shtetit më të ri të Europës, shoqëruar dhe në kontekstin e marrëdhënieve me shtetin amë,” tha ai në fillim të kësaj fjale.

Duke theksuar thënien e ish-presidentit amerikan se, “vetëm qytetarët e Kosovës mund ta fitojnë paqen,” kryetari i entit organizues të konferencës u ndal te liria e fituar e kosovarëve, te keqpërdorimi i ndonjëhershëm i saj, tek sfida e tyre e shtetndërtimit.

Kontributi i dhënë nga Shqipëria gjatë përpjekjeve për çlirim të vëllezërve kosovarë nuk kishte si të mungonte në fjalën e z. Gurra, që foli dhe për synimin e përbashkët të dy vendeve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Urimi i tij ishte që shqiptarët të mos i humbasin këtë herë gjërat në tavolinë në sfidat dhe betejat diplomatike para tyre, siç mund të ketë ndodhur në të shkuarën.

  • Fjalë përshëndetëse mbajti z. Besnik Hoti, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Kumtesat e mbajtura më pas ishin tepër interesante për qasjet e tyre tematike.

  • dr. Blerim Reka, prof. dr. Ksenofon Krisafi dhe prof. dr. Ibrahim Gashi e morën fjalën njëri pas tjetrit, në kumtesat me temë, “Konteksti ndërkombëtar i çlirimit të Kosovës: intervenimi i NATO-s si pararendës i së drejtës ndërkombëtare me fytyrë njerëzore”, “Në forumet ndërkombëtare për mbrojtjen e Kosovës” dhe “Konteksti historik dhe aktual i marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri”.

Komplikimet e brendshme dhe ndërkombëtare të procesit të njohjes së Kosovës” ishte tema mbi të cilën ligjëroi publicisti dhe diplomati i shumëdëgjuar Shaban Murati.

 

  • Memli Krasniqi do të analizonte përmbajtjen e shtypit amerikan mbi luftën e Kosovës në vitet 1998-1999.

 

  • Halil Hyseni kishte zgjedhur një titull më poetik për kumtesën e tij, “Pranvera 1999, pranvera e një lufte për vlera”.

Lufta e Kosovës solli risi. Ajo e pasuroj arsyen e luftës. E pasuroi në moral, e pasuroi me vlera. Kosova është kryeshembull ku njeriu, të drejtat e tij njerëzore, u bënë arsyeja e luftës. Ishte lufta për mbrojtjen e vlerave, ishte lufta kundër luftës, që angazhoi jo vetëm vendimmarrësit me të mëdhenj, jo vetëm avionët më të rëndë, por edhe mendjet më të lira të kohës. Në luftë dhe për luftën në Kosovë, u angazhuan penat e arta të globit,” u nënvizua me të tjerash në fjalën e tij.

 

  • Sadik Mehmeti u ndal gjatë te kontributi i Shqipërisë në përkujdesjen për të dëbuarit nga Kosova njëzet vite më parë. Kumtesa përfundoi me një mirënjohje të thellë për këtë kontribut.
  • Nderin e fjalës së fundit e pati z. Skënder Lutfiu, ligjërues i temës, “Çlirimi i Kosovës më 1999 dhe vendosja e protektoratit ndërkombëtar në Kosovë”.

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi e mbylli konferencën me një falënderim të posaçëm për Fondacionin “ALSAR”, organizues në vazhdimësi i veprimtarive të tilla të këtij niveli.