Tiranë-Durrës me pagesë?Balluku: Jo në shtator, kusht zgjerimi

Tiranë-Durrës me pagesë?Balluku: Jo në shtator, kusht zgjerimi

502
0

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka reaguar pas lajmit se autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë. Ministrja ka sqaruar sot procedurat që duhen ndjekur për dhënien me koncesion të autostradës, duke theksuar se Tiranë-Durrës nuk do të bëhet me pagesë as tani dhe as në shtator. Sipas saj, në vjeshtë do të hapet gara për të zgjedhur koncesionarin fitues, kushti i parë i të cilit do të jetë zgjerimi i rrugës së vjetër Tiranë-Plepa dhe sjellja e saj në parametra evropiane.

 

“Nuk qëndron asnjë projekt për momentin, do të presim çdo projekt që do të ketë fizibilitet të lartë. Dje ka pasur një konfuzion në media, projekti i autostradës Tiranë-Durrës është përmendur shpesh herë edhe nga ministria dhe qeveria si një nga projektet kryesore, pasi lidhja e kryeqytetit me portin e vendit është detyrë, ne na vendos para faktit që sa më shpejt të zhvillohet. Ne po punojmë, në vjeshtë projekti të shpallet për garë dhe më pas të kemi një garë transparente për të qenë fituesi i radhës dhe më pas të fillojnë punimet dhe jo që në shtator do të fillojë kalimi me pagesë. Do të ketë një dialog publik. të gjitha rrugët që në të ardhmen do të jenë me pagesë do të kenë gjithmonë rrugë alternative. Asnjë mundësi e vetme nuk do të jetë asnjëherë me pagesë”, tha Balluku.

 

E pyetur nëse është në fuqi oferta e grupit indian, ministrja është shprehur se nuk është e rëndësishme për momentin sa do të paguhet, pasi një gjë e tillë do të ndodhë pas realizimit të projektit.

 

 

 

“Nuk bëhet thjesht për zgjerim, por përmirësim të të gjitha kushteve. Ka pasur një propozim që po shikohet për t’u vlerësuar dhe nuk ka një propozim për pagesën. Është e parëndësishme për momentin sa do të paguhet, pasi kjo do të ndodhë pas realizimit të projektit, përfundimit të garës, pas realizimit të projektit, një afat i largët”, shtoi ministrja.

 

Më tej, ministrja ka sqaruar dhe mënyrën si do të bëhen pagesat, duke thënë se gjithçka do të bëhet në varësi të rrugës që do të përshkruajë çdo automjet.

 

“Janë dy të ketë një pagesë të përshkallëzuar, jo cdo dalje të paguhet me një tarifë, nëse dikush do të dalë në Rinas apo…pra në varësi të rrugës që do të përshkruajë cdo automjet. Pra tjetër pagesë kur del në Rinas, tjetër kur del në zonat periferike në Durrës apo në port. Dhe e dyta, kush do që të jetë fituesi detyra e parë që do të ketë është përmirësimi i rrugës së vjetër Tiranë-Plepa pa pagesë. Më parë do të vendoset në dispozicion rruga, që Shqipëria do të përfitojë me parametra të rrugës nacionale, jo sikur është sot. Fillimisht do të bëhet nga i njëjti investitor me kostot e tij për të filluar më pas punimet në autostradë”, sqaroi Balluku.