Rezervat valutore të Shqipërisë arrijnë rekordin e 3.4 miliardë eurove, mjaftojnë për...

Rezervat valutore të Shqipërisë arrijnë rekordin e 3.4 miliardë eurove, mjaftojnë për 7 muaj importe

479
0

Rezervat valutore të vendit, që mbahen nga Banka e Shqipërisë kryesisht në euro, dollarë e shumë pak në ar, arritën në fund të vitit 2018 në një nivel rekord prej 3.4 miliardë eurosh.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në raport me një vit më parë, këto rezerva janë rritur ndjeshëm me 13.4%, ose 403 milionë euro më shumë, si rrjedhojë e ndërhyrjeve të pazakonta në treg për të frenuar zhvlerësimin e euros. Një vit më parë, rritja e rezervave ishte minimale me vetëm 1.7% edhe për shkak të zhvlerësimit të valutave.

 

Këto rezerva janë të mjaftueshme që në rast të një krize të paparashikueshme, të arrijnë të mbulojnë 7 muaj importe. Ndonëse në vlerë absolute rezervat kanë arritur nivelin më të lartë, në muaj importe rekordi ishte në 2015-n, kur rezervat prej 2.88 miliardë eurosh ishin të mjaftueshme për të siguruar 7.6 muaj importe. Zhvlerësimi i valutave tre vitet e fundit ka ndikuar në rënien e “fuqisë blerëse” të llogaritur si muaj importe.

 

Në kuadrin e marrëveshjeve të FMN-së që ka pasur Shqipëria, akumulimi i rezervave valutore është përcaktuar në programin monetar si një nivel dysheme i mjaftueshëm për të mbuluar 4 muaj importe, nivel ky që në vite pothuajse është dyfishuar.

 

Sa më të larta rezervat, aq më e mbrojtur është ekonomia shqiptare ndaj goditjeve të papritura të jashtme.

 

Blerjet e valutës tej parashikimeve në 2018-n

 

Çdo vit Banka e Shqipërisë planifikon të blejë valutë në treg me synim rritjen e rezervave të saj valutore, përmes një kalendari të përcaktuar që në fillim të vitit për një shumë që luhatet në rreth 100-130 milionë euro. Në 2018-n, blerjet ishin shumë më të larta se parashikimet e fillim vitit, teksa në qershor, institucioni monetar qendror nisi një seri ndërhyrjesh të pazakonta në treg për të frenuar zhvlerësimin e euros, që arriti në nivelin më të ulët të 10 viteve, në rreth 124 lekë.

 

SIpas të dhënave për ndërhyrjet në tregun valutor, Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej një sasi rekord prej 463 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në vitin 2018, ku pjesa më e madhe e kësaj ndërhyrjeje ishte për të frenuar rënien e euros, amortizuar efektet e konvertimit të kapitalit të bankave dhe një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe më pak për të rritur rezervat e saj valutore.

 

Ndërhyrjet kanë qenë të forta në tremujorin e dytë dhe të tretë, ndërsa në të parin dhe të katërtin, banka ka ndërhyrë në treg vetëm në funksion të rritjes së rezervës valutore.

 

Për rritjen e rezervës valutore, Banka ka blerë gjithsej në 2018-n rreth 124 milionë euro, sipas një kalendari të përcaktuar që në fillim të vitit.

 

Banka bleu në total edhe 223 milionë euro për shmangien e çrregullimeve në tregun e brendshëm valutor. Përveç këtyre ndërhyrjeve, gjatë muajit qershor, Banka e Shqipërisë, në marrëveshjet e këmbimit, ka blerë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) 116.22 milionë euro, në kuadër të konvertimit të një kredie për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare./Monitor