Rënia drastike e Euros, eksperti Xhepa: Të ndërhyjë Banka e Shqipërisë, po...

Rënia drastike e Euros, eksperti Xhepa: Të ndërhyjë Banka e Shqipërisë, po ecim në rrugë të rrezikshme

486
0

Paraja gjithsej në qarkullim ka shënuar rënie historike në katër muajt e parë të vitit, duke shpjeguar indirekt forcimin e ndjeshëm të monedhës vendase. Eksperti Selami Xhepa thotë se Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë për të rritur ofertën e parasë, përndryshe zhvillimet në kursin e këmbimit mund të futen në një rrugë të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për segmente të rëndësishme të popullsisë. Sasia e parasë gjithsej që qarkullon në ekonomi ka shënuar rënie historike në katër muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në muajin prill, paraja gjithsej (agregati M3) arriti në 1.23 trilionë lekë. Në krahasim me fundin e vitit 2017, ky tregues ka rënë me 36 miliardë lekë (apo rreth 270 milionë euro), që është dhe tkurrja më e fortë historike, të paktën që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat (shih grafikun në fund). Paraja gjithsej ka pasur tendencë rritëse deri në vitin 2013 (me përjashtim të periudhës 2008-2009, kur u konstatua tërheqje e depozitave si rrjedhojë e panikut të krijuar nga kriza globale) dhe më pas ka filluar rënia e saj, për të arritur kulmin në katër muajt e parë të 2018-s. Kjo tendencë, ka ardhur pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë lehtësuese monetare që nga mesi i vitit 2011, përmes uljes së normës bazë të interesit, që aktualisht është në nivelet minimale historike prej 1.25%, nga 5.25% në shtator 2011. Teorikisht, ulja e interesave duhet të kishte gjeneruar më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet dhe rritjen e parasë në qarkullim. Por, në mënyrë paradoksale, paraja gjithsej në ekonomi po vjen në ulje. Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’u dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve. Dr. Selami Xhepa, eksperti i ekonomisë dhe dekan në Fakultetin Ekonomik, UET, thotë se zhvillimet monetare i duken befasuese dhe krejt të pazakonta. Ai thotë se rënia e masës monetare ka vetëm një shpjegim: rënien ekonomike. A shpjegon rënia e parasë në qarkullim forcimin e pazakontë të euros… Euro është zhvlerësuar me shpejtësi në pesë muajt e parë të vitit. Në fund të javës së kaluar, një euro zbriti në 125.42 lekë. Në krahasim me fillimin e vitit, kur euro e nisi me 133 lekë më 1 janar, për t’u ngjitur në nivelin më të lartë të vitit në 133.99 lekë në fund të janarit, monedha e përbashkët ka humbur 7.88 lekë, ose 6%, duke shënuar nënçmimin më të madh vjetor të dekadës së fundit.

 

Oferta e lartë në valutë ka qenë arsyeja kryesore e kësaj tendence, por po hasemi edhe me një dukuri tjetër. Lekët në qarkullim po reduktohen, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në forcimin e pazakontë të monedhës vendase.

 

I këtij mendimi është dhe dr. Selami Xhepa, i cili shton se Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë për të rritur ofertën e parasë, përndryshe zhvillimet në kursin e këmbimit mund të futen në një rrugë të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për segmente të rëndësishme të popullsisë. Ai përdor termin “profecitë vetëpërmbushëse”. Domethënë, nëse agjentët ekonomikë dhe qytetarët që mbajnë, respektivisht, rreth 60% dhe 50% të depozitave të tyre në euro, do të vrapojnë të shkëmbejnë eurot me lek, leku do të shkonte drejt një fuqizimi të paprecedentë, gjë që do ishte me pasoja shumë të rrezikshme për ekonominë.

/Monitor