Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato zhvilloi të premten një mëngjes pune me sipërmarrës dhe shoqata biznesi, nga ku premtoi se qeveria do jetë në krah të çdo investitori potencial dhe strategjik dhe se zëri i biznesit do të jetë pjesë e zërit të qeverisë në fushën rregullatore dhe ligjore. Gjatë takimit, ministrja Qato vuri në dukje se misioni i saj është rritja dhe fuqizimi i sipermarrjes në Shqipëri, si dhe ndërtimi i një klime të re biznesi, duke krijuar një dimension të ri, ku e gjithë administrata shtetërore vihet në dispozicion të sipërmarrjes, si kontributori më i fuqishëm i ekonomisë tonë kombëtare. “Ne, së bashku duhet të punojmë për të kthyer Shqipërinë në një vend miqësor ndaj sipërmarrjes, tërheqës për investime strategjike të huaja apo vendase dhe konkurrues në rajon. Këto janë sfida të këtij mandati qeverisës, e padiskutim, dhe e secilit prej jush, të cilët jeni burimi dhe gjeneratori i fuqizimit të vendit, potenciali i padiskutueshëm ku qeveria dhe e gjithë struktura e administratës në vend, do vihen në dispozicionin tuaj, pa kushte në kufijt e ligjshmërisë dhe transparencës së plotë”, deklaroi Qato.
Qato po ashtu premtoi krijimin e një platforme për të fuqizuar rolin e sipërmarrjes në nivelin më të lartë qeverisës dhe për të udhëhequr së bashku sipërmarrjen drejt një modeli të suksesshëm dhe kulturë të re bashkëqeverisëse. Së bashku, shtoi ajo, do të jemi promotorë të nxitjes së transparencës për procedurat dhe politikat qeverisëse, duke nxitur në këtë mënyrë konkurrencën e ndershme, përmes krijimit të kushteve të barabarta të pjesëmarrjes. “Çdo orë e humbur në burokracitë proceduriale të administratës shtetërore rrit shpenzimet tuaja dhe ul dëshirën për të investuar sa më shumë kapital apo nxitur teknologjinë bashkohore në ndërmarrjet tuaja”, tha ministrja e Sipërmarrjes. Për përkrahjen e komunitetit të biznesit, ministrja Qato theksoi se kishte edhe mbështetjen e Kryeministrit Rama, i cili tha ajo, ka vendosur një mision të qartë dhe konkret, atë të luftës pa kompromis ndaj çdo zyrtari që pengon biznesin. Ministrja Qato informoi se po punohet për hartimin e një matrice bashkërendimi bazuar në propozimet e biznesit me qëllim hartimin së bashku të dokumentave për t’ja paraqitur më pas organeve të larta qeverisëse dhe politikbërëse në fushën e sipërmarrjes. “Çdo problematikë që ju do të hasni në dyert e çdo ministrie apo institucioni ligjzbatues, pasi eksperienca juaj duhet të shërbejë për të korrigjuar ato hallka të ndryshkura të sistemit aktual”, nënvizoi Qato. Ne kemi marrë përsipër të fuqizojmë sipërmarrjen në vend por edhe të shtojmë numrin e sipërmarrësve, duke krijuar politika të qarta të të bërit biznes dhe fusha veprimi të garantuara për veprimtarinë e tyre. “Pa dyshim që fuqizimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar është një nga pikat prioritare për mbrojtjen e sipërmarrjes, ku diskutimi mbi të fillon menjëherë në ditët në vijim, gjatë takimeve me sipërmarrjen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë që ju përfaqësoni në bashkëpunim të plotë edhe me Unionin Kombëtar të dhomave të tregtisë”, deklaroi Qato.