Flet vajza shqiptare që i çoi një letër me kërkesa ish-presidentit George...

Flet vajza shqiptare që i çoi një letër me kërkesa ish-presidentit George Bush

460
0

Ditë më parë, Pavarësie Sopa, një vajzë nga Kosova, e para pas shpalljes së Pavarësisë, i ka dërguar një letër mirënjohjeje presidentit amerikan George W. Bush për rolin e tij në pavarësinë e Kosovës. Korrespodenti i “Zërit të Amerikës”, Leonat Shehu, ishte në shtëpinë e vajzës, e cila tregon për emocionet që ka pasur nga komunikimi me ish-presidentin amerikan. Pavarësia mban këtë emër meqë ka lindur pak minuta pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008. “Emri im është Pavarësi, që do të thotë i pavarur dhe kam lindur 2 minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Unë dua që t’ju falënderoj juve për punën që keni bërë për Kosovën e lirë dhe të pavarur”, – lexon vajza një pjesë të letrës së shkruar për ish-presidentin amerikan. Ajo thotë: “Për mua ishte një kënaqësi që shkrova për ish-presidentin një letër”. “Në letër kam shkruar që të vijë dhe të më vizitojë mua dhe Kosovën. Dua ta falënderoj për kontributin që ka dhënë në Kosovë dhe shpresoj të vijë sa më shpejt”,- thotë vajza. Letra e Pavarësisë së vogël i është dorëzuar presidentit George W. Bush nga ambasadorja në Uashington, Vlora Çitaku. Në letër ishte një fotografi e vajzës dhe e bulevardit në Prishtinë që mban emrin e presidentit Bush. Pavarësia mban në duar letrën e presidentit Bush, që duke e falënderuar atë shfaq shpresën që një ditë ta takojë.