Pezana Rexha: “Pana” e pakompromis për të respektuar natyrën

Pezana Rexha: “Pana” e pakompromis për të respektuar natyrën

2316
0

Intervistë me  Pezana Rexha, themeluese e “Panës”. Kush është arkitektja që drurin e shndërron në mobilje unike

Nga Sabina Veizaj

Çdo bar a restorant i ri që hapet në Tiranë, që ka stil dhe mbizotëron druri, ia atashojnë “Panës”.  Sepse “Pana” ka krijuar një identitet të sajin të pangatërrueshëm, unik, origjinal, të ngrohtë, të dashur, respekton natyrën dhe njerëzit që kanë më shumë nevojë. Është një biznes, por shumë, shumë social në të gjitha kuptimet e fjalës. Ne kemi intervistuar për portalin “Vizion.com.al” ‘Mamin’ e “Panës”. Ajo është shumë e re, e këndshme, stil, energjike dhe mbi të gjitha është e apasionuar pas punës së saj. Zyra e saj është një minierë ku lindin dhe përpunohen ide. Jo pak e njohin Pezana Rexhën, 32 vjeçaren me buzëqeshje ngjitëse, por që në brendësi të saj zien dhe nuk dëshiron ti ikë një minutë kohë pa e shfrytëzuar për  punën.  Ajo është arkitekte dhe prej 4 vitesh ka vendosur ti përkushtohet përpunimit të drurit duke e kthyer në mobilje aq unike, si për sipërmarrjet, ashtu edhe për familjet. Edhe vetë Pezana e thotë: “kam lindur për të punuar. Është e pashmangshme. Nuk kam çfarë të bëj. Është më e fortë se unë. Nuk është çështje prioritetesh. Më ka zgjedhur mua puna, jo unë punën”. Puna e parë e saj ka qenë që në moshën 14 vjeçare. Ka punuar si kamariere, më pas ka hapur një kopësht.  I është përkushtuar shumë çështjes së kafshëve. Ka qenë e para që ka hapur organizatën e parë të kafshëve në Shqipëri “ARA” – Animal Rescue Albania duke shkuar qytet më qytet për të sterilizuar së bashku me 2 veterinerë macet dhe qentë endacakë. Historia  e jetës së Pezanës deri më tani shënon punë, vetëm punë.

Por si është një ditë e Pezanës në punë?

“Siç është një ditë nuk është një ditë tjetër. Është një ditë në punë. Mundohem të mbaj një orar jo të zgjatur sepse kam një bebe të vogël  dhe përpiqem ta repsektoj dhe që të bëj maksimumin brenda 9 orarshit që kemi, sepse të shtunë dhe të dielë e kemi pushim. Kur nuk mundem të përfundoj brenda këtij orari, shfrytëzoj orët e vona për të përfunduar atë që më ka mbetur pezull gjatë ditës.”- thotë ajo. Me këtë përkushtim dhe energji, ajo ka arritur ta bëjë të njohur “Panën”  Made in Albania në shumë vende të botës përmes konkurseve dhe çmimeve, workshopeve dhe konferencave. Sepse kur punohet me dashuri, shpërblehesh. Konkursi më i fundit e shpuri Pezanën në Singapor. Edhe pse nuk arriti në finale, për arsyet që do të na shpjegojë më poshtë, ajo erdhi në Tiranë me bagazhe të vlefshme eksperience.

 

Pana ka bërë 4 vjeç. Çfarë ka ndryshuar nga koncepti i fillimit?

Shumë gjëra kanë ndryshuar. Mënyra se si e kishim konceptuar në fillim ishte shumë më e thjeshtë. Mobiljet do të bëheshin nga paletet direkt, por nevojat e tregut na bënë të kuptojmë që nuk ishte një zgjidhje afatgjatë. Ishte thjesht një tendencë e momentit zgjedhja e mobiljeve me palete direkt. U detyruam të revolucionarizonim gjithë këtë industri. Dhe të bënim të mundur që përmes materialeve të mbetjeve drusore të ndryshme, jo vetëm përmes paleteve  të arrinim të bënim mobilje sipas kërkesave të klientit, pavarësisht se materiali është një mbetje, ne e përpunojmë atë që të sjellim një mobilje të re.

Filozofia mbetet e njëjtë?

Filozofia për aspektin ekologjik dhe social mbetet e njëjtë.

Po qasja e klientëve është rritur ndaj kësaj filozofie?

Mendoj se në këto katër vite ka ndryshuar shumë qasja e klientëve karshi nesh. Dhe po shoh që dita ditës më shumë  po afrohen pranë nesh, klientë, njerëz që i përkrahin të dyja këto kauza. Vazhdojmë të kemi kërkesa nga klientë të cilët kërkojnë që ne të bëjmë mobilje nga druri i ri, por ne vazhdojmë të refuzojmë dhe mundohemi ti bëjmë që të kuptojnë që ky material ka vlera të caktuara. Por pas katër viteve punë, klientët tanë sot janë klientë të cilët e respektojnë natyrën. Pjesa sociale është një vlerë e shtuar dhe disa prej tyre e respektojnë, disa jo por të gjithë kontribuojnë në një mënyrë apo në një tjetër.

Cila kategori e klientëve është më afër këtyre qasjeve dhe estetikës që koncepton “Pana”?

Sipërmarrësit, sidomos sipërmarrësit e rinj të cilët duan të krijojnë një identitet përmes interierit  dhe që kanë një sipërmarrje të re. Nuk e di pse por për çdo gjë të re që bëhet në Tiranë  ia atashojnë “Panës”, mbase e shohin si një ndihmesë tonën karshi tyre. Ndoshta sepse shohin disa benefite si koncept projekti falas e disa të tjera që i vijnë në ndihmë një sipërmarrësi të ri.   

Po familjet çfarë qasje kanë ndaj projektit tuaj?

Familjet janë pak më konservatore. Të rinjtë janë ata që duan më shumë atë që ne bëjmë. Unë mendoj se jemi shumë mbrapa me familjet. Realisht të ardhurat tona vijnë 70 % nga bizneset dhe 30% nga familjet që është një hendek shumë i madh në krahasim me ndryshimet që bën çdo familje në shtëpitë e veta. Në këtë pjesë nuk është se kemi patur shumë sukses.

Ka projekte të ngjashme në rajon? Si qëndrojmë ne në raport me rajonin në këtë drejtim?

Nuk ka në rajon projekte të ngjashme. Edhe në Europë janë sporadike. Edhe ato që janë nuk kanë arritur të ngrihen në këtë nivel.  Vendet nordike dhe Gjermania, Hollandë, Danimarkë në Europë janë ato vende që janë më shumë dashamirës ndaj këtyre projekteve.

Përtej Europës?

Amerika është shteti që i do shumë këto lloj produktesh. Varet nga kultura. Nuk janë të afeksionuar pas ekologjisë. Vendet e tjera janë më shumë të prirur ndaj teknologjisë.

Keni marrë pjesë edhe në panairin e start upeve të organizuar nga Ministria  e Inovacionit…

Po morëm pjesë, ishte një panair me përfaqësues nga fusha të ndryshme ku qëllimi ishte të demonstrohej puna e gjithësecilit për sipërmarrje apo edhe klientë të ndryshëm. Panairi ishte shumë i frytshëm sepse kishte të pranishëm kompani dhe investitorë zviceranë  të cilët e njohin shumë mirë këtë lloj veprimtarie dhe e respektojnë për vlerat që ka. Aktualisht jemi në fazën e kontaktit. Të shohim çfarë do të sjellë komunikimi.

Keni fituar “Get in the ring Tirana”, çfarë kuptimi kishte për “Panën” ky çmim?

“Get in the ring” ishte një konkurs për të përfaqësuar Shqipërinë dhe Kosovën në Singapor. Ishte hera e parë që Shqipëria merrte pjesë.  Unë mendoj se ne i paraqitëm mirë vlerat e Shqipërisë. Përfaqësuam mirë target grupin tonë. Realisht konkursi ishte teknologjik dhe kjo e bëri më të vështirë që ne të arrinim të ishim në finale.

Konkretisht çfarë prezantuat në Singapor?

Gjithë veprimtarinë e “Panës”. Ai është një format konkursi që ti prezanton veprimtarinë tënde ekonomike, ekipin, arritjet e tua në harkun kohor që ka filluar veprimtaria dhe ti synon që të gjesh një investitor potencial që ta çojë sipërmarrjen në pikën tjetër të rritjes dhe zhvillimit. Ne nuk arritëm dot të fitonim asnjë nga kërkesat. Patëm një ballafaqim të mirë si me pjesëmarrësit dhe me jurinë. Ishin 150 idet, nga të cilat 6 do të dilnin në finale. Nuk arritëm të kalonim në fazën tjerë. Por gjithsesi konkurset prandaj janë bërë që disa të kalojnë, disa jo.

Cila është faza tjetër e ‘Panës”?

Faza tjetër e “Panës”  është që ne të kemi mundësi të kemi  një punishte tonën me kapacitet shumë më të madh. Të kemi mundësi ta ndajmë prodhimin në tre sektorë; mobilje, aksesorë dhe lodra për fëmjë. Të kemi mundësi të kemi një dyqan ku të paraqesim produktet tona dhe më vonë të shohim mundësinë e eksportit në vendet Nordike ku këto produkte shiten shumëfish më shtrenjtë se këtu.

Do të vazhdoni me filozofinë “made by hand”?

Patjetër që po. 70 % e prodhimit është i tillë. Nëse ne do ta humbnim këtë, do të humbte vetë “Pana” si e tillë.

A keni incentivë fiskale si sipërmarrje sociale?

Ne nuk përfitojmë asnjë incentivë fiskale si sipërmarrje sociale nga shteti në bazë të ligjit të ri i cili të detyron të jesh së pari organizatë. E dyta në formën si është ndërtuar ligji edhe sikur “Pana” të dojë të hyjë, bie ndesh filozofia e “Panës” si iniciativë sociale dhe ekologjike me ligjin aktual. Kështu që ne jemi të përjashtuar dhe e përjashtojmë veten nga ky ligj. Mendoj se do të vazhdojmë të funksionojmë si person fizik. Ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë me misionin social dhe ekologjik panvarësisht se çfarë ligjesh shteti ynë vendos. Në lidhje me këtë çështje në rajon situata është shumë më ndryshe. Sllovenia përshembull ka arritur nivele të jashtëzakonshme me sipërmarrjen, qoftë me ligjin, qoftë me mbështetjen që shteti u jep këtyre sipërmarrjeve. Realisht këto sipërmarrje mund të ngrenë dhe ndryshojnë gjithë ekonominë e vendit. Kështu që jemi shumë larg, jo vetëm për këtë, por për shumë gjëra.