Dhurata Çupi: Mbështetja financiare, pengesa kryesore për mungesën e pjesëmarrjes së gjerë...

Dhurata Çupi: Mbështetja financiare, pengesa kryesore për mungesën e pjesëmarrjes së gjerë të gruas në politikë

59
0

Me një karrierë politike prej tetë vitesh në parlamentin shqiptar, deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, thekson se mbështetja financiare është një nga pengesat kryesore për mungesën e pjesëmarrjes së gjerë të gruas në politikë. Sipas saj, fushatat me shumë kosto finaciare dhe pamundësia në të njëjtat kushte të dy gjinive në zgjedhje janë pengesë e vazhdueshme. Në një intervistë për “VIZION.COM.AL”, deputetja Dhurata Çupi vë në dukje se çdo grua që merret me politike ka shenja të dhunes me bazë gjinore, dhe se gratë shpesh perceptohen si më pak të përshtatshme për role udhëheqëse, duke ndikuar negativisht në shanset e tyre për të kandiduar apo për të marrë mbështetje publike. Si një ligjëbërëse në parlamentin shqiptar, zonja Çupi shprehet se ka përpjekje pozitive për të minimizuar dhunën, por duhet qëndrim dinjitoz i gruas në çdo fushë që përfaqëson për të treguar që vendosja e drejtësisë duhet në radhë të parë për shkak të aftësive tona..

 

 

Cila është një nga barrierat kryesore për të patur mundësi të barabarta në politikë?

 

Krijimi i mundësive të barabarta për gratë nuk është çështje vetëm barazie si një parim, por krijimi i mundësive për shkak të aftësive, dhe kapacitetit cilësor të gruas. Zhdukja e stereotipive që pokitikën e bëjnë burrat dhe gratë janë aksesor duhet të jetë një nga barrierat themelore.

 

Cilët faktorë ndërveprojnë për të kufizuar pjesëmarrjen e grave në zgjedhje?

 

Sic e citova më lart, zhbërja e perceptimit që politika është domain i burrave, rritja e kapaciteteve ekonomike dhe krijimi i mundësive të barabarta sa i takon financave të gruas. Përpjekja për ndërgjegjësimin e shoqërisë që gruaja është forcë njësoj si burrat, etj.

 

 

 

A është financimi pengesë për pjesëmarrjen politike të grave?

 

Po. Mbështetja financiare është pengesa kryesore për mungesën e pjesëmarrjes së gjerë të gruas në politikë. Fushatat me shumë kosto finaciare dhe pamundësia në të njëjtat kushte të dy gjinive në zgjedhje janë pengesë e vazhdueshme. Nëse do shikojmë zgjedhjet e fundit parlamentare tregon që vetëm burrat kaluan herësin dhe grate pothuaj ishin në të njëjtin nivel votimi. Vetëm disa gra me pushtet dhe me akses financiar morën vota më shumë se shumica e kandidateve gra.

 

Jemi në 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Jeni përballur gjatë punës tuaj me dhunën me bazë gjinore në politikë?

 

Çdo grua që merret me politike ka shenja të dhunes me bazë gjinore. Gratë shpesh perceptohen si më pak të përshtatshme për role udhëheqëse, duke ndikuar negativisht në shanset e tyre për të kandiduar apo për të marrë mbështetje publike. Mungesa e modeleve të gruas në politikë pengon edhe brezat në vijueshmeri. Një vajzë, një grua do jetë më e prirur të shikojë interesat e ngushta të familjes dhe personale përkundrejt betejave apo sulmeve personale ndaj saj.

 

Në këndvështrimin tuaj, cilat janë pozitat sot të grave dhe vajzave në politikë?

 

Ka një qasje progresive sa i takon rritjes së rolit të gruas. Por ende ka pengesa. Ka mosbesim. Ka ndrydhje të aspiratave të vajzave apo grave. Përsa kohe do të ketë intimidim, sulme me bazë gjinore, shprehje publike për mosaftësi të gruas apo mosbesim, padyshin do kemi edhe pozita të kufizuara.

 

 

 

Sot gratë dhe vajzat përballen me të gjitha llojet e dhunës. A mendoni se është bërë mjaftueshëm për ta parandaluar dhunën me bazë gjinore në shoqërinë tonë?

 

Ka përpjekje pozitive për të minimizuar dhunën. Ka angazhim serioz të institucioneve ligjbërese apo ligjzbatuese. Ka pakera ligjore. Ka raporte serioze për dhunën e të gjitha formave. Dhunë psikologjike, dhunë fizike apo dhunë verbale. Do duhet angazhim serioz i të gjithë shoqërisë. Duhet qëndrim dinjitoz i gruas në çdo fushë që përfaqëson për të treguar që vendosja e drejtësisë duhet në radhë të parë për shkak të aftësive tona..

Intervistoi: Eglantina Alliaj

 

-Ky shkrim publikohet në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, me mbështetjen e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”.