Vizita e Erdogan, anulohet seanca plenare/ Opozita paralajmëroi vijimin e aksionit dhe...

Vizita e Erdogan, anulohet seanca plenare/ Opozita paralajmëroi vijimin e aksionit dhe pjesëmarrjen në Kuvend

57
0

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi dje anulimin e seancës parlamentare të parashikuar për të enjten në ora 10:00. Shkak për këtë vendim është vizita në Shqipëri e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Presidenti Erdogan vjen sot në Tiranë, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të vendit, si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Madhe të Tiranës, ose siç njihet te besimtarët myslimanë, Xhamia e Namazgjasë.

Sipas vendimit të Kuvendit, seanca plenare e parashikuar për datën 10 tetor 2024, do të zhvillohet në datën 17 tetor, me rend dite të përbashkët, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit.

 

Urdhri Spiropali

Për zbatimin e vendimit të firmosur nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ngarkohen shërbimet e Kuvendit për njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik. Nga ana tjetër, opozita paralajmëroi vijimin e aksionit të saj, teksa 24 deputetë janë përjashtuar nga seancat. Në seancën e fundit, deputetët demokratë nuk u lejuan të hyjnë dhe në shenjë revolte ata dogjën manekinë para Kuvendit. Pavarësisht vendimit të Sekretariatit të Etikës, i gjithë grupi parlamentar i PD-së vendosi dje që të ishte sot në seancë plenare me synimin për të bllokuar punimet e Kuvendit. Kreu i tyre, Gazmend Bardhi, u shpreh se është antiligjore që deputetët të mos lejohen në vendin e tyre të punës. Ai përjashtoi ashtu si kolegët e tij, mundësinë për bojkot parlamentar, duke theksuar se aksioni opozitar do të vijojë. Sipas tij, deputetët demokratë edhe pse të përjashtuar, do të tentojnë të futen në seancën parlamentare.

“Na ka shpallur luftë, do t’i përgjigjemi në mënyrë proporcionale luftës që u ka shpallur deputetëve të opozitës”, – u shpreh Bardhi. Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan do të vizitojë sot Tiranën, ku është planifikuar të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë së bashku me kryeministrin Edi Rama. Kujtojmë se xhamia e Namazgjasë dhe Kuvendi i Shqipërisë ndodhen në një distancë shumë të afërt nga njëra-tjetra.