Si u helmuan banorët e fshatit/ Historiku i “Bregut të Helmit”Zbulimi i...

Si u helmuan banorët e fshatit/ Historiku i “Bregut të Helmit”Zbulimi i varrit e mozaiku në Karbunar

401
0

Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj, këtë të dielë u trajtua historiku i fshatit Karbunar dhe personazhet me kontribut dhe veprimtari patëriotike

Vetem 28 km nga Vlora dhe 165 km në jug të Tiranes, duke kaluar Poçemin përpara të shfaqet një peisazh si në përralla. Fusha dhe kodra të buta të punuara dhe ullinj që zukurojnë apo kanë shtruar natyrën si qilimi gjethor i vjeshtës. Kemi udhëtuar në orët e para të mëngjesit, një mëngjes sa i ftohtë aq edhe i bukur për të mbërritur në fshatin Karbunar të Vlorës. I parë nga siper Bylysit si nje amfiteater me te gjitha ngjyrat. Fshati Karbunar bën pjesë në prefekturën dhe rrethin e Vlorës,në bashkinë Selenicë. Ai pozicionohet në të majtë të rrjedhës së poshtme të Vjosës, ndërsa në të djathtë të tij kufizohet me fshatrat e Mallakastrës së Sipërme (matanë Vjosës) me një kufi të harkuar në formë drapri prej 7.3 km që fillon në juglindje te gryka e Kamenicës dhe ura e saj-Bilagorja e Drizarit, vazhdon në lindje me Poçemin rreth 9 km. Nga veriu e veriperëndimi i Karbunarit gjenden fshatrat: Hekal e Mollaj, duke përfunduar në perëndim, në vendin e quajtur “Fiqtë e Deli Shabanit” buzë lumit, kufi me Rromësin. Takimi I parw ishte me disa barinj dhe disa bujq qw në tokat e tyre ishin duke punuar dhe kullotur bagetit.

 

Fshati kufizohet me fshatin Rexhepaj të Gorishtit që ndodhet 6.6 km në jug të qendrës së fshatit Karbunar., me Koculin, Rromësin dhe më tej qyteti i Selenicës gjendet 7 km më në perëndim të fshatit, nga ku varej administrativisht gjatë viteve 1947-1975, 1992-1996 dhe nga viti 2015 e në vazhdim. Territori i fshatit ka formën e grushtit të dorës së majtë me gishtin e madh nga lindja, ku Vjosa me harkun e saj formon një minigadishull, kulmon me majen e Shkujkës dhe Bregun e Skëndos.

Fshati ka një sipërfaqe prej 1310 hektarë , nga të cilat janë tokë arë 515 hektar, ullishte e pemishte 245 hektar dhe kullota e pyje 550 hektar.

Pjesa e populluar e fshatit shtrihet në një terren të dallgëzuar kodrinor,terren i kulluar e i veshur me ullinj e pemë. Në faqen veriperëndimore e verilindore të kodrës së Vishinës ndodhen lagjet: “Ruçaj” “Rustamaj”,vazhdon në lindje me “Xhafajt” dhe “Lagjen e Re” në jug të saj, me lagjen “Zotaj”, e më në lindje “Brushkajt” e “Dushajt”, kodrat me lagjet përkatëse: “Liçaj” e “Haskaj” dhe përfundon në kodrën lindore me lagjen “Milarak”

Nga pikëpamja gjeologjike, fshati Karbunar dhe zona përreth bëjnë pjesë në sistemin neogjenik me struktura flishore e konglomerate argjilo-ranore, që përbëjnë bazën e zinxhirit kodrinor të tij, kurse fushat janë ranore-argjilore e argjilo-ranore me taban të thellë e të kulluar.

 

Përroi i Madh rrjedh në skajin jugor, në kufi me Gorishtin, me gjatesi 5 km, baseni ujëmbledhës prej qindra hektarësh i të cilit shtrihet pjerrësitë: Maja e Madhe-Mustaj-Rexhepaj-Kaçarat e deri në Majën e Metes (fig.2): drejtimi i shtratit të tij shkon jugperëndim-verilindje, me derdhje në Vjosë. Deri nga fundi i viteve ’40 të shekullit që shkoi, me ujin e këtij përroj ka punuar Mulliri i Bardhë, pronë e Veli Fakajt.

Përroi i Trubullit me gjatësi 9.4 km përshkon thuajse përmes fushën e Trubullit, duke bërë dredha gjarpërore të lehta për në Vjosë.

Burimet natyrore të ujit të pijshëm janë:

Burimi Ganiut,Çezma e Çobanit në ledhin e Gashtares, rrëze Kumit të Çobanit, Burimet në Gjinova e Rrah të Plakut, Burimi i Ferikut në Trubull etj.

Çezma e Madhe ka qenë dhe është baza e furnizimit të fshatit prej më se 300 vjetësh. Ndodhet rreth 2 km në jug të fshatit, në perëndim të Fushës së Çezmës së Madhe, përbri rrugës fshat Burime-qendër fshatit. Kapaciteti prurës është afro 400 litra në orë, ishte me pamje tejet të konsumuar si konstruksion, në dhjetor 2017 u riparua nga bashkia Selenicë, duke ruajtur sado pak origjinalitetin e saj.

Çezma e Llakajt ndërtuar rreth 250 vjet më parë nga Llakua, i pari i fisit Kapaj, ndodhej rreth 500 m nga fshati, në të majtë të rrugës fshat-Varret e Mëdhenj. Deri në vitet ’90 sillte deri 300 litra/orë, por ka vite që nuk funksionon më. Çezma e Ullinjve të Kaurit me sezonalitet në prurje, ndodhet në fund të lagjes “Ruçaj”, i shërben komunitetit .

Cezma te Gryka e Hasimit, është ende në funksion.

Burdaleci ka ujë të paktë gjatë gjithë vitit dhe ende përdoret. Poshtë Lajthisë Brahimit nga kryeja e Bogdanit ka qenë një Kroi, me nam për ujin e tij, për të përdorej shprehja “uje lajthie”, fatkeqësisht shteroi në vitet ’80. Në vitet 70 u ndërtua ujësjellësi nga Kumet në Maj të Vishinës, prej tij furnizohet fshati edhe sot, megjithëse jo rregullisht.

Pavarësisht burimeve që ka fshati Karbunarit historikisht ne praktikën e përditshme uji sigurohej me mundime të mëdha. Sidomos për pirje e gatim, mbusheshin bucela druri apo bidona metalike a plastikë e transportoheshin me kafshë apo nga gratë duke mbajtur në kokë shtemba kusi, vedra druri etj., për qindra metra disa herë në ditë, me lodhje e mundime. Ndërsa larja e rrobave bëhej në shtëpi e pranë burimeve të ujit. në çezma, lumë etj.

.Kështu shkruhet prej biografëve të konsullit romak Paul Emili II, kur flitet për marshimin ndëshkimor nëpër Ilirinë e Jugut me drejtim për në Maqedoni dhe Epir. Kjo tregon se ky truall ilir dhe ky fshat me këtë emër ka qenë banuar edhe më herët se të kalonte aty ndëshkuesi romak. Pra, në mënyrë direkte pohimi i mësipërm na jep të drejtën që, ekzistencën e Karbunarit ta konsiderojmë si qendër e banuar me këtë emër, jo më pak se 2200 vjet të lashtë. Prej kohësh qarkullojnë disa gojëdhëna e hipoteza për prejardhjen e emrit “Karbunar. Nga fjala e vjetër latine carbo (italisht carbone) që shqip do të thotë qymyr. Dihet se legjionet romake depërtuan në Iliri që nga vitet 229, dihet se territori i fshatit ka qenë i mbuluar me pyje lisi, ilqe, mbrete, përralli, shkoze, vidhi etj., të cilat janë ideale për prodhimin qymyrit të drurit, aq shumë i nevojshëm për përpunimin e metaleve në këtë perandori. Ndoshta romakët i vunë fshatarët të prodhonin qymyr me detyrim ose të shtyrë nga nevoja për të siguruar të ardhura, këtë nuk e dimë, por mbetet një e dhënë diçka më e besueshme: nga fjala “carbone” rrjedh ajo carbonar-qymyrxhi.

Lidhur me vendndodhjen e fshatit në Bregun e Helmit ekzistojnë disa të dhëna historike dhe arkeologjike. Ekspedita ndëshkuese romake kundër Ilirisë e vitit 167 p.e.r. mund të ketë ndjekur itinerarin: Orikum-Qafa e Brumbullit-Qafa e Kropishtit Kocul Qafa e Agait-Koshovaninë Vjosë Nikaia (Klos). Kalimi në grykën e Koshovaninës tregon se këta trupa kanë marshuar thuajse në strehë të shtëpive të fshatit që asokohe banonte në Bregun e Helmit.

Autorët: Prof. Neritan Ceka dhe Skender Muçaj, në librin “Bylisi” shkruajnë për ardhjen e kësaj trupe ndëshkuese në vitin 167 p.e.r në Iliri e gjetkë.

Dihet nga historia se krishterimi në Iliri filloi pas udhëtimit të shën Palit në trevat ilire në vitet 60 e.s. Zyrtarisht ky besim u njoh rreth 2.5 shekuj më vonë, pikërisht në vitin 325 të erës sonë nga Kostandini i Madh, perandor romak me origjinë ilire. Në këto kushte secili komunitet, sipas devotshmërisë ndaj besimit dhe kapitalit që zotëronte, filloi të ndërtojë edhe objektet e nevojshme të kultit, ku të kryheshin ritet dhe varrimet. Në Karbunar ka arritur deri në ditët e sotme toponimi “Qafa e Kishës”, një kodërze vogël rreth 200 m mbi nivelin e detit, diku ndërmjet majës së Përgjafit dhe Majës së Madhe. Atje, disa qindra metra në perëndim të Bregut të Helmit, gjen edhe sot fragmente qeramike, shenja këto se aty dikur ka ekzistuar një objekt që duket se i ka shërbyer komunitetit më pranë tij, i cili mund të ishte fshati në Breg të Helmit. Ka qenë traditë e popujve t’i ndërtonin objektet e kultit zakonisht në vende të dukshme e të larta. Lidhur me ç’u parashtrua më sipër, besoj se nuk është pa domethënie ekzistenca e një copëze rruge (e përdorur në vazhdimësi) në të përpjetën Bregu i Helmit Qafa e Ullinjve Qafa e Folesë-Qafa e Kishës. Të dhëna këto të vëna në dukje nga mësuesi veteran Nasho Haxhiraj dhe nga bashkëfshatarët: Besnik Kapaj, Nimet Xhelaj etj.

Gjetja në Bregun e Helmit e mbetjeve nga ndërtimet e lashta, si: copa qeramike në formë pllakash, doreza qypash të mëdhenj ose enësh, varreza e murishte të moçme, stera uji etj. që kanë dalë në pah ndër shekuj, sidomos kur aty u bënë punime të thella me traktor nga vitet ’60 e këtej, tregojnë se aty ka pasur një qendër të banuar mjaft kohë përpara.

Më datën 13 maj 2017 morëm fragmente qeramike në kurrizin e Bregut të Helmit për përcaktim moshe (vjetërsie) i çuam në Tiranë, tek Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”. Nga këqyrja e të dy ekzemplareve specialisti konkludoi se; fragmenti vesh qypi i madh “arap”-është i shekullit II e.s, dhe tjetra e shek.. V, gjë që tregon se Bregu i Helmitm ka qenë i banuar para shekullit II e deri në shekullin V të erës sonë. Dëshmi tjetër e ekzistencës së këtij vendbanimi është edhe një Stelë (gur varri i një bujku të pasur ilir) me mbishkrime latine. Nga Instituti i Monumenteve të Kulturës stela është vlerësuar mjaft e rëndësishme dhe i përket shekullit IV të erës sonë. Në të, me figura të gdhendura, pasqyrohet njëfarë inventari veglash bujqësore të asaj kohe: parmendë druri me plor hekuri, draper, sfurk etj. Të dhëna të tilla, japin të kuptosh se këtu në këto troje – edhe në shekullin IV të erës së re, jeta e këtij komunitetit ilir ka vazhduar normalisht. Po kështu, lashtësinë e konfirmon edhe gjetja e një varri Ilir pranë Kroit në Bogdan, i studiuar nga mësuesi apasionuar Vasil Berreti në vitet ’80, ku fragmentet e eshtrave dhe të objektevet të gjetura në të flasin për një varr ilir të shek. II p.e. r.

Lidhur me çvendosjen e banorëve nga Bregu i Helmit në vendndodhjen e sotm, mendohet se; Mund të ketë ndodhur shpërthim në befasi i ndonjë fontane gazi metan pranë ose në brendësi të fshatit (Bregu i Helmit), meqë prej miliona vitesh shtresat nëntokësore të zonës sonë janë naftëgazmbajtëse. Shpërthime të tilla njihen për rrezikshmërinë dhe pasojat katastrofike, sidomos kur ndodhin natën apo me mot të qetë e pa erë. Dëmet e tmerri përjetuar nga banorët kanë qenë tragjike sepse mjaftojnë 1-2 thithje nga gazet helmuese që njeriu të shkojë në atë botë. Shprehja “vdeksh në këmbë!” ndoshta që atëherë mund të ketë mbetur dhe e transmetuar për kushedi sa breza.

Në këto kushte është gjetur zgjidhje me largimin prej aty dhe vendosjen në një vend të përshtatshëm e të njohur, siç është vendndodhja e sotme e fshatit në kodra të kulluara, midis ullinjve dhe tokave të bukës.

Lidhur me shpërnguljen e banorëve të fshatit në vendndodhjen e sotme, argumenti kryesor është kisha me mozaik, koha e ndërtimit të së cilës është përcaktuar në shekullin IV-VII të erës sonë. Nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në Tiranë në vitin 1989, arkeologët Sotir Kosta dhe Mensur Bezhani kanë përcaktuar se; mozaiku i Bregut të kishës është i periudhës paleokristiane, e antikitetit të vonët. Ky mozaik dallohet për rrathët spiral dhe pjesë të figurave zoomorfe. Dihet se kisha me mozaik sikurse ne Karbunar janë ndërtuar edhe në Rexhepaj, Vranisht, Mallakastër e gjetke.

Objektet e kultit dhe kishat si të tilla ishin jo vetëm vende ku bëheshin ritet e procesionet përkatëse fetare, por edhe vendvarrime. Në fshat njihen dy kategori ndërtimesh kulti, të pas pushtimit osman. Dy xhami, të besimit Islam, njëra e ndërtuar me mur me baltë në lagjen Brushkaj, e cila rezistoi deri nga vietet ’50 dhe tjetra me mur me gëlqere e ndërtuar në fillim të shek. XVIII nga fisi Xhafaj, në qendër të fshatit, me minare të rrëzuar nga predhat italiane në 1943 dhe që u prish në furtunën anti fetare të vitit 1967. Ndërkohë në fshat janë edhe 4 mekame të besimit Bektashi; ai i Baba Iliazit, me lashësi 300 vjeçare, të cilit i kanë shërbyer fillimisht Haxhirajt dhe prej gati 150 vjetësh i shërbejnë Dervishajt nga të parët e deri tek Sadihena e Ismaili sot. U rindërtua pas demokracisë jo vetëm ky po edhe të tjerë. Baba Azizit në Haskaj dhe Baba Muharremit në Breg në Skëndos u rindërtuan nga nipërit e Mystehak Skëndajt Gëzim Beqaj dhe Avdyl Asllanaj. Aty kanë shërbyer vet Mystehaku dhe bashkëshortja e tij, Merjemja, Zybejdeja dhe sot Brahimi familjarisht. Baba Amdinit në Shkujkë, të cilit i ka shërbyer Jaho Zenjelaj dhe aktualisht nipi i tij Lavdimi. Eshtë fakt se këto tre mkame të fundit jan konfirmuar ¨si të tillë rreth viteve ’30 të shekullit të kaluar.

 

Nga të dhënat anketore, rezulton Karbunari përbëhet nga 48 fise, me afro 53 mbiemra, që kanë banuar në 10 lagje të fshatit.

 

Ashtu si gjithë trevat shqiptare, edhe ky komunitet e ka shprehur në një mënyrë apo në një tjetër mospajtimin dhe urrejtjen ndaj pushtuese të çdo kohe. Nga përpjekjet dhe lufta e mbarë popullit shqiptar për liri dhe pavarësi karabunarasi asnjëherë nuk e ka ndarë veten, përkundrazi, qenë jo vetëm mbështetës, por edhe pjesëmarrës në kryengritjet kundër pushtuesve osmanë.

Ne shpërthimin e vullkanit popullor të viteve 1840-1850 kunder Reformave të Tanzimatit u radhitën edhe karbunarasit së bashku me krahinat e tjera të Shqipërisë. Si pjesë e rëndësishme e kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare, më 22 komik 1847 u mblodh, nën drejtimin e legjendarit Rrapo Hekali, Kuvendi i Sinjës për t’i dhënë një hov më të fuqishëm këtij uragani që prej kohësh vlonte në gjirin e popullit. Ndër përfaqësuesit e krahinave dhe fshatrave përkatës në Kuvend, Zeqo Xhafua i Parë përfaqësoi Karbunarin Frymës dhe masave që u morën aty, fshati ynë iu përgjigj me pjesëmarrjen e luftëtarëve të tij të organizuar në çetë, me komandantin Zeqo Xhafaj. Për këtë lëvizje janë thurur edhe vargje:

“Mos u tut, moj Mallakastër,

Prije shpatën për bejlerë

Labëria është me juve,

Nga një pushkë për çdo derë

Zego Xhafo Karbunari

Si komshi erdhi i pari,

Ndezur si flakë zjarri.

Çetë e tij gur stërralli.”

Pjesëmarrjen e Zeqo Xhafo Karbunarit në Kuvendin e Sinjës e vërteton prof. dr. Bardhosh Gaçe me shkrimin “Kryengritjet antiturke të shekullit XIX botuar në gazetën “Dita”. Kurse prezencën me çetën e Karbunarit e pohon studiuesi Hajdar Sulaj në librin “Hekali në Histori”.

Në ato kohëra të turbullta kur ekzistenca dhe fatet tona kombëtare ishin jashtëzakonisht të rrezikuara -karbunarasit, me Ahmet Durmish Xhafaj në ballë të tyre, patën meritën e ndritur historike që me largpamësi prestigj të shquanin te Ismail Qemal Vlora, Prijesin e Kombit. Dhe, gjithnjë me zotësi e pa mëdyshje, përkrahën fisnikërisht Njeriun që po i dilte zot Mëmëdheut! Historia u dha të drejtë!

Kjo vepër e panjollë atdhetarie e paraardhësve tanë do të nderohet në breza prej nesh

 

Po kështu edhe në Epopenë e Luftës së Vlorës, përpjekje të jashtëzakonshme bënë patriotët e tërë krahinës, midis të cilëve Ahmet Durmish Xhafaj, si edhe atdhetarë të shumtë anembanë Shqipërisë. Ketij qëllimi i shërbeu edhe ardhja e patriotit Osman Haxhiu në Karbunar për të organizuar e vënë në lëvizje energjitë njerëzore e materiale të këtij komuniteti në interes të luftës për pastrimin e krahinës nga kjo murtajë skllavëruese.

Po kështu Lufta kundër fashizmit rizgjoi dhe më fuqishëm ndjenjën kombëtare për lirinë e Atdheut. Kjo bëri që gjithë fshati të përfshihet në një formë ose tjetër në lëvizjen antifashiste. Më 16 prill 1943 u krijua çeta ISMAIL QEMALI e krahinës sonë, ku karabunarasit përbënin mbi 30 përqind të efektivit të saj. Kjo çetë u komandua nga biri i këtij fshati Namik Xhafaj. Nga komuniteti ynë morën pjesë me armë në dorë 45 bijë e bija të tij, 3 prej të cilëve dhanë jetën dhe janë dëshmorë të Atdheut; Sabri Bejaj, Nebi Danaj dhe Ramiz Xhafaj. Gjithashtu në provokacionet greke të gushtit 1949 dha jetën edhe djali 20 vjeçar Cano Bejaj, sot edhe ky dëshmor i Lirisë.