Një numër i madh njerëzish kanë mbetur ditën e sotme në stacione duke pritur për një kohë të gjatë, kjo për shkak të përgjysmimit të flotës së mjeteve të transportit. Shoqata e Transportit Publik ka deklaruar se çmimi i naftës ka arritur në nivele të frikshme dhe kjo prek drejtpërdrejtë mbarëvajtjen e punës së tyre.
“Duke parë edhe situatën e vështirë ekonomike në mbledhjen e fundit që patëm operatorët nuk janë në gjendje të funksionojnë me 100% të flotës së mjeteve. Sot stacionet janë plot me njerëz. Çmimi i naftës dje ishte i frikshëm. Asnjë operator nuk vazhdon dot me kapacitet të plotë. Nëse vazhdojmë me këtë situatë kapitullimi do jetë për tre katër ditë minimalisht”, deklaruan ata.
Alternativa e tyre është që çmimi të dyfishohet duke shkuar në 80 lekë.
“Ne jemi të varur nga rritja e çmimit të naftës. Duke pasur edhe një heshtje totale ne konkretizuam pikat që na duhen për të shpëtuar. U vendos të kërkohet rritja e çmimit të biletës. Kjo do jepte mundësinë të kishte transport publik në Shqipëri. Çmimi i biletës do jetë për të përballuar këtë krizë diku te 80 lekë për biletë. Do i japim një mundësi transportit t’i shërbejë qytetarëve që të mos kapitullojmë përfundimisht. Ky do jetë një shpëtim emergjent”, thuhet në deklaratën e tyre.