Është arrestuar me urdhër të SPAK ish-ministri i Mjedisit nga radhët e LSI-së Lefter Koka.
Burime bëjnë me dije për Fax News se forcat operacionale kanë mbërritur paraditen e sotme në Durrës, dhe kanë shoqëruar disa persona, mes tyre dhe Kokën, të cilit pritet që ti komunikohet dhe masa e arrestit.
Përveç Kokës burimet saktësojnë se ka dhe disa persona të tjerë të shoqëruar, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.
Lefter Koka u zgjodh deputet nga radhët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit, por dha dorëheqjen më pas, pa shkelur asnjë ditë në Kuvend.
Koka duket se ka qenë në dijeni të hetimeve të SPAK, dhe për këtë shkak dha dorëheqjen, ndërkohë që emri i tij ka qenë i kallzuar nga vetë LSI.
Arrestimet kanë të bëjnë me tre inceratorët në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Vazhdon operacioni lidhur me këtë çështje. Ndërkohë sipas burimeve masat janë dhënë në mungesë dhe janë miratuar nga gjykata e posaçme.
Paraprakisht Fax News mëson se akuza e ngritur ndaj Lefter Kokës është ajo e shpërdorimit të detyrës dhe e shkeljes së barazisë në tendera.
Hetimet për dosjen që çoi në pranga Kokën janë kryer nga prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Kush është Lefter Koka?
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat.
Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në vitin 2019.
Më 1 shtator, deputeti i zgjedhur i PS-së, Lefter Koka, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.
/Faxweb.al