Krimi Ekonomik dhe Financiar në kuadër të operacionit të koduar “Elektro” vuri në pranga infermieren e Psikiatrisë në Tiranë, Elisabeta Bardhollarin 39-vjeçe, dhe pronaren e një dyqani në zonën e porcelanit Orjada Hoxhën 32-vjeçe. Sipas policisë, infermierja iu vidhte kartat e identitetit pacientëve në spital, për t’i përdorur për kredi. Fax News mëson nga burime të sigurta se Bardhollari dhe Hoxha përdornin institucionin e kredidhënies “IuteCredit” për të tërhequr para përmes aplikimeve online duke përdorur mjetet e identifikimit pa dijeninë e tyre të pacientëve.
Shitësja e dyqanit “GoTech” Orjada Hoxha merrte kredi në emër të pacientëve, për të blerë pajisje në dyqanin ku punonte ndërsa bashkëpunonte me infermieren. Në sajë të operacionit “Elektro” janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. H që shërbente si transportues dhe bashkëpunëtor i dy të tjerave.
Strukturat e policisë po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë, ndërsa materialet i ka marrë në zotërim Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Nga hetimet pritet të ketë të reja edhe në lidhje me aplikimet që janë bërë në institucionin financiar “IuteCredit”, për të mësuar nëse ka pasur abuzime nga ana e tij me lehtësirat që mund t’i ketë krijuar grupit që merrej me këtë aktivitet të paligjshëm dhe mënyrën se si i pranon aplikimet. Sjellim në vëmendje se rreth 2 vite më parë Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK() ka marrë vendim të institucionet mikrofinanciare “Iute Credit”. Rrethanat se pse u morr një vendim i tillë nga BQK kishin të bënin me mospërmbushjen e detyrimeve me të cilat edhe kishte aplikuar për licencë.
Sipas BQK devijimi shqetësues ka të bëj me normën e tyre të interesit që rezultonte jashtë çdo standardi. Këto kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta se sa normat që ky institucion kishte paracaktuar në planin e tyre të biznesit dhe në aplikacionin e regjistrimit si institucione mikrofinanciare në Kosovë si dhe njëkohësisht me një normë shumë më të lartë të interesit krahasuar me normat mesatare të interesit në kredi të institucioneve mikrofinanciare jo bankare. Një shqetësim i tillë artikulohet edhe nga qytetarët në Shqipëri, por deri më tani asnjë veprim apo gjetje zyrtare nuk është referuar.