Historia e Ago Agajt, luftëtari dhe kronikani nga Vlora që ‘shkriu’ kufijtë...

Historia e Ago Agajt, luftëtari dhe kronikani nga Vlora që ‘shkriu’ kufijtë etnikë

618
0

Nē emisionin Autokton të gazetares Anila Ahmataj u trajtua veprimtaria e Ago Agaj. Ago Agaj shqiptari që me veprën e tij shkriu kufijt etnik. U largua nga atdheu atëherë kur u vendos diktatura Sllavo-komuniste dhe mbeti përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si një vlonjat pati fatin të jetë i pranishëm në ngritjen e flamurit më 1912, e ndërsa është luftëtar dhe kronikan për Luftën e Vlorës, atë të 1920-ës. Ashtu si Noli, Konica , Camaj dhe Koliqi edhe vlonjati Ago Agaj mbeti jashtë kufijve të atdheut. Ago në dorëshkrimet e tij shkruante: Se sipas Eqerem Bej Vlorës, Gjin Leka ka jetuar rreth vitit 1570 dhe Leka rreth vitit 1550. Gruaja e parë e Emin Agos rrëfente se Agajt janë të ardhur prej fshatit “Mollë e Kuqe” Fshat të cilin nuk e kam gjetur në asnjë vend të Shqipërisë, të cilën e kam shëtitur anë e mbanë veçse në Mirditë thotë Ago…

Është fakt historik se Arbrit kanë filluar të shtrihen në shekullin e 13-të. Profesor “Stadmuller” këtë dyndje e përshkruan hollësisht.

 

Qëndra ose kryeqyteti Arbërisë ka qenë pranë Krujës.

 

Mirditë, Mat e të tjera për rreth duhet të kenë qenë nën juridiksionin e tij dhe të një fisi.

Banorët e Mollës së Kuqe janë shpërngulur 3 herë për shkak të fatkeqësive të pabërballueshme. Leka la si pasardhës Gjinin dhe Gjini pati tre djem të cilët krijuan fshatrat si Haskogjin, Memogjin dhe Matogjin. Matogjini e ruan ende edhe sot emrin e tij.

Vehib Runa thoshte se: Labëria e sotme ndahet në dy fise Arbër dhe Labër. Labërit janë autokton e ndërsa Arbërit të ardhur. Nivicë dhe Smokthinë ai i quante Arbër e ndërsa fshatat e rrëzes i quante Labër. Pikërisht edhe krushqitë midis tyre ishin të rralla

Emri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja,një zonë me bukuri mahnitëse, ne te cilen rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak shkruan në vitin 1923: “Se Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike”. Pikërisht kjo luginë është e lidhur ngushtë me veprimtari të shumta patëriotike të emrave më në zë.

 

Kush ishte Shero Emin Aga!?

 

Një ndër emrat është Shero Emin Agaj, agë i Smokthinës, familje besnike dhe qehaja të Oxhakut të Vlorajve spikat si patëriot dhe atdhetar i kohës, i cili u dallua në mbështetje të pavarsisë në ngritjen e flamurit.

 

Deri në vitin 1911 Vlora kishte marr pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare, sidomos pas asaj të nisur në Gjirokastër prej Çerçiz Topullit 1906-1908 kur vrau Bimbashin e Turqisë, Halil Bej Gusinjën,major i xhandarmarisë .“Hasan Dosti” thotë: Edhe lëvizja e drejtuar prej Namik Bej Delvinës në gusht të 1911-ës ka qenë e sygjeruar prej Ismail Qemalit. Në një mbledhje Ismail Qemali këshillon pjesmarrsit të organizojnë një lëvizje armate me një program të caktuar në 13 pika që u referuan në reforma administrative e në liri të mësimit të gjuhës shqipe.

 

Jeta dhe shkollimi i Ago Agaj

 

Ago Agaj një nga djemt e Shero Agaj , lindi në Smokthinë të Vlorës në laberi. Shkollën fillore e mbaroi në Vlorë (turqisht), shkollën e mesme e përfundoi në Vjenë dhe po atje, vazhdoi e përfundoi me sukses studimet universitare për inxhinieri agronomike. E ndërsa stazhin dhe specializimet i mbylli në Gjermani.

 

Ishte viti 1919-të kur Ago u bë pjesë e Kongresit të Lushnjës.

 

Më 1920 Ago merr pjesë në Luftën e Vlorës, në çetën e Shullërit me komandant Bajram Qamil Agajn e Ramicës. Atje, në fushat e betejës, kur ishte krah për krahu me heronjtë e luftës, me Kanan Mazen, Zigur Lelon dhe Kapedan Sali Vranishtin , grumbulloi të dhëna dhe fakte historike direkt, që më vonë i hodhi në një libër më vete, të titulluar “Lufta e Vlorës”

 

Ago shkruan shumë kujtime dhe ndodhi të gëzueshme dhe të dhimbshme nga ngjarjet e vitit 1920.

 

Komiteti Mbrojtja Kombtare me mandat të popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë më 3-qershor të 1920-ës dërgoi ultimatum gjeneralit Piacentini ku shkruhej se deri në 4-qershor ti përgjigjej kërkesës së Komitetit para orës 19. E nesërmja e 4-qershorit solli përgjigjen negative të general Piacentinit e cila solli atë që më vonë u kurorzua “Lufta e Vlorës”

 

 

Gjatë viteve 1920 – 1923 Ago Agaj bashkëpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Kölnit (Gjermani), për hartimin e Kartës Gjeografike, Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë, dhe më 1924 bën pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë.

 

Punoi edhe dy vjet të tjera në Poloni e Moldavi dhe kur u kthye në Vlorë, emërohet agronom i zyrës së bujqësisë fillimisht dhe ngrihet dora dorës, deri në shkallët më të larta ministrore.

 

Në vitin 1924 është një nga përkrahësit dhe mbështetësit kryesor të “Revolucionit Fanolist”.

Ishte ndër nënshkruesit e mbledhjeve të opozitës në ceremonitë e zhvilluara pas vrasjes së Avni Rustemit.

Rreth vitit 1926 Ago bashkëpunon me shkencëtarin svicerian, Dr. Miller, në kërkimet e shtresave vajgurore të nëntokës shqiptare,dhe ka fatin të jetë prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar. Në fund të vitit 1926 ai emërohet agronom në Shkodër.

 

Ishte viti 1937 kur Ago Agaj ndalohet për ngjarjet e Kryengritjes sè Delvinës, nga ku dhe dënohet me burgim të përjetshëm. 7 Prill 1939 kur Italia pushtoi Shqipërinë, Ago Agaj gjendet në burg.

 

Ago Agaj, caktohet prefekt në Mitrovicë

 

Pas vitit 1941 emërohet prefekt ne Mitrovicë, nga ku drejton organizimin e administratës shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë organizon rezistencën kombëtare, i duhet të mbrohet edhe nga sulmet e çetnikëve të Drazha Mihajloviçit , me të cilët ndërmerr edhe përpjekje direkte, derisa edhe plagoset.

 

Në bashkëpunim me Vehbi Frashrin bën të mundur shpëtimin e jevgjeve të Mitrovicës nga “zgjidhja përfundimtare” naziste. Ago u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me origjinë egjiptiane, kurse ciganët ishin me prejardhje nga India dhe ishin nomadë, që nuk ngulen në asnjë vend. Ky shpjegim nuk mjaftoi dhe duheshin fakte të tjera. Me anën e Vehbi Frashrit u gjet libri i prof.E.Novack-ut, i cili ishte marrë me studimin e këtyre popujve. Kështu jevgjit shpëtuan…

Edhe hebrenjve, në saje të angazhimit të Ago Agajt e Xhafer Devës, ua shpëtuan jetën, madje i vendosën në mbrojtje në një ndërtesë të mirë. Pas largimit të Ago Agajt, Xhafer Deva gjeti mënyrën për t’i çuar këto familje në Shqipëri, ku gjetën strehim dhe mikpritje. Agaj ishte bërë shumë popullor në mes kosovarëve me të cilët ai bashkëpunoi aq mirë….

Më 1943 emërohet ministër i Ekonomisë Kombëtare në qeverinë Mitrovica .

 

Në qershor të vitit 1944, Ago Agaj mori pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, si dhe në Kongresin e Dytë të saj, që u mbajt më 15 janar 1944.

 

Vendosja e regjimit komunist detyroi Agon të largohet nga Shqipëria

 

Pas vendosjes së regjimit komunist në atdhe, Ago fillimisht largohet në Austri e Itali dhe më pas zhvendoset në Egjipt së bashku me familjen. Gjatë qëndrimit të tij 20-vjeçar punoi për administrimin e pasurisë së Aziz Izet Pashë Arnautit (Qiprilijve) dhe drejtoi sektorin «Vinicole e Viticole». Gjatë kësaj kohe të qëndrimit në Egjipt Ago Agaj, përgatiti dorëshkrimin e vëllimit «Lufta e Vlorës»Ago ishte aq i lidhur me Kosovën sa në një letër, disa muaj para se të ndërronte jetë shkruan:

 

Letra e Ago Agaj në shtratin e vdekjes

 

“Jam në shtratin e vdekjes…

Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i Kombit Shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës Serbe, atëherë do të kemi një komb tetë milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin Serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për Kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjigj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë”. Kështu shkruante personalisht Ago Agaj dhe shtonte: “Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”.

 

Nga kjo dashuri pasionante për Kosovën, Ago Agajn, shpesh e kanë quajtur “Kosovari nga Vlora”.

Ai nderroi jetë, në dhjetor të vitit 1994 në SHBA….

 

Ago Shero Agaj ishte një veprimtar i palodhur për liri, pavarësi e zhvillim dhe se ai, meriton vlerësim pozitiv për gjithë jetën e tij të mundimshme dhe për sakrificat e tij sublime.