Akademiku Artan Fuga ka ironizuar përmes të një postimi në ‘Facebook’ vendimin e Qeverisë për t’i dhënë 5 ditë pushim administratës shtetërore.
Fuga shprehet se shqiptarët kanë nevojë të zgjohen, t’i kthehen punës të vërtetë, të zhdërvjelltësohen e të rimarrin nervin e të punuarit.
Fuga shton se i vjen turp që e detyrojnë kombin të shtriqet e dimërojë në gjumë me ditë të tëra, sikur me qenë dembel që shtrihet nën hijen e shelgut dhe fle si derr.
Statusi i plotë:
Kombsqullje në ditë pushimesh
————————-
C’na kënaqën me këtë fundjavën e gjatë me pushime deri në dy maj!
E kënaqën administratën që në vend t’i shërbejë qytetarëve shkërmoqet, shullehet, shtrihet, në ditë pushimesh pa fund!
Shpërblim se kanë punuar shumë të shkretët, u drobitën fare!
E pëson populli që nuk merr shërbimet e duhura!
Se të papunët, ç’t’i duan pushimet!
Bujqit, poashtu, c’t’i duan!
Tregtarët e vegjël, ç’t’i duan!
Ata punojnë.
Edhe puntorët te privati punojnë!
Administrata shullehet!!! Lajnë lëvere nja pesë a pesëdhjetë ditë. Mileti strapacohet për të marrë shërbime!
Më vjen turp që e detyrojnë kombin të shtriqet e dimërojë në gjumë me ditë të tëra, sikur me qenë dembel që shtrihet nën hijen e shelgut dhe fle si derr.
Dita e ballakumes.
Dita e 1 majit!
Dita e sheqerpares!
Dita e rrenave!
Jo po bëjmë të hënën pushim sepse e djela që bie pushim ishte pushim!
Ore zgjohuni se na trashët!
Barkederra!
Trudhjamur!
Merhumër!
Jemi bërë si toger Shazivari te Kongres në vitin 1936!
Gëzojmë pashkët ortodokse të djelën dhe të hënën në punë, ja kaq!
Ndërkohë që kemi nevojë të zgjohemi, t’i kthehemi punës të vërtetë, të zhdërvjelltësohemi et të rimarrin nervin e të punuarit.
Kush do të na squlli si komb!