4 dhjetori/ Krijimi i Çetës Plakë, lufta e Gjormit përmes fakteve, dokumenteve...

4 dhjetori/ Krijimi i Çetës Plakë, lufta e Gjormit përmes fakteve, dokumenteve e këngëve të popullit

1961
0

Nga: Lefter RROKAJ

 

Për luftën e Gjormit 31 dhjetor 1942 – 2 janar 1943 janë shkruar shumë artikuj në formën e kujtimeve nga dëshmitarët okularë të kësaj ngjarje, nga veteranët e LNÇL, nga studiues, historianë dhe ngjarja është përjetësuar në telajo nga Piktori i Popullit, Fatmir Haxhiu në v.1981. Piktura mban titullin “Lufta e Gjormit“ dhe është ekspozuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Pavarësisht këndvështrimeve dhe vlerësimeve që i bëhen kësaj ngjarje dhe aktorëve pjesëmarrës në këtë epope të lavdishme, pothuajse të gjithë autorët arrijnë në një rezultante të përbashkët, se kjo ngjarje ishte një luftë e armatosur e popullit të Lumit të Vlorës dhe vullnetarëve të ardhur nga krahina të tjera, pa dallim feje, krahine dhe ideje, sipas platformës së miratuar në Konferencën e Pezës, kundër një armiku të përbashkët, fashizmit Italian, i mbështetur nga mercenarët e Halil Alisë e Selim Kaloshit, të mobilizuar në krahinën e Dibrës. Në këtë betejë, në krah të çetës Plakë të Vlorës, që ishte i vetmi formacion i organizuar dhe i armatosur, u rreshtuan vullnetarët popullorë të organizuar në çeta territoriale sipas fshatrave, si dhe forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës e Skënder Muços. Zanafilla e këtij konflikti të armatosur midis popullit të kësaj krahine dhe fashistëve italianë e shërbëtorëve të tyre nis në datën 17 dhjetor 1942, kur qeveria kolaboracioniste e Mustafa Krujës me urdhër nr 107/5 mori vendimin ogurzi për ndëshkimin e popullit të Vlorës me këtë motivacion: Në tërë Shqipërinë, Vlora mban sot rekordin e turbullirave. Erdhi dita e masave të forta. Dhe prandaj vepra shtypëse e autoriteteve do të fillojë nga Vlora. Do të shkatërrojmë shtëpitë dhe pasuritë e të arratisurve [kështu i konsideronte Qeveria e M. K. luftëtarët e lirisë]. Do të internohen familjet e të arratisurve. Në zbatim të këtij vendimi qeveria e M. K. ngarkoi 2 kolaboracionistët e fashizmit Halil Alinë dhe Selim Kaloshin të mobilizonin 2 batalione vullnetarësh me një

efektiv mbi 1000 vetë nga krahina e Dibrës, të cilët do të viheshin në dispozicion të komandantit të operacionit, kolonelit Italian Franko Klemente për të mbështetur veprimet luftarake të njësive fashiste të komanduara prej tij, e thënë më shqip, për t’u përdorur si mish për top. Rreth datës 21 deri 22 dhjetor 1942 grupi i mercenarëve dibranë të transportuar me mjetet e fashistëve italianë zbarkoi në Vlorë duke krijuar në qytet një situatë elektrizuese, efektet e së cilës u përhapën me shpejtësi edhe në fshatrat e Vlorës. Në këto kushte Komiteti Qarkor i Vlorës që drejtohej nga Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, i shqetësuar nga situata kritike që pritej të shpërthente nga çasti në çast, mori masat e para organizative duke u bërë thirrje 2 përfaqësuesve kryesorë të qeverisë së Mustafa Krujës, prefektit të Vlorës Vangjel Koçi, i njohur me emrin e shkurtuar Lele Koçi dhe të dërguarit të jashtëzakonshëm të qeverisë së Mustafa Krujës, Qazim Koçulit, të bënin një takim në Brataj, me qëllim që të evitohej përçarja në popull dhe situata të mos precipitonte drejt një konflikti të armatosur, si dhe të ndikonte te Mustafa Kruja me të cilin Qazim Koçuli kishte miqësi të vjetër. Këtë ftesë të sinqertë të Qarkorit të Vlorës Qazim Koçuli e refuzoi duke humbur kështu shansin historik për ta nënshkruar për herë të dytë historinë. Një nga organizatorët kryesorë të Kuvendit të Barcallasë, ish-komandanti i forcave kryengritëse të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që hodhën në det më 20 qershor 1920 trupat pushtuese italiane me në krye gjeneralin Piacentini, mbas 23 vjetësh bëri hapin më fatal të karrierës së tij politike, hap që i kushtoi atij jetën.

 

Populli i kushtoi këtij veprimi antikombëtar vargjet aq shumë të njohura .

Kush e prishi këtë punë,

Kruja me Qazim Koçulë,

Mercenarët në Vlorë i prunë, dhe

Luftën në Gjorm e zunë.

Meqenëse dështuan negociatat me përfaqësuesit e qeverisë, u organizua një takim me Halil Alinë, me ndërmjetësinë e një shehu, me përfaqësuesit e Qarkorit Vehbi Hoxha e Hetem Gjinushi. Por Halil Alia duke devijuar nga propozimet që i bënë përfaqësuesit e Qarkorit dhe nën presionin e italianëve dhe qeverisë Kruja, i refuzoi kërkesat e tyre, duke i hapur rrugë konfrontimit të pashmangshëm. Në këto kushte, kur në horizont nuk dukej asnjë zgjidhje, Qarkori i Vlorës mori me shpejtësi masat emergjente për përballimin e situatës së jashtëzakonshme, e cila ishte çështje orësh. I vetmi njësit i organizuar ishte çeta Plakë e Vlorës me 40 luftëtarë të zgjedhur që kishte komandant Neki Imerin [Vangjon] nga Lepenica, një nga djemtë më trima dhe më inteligjentë të Lumit të Vlorës dhe komisar Qazim Çakërrin [Divi] nga Tragjasi, një familje me emër e kontribute të pa diskutueshme gjatë LNCL. Qarkori i Vlorës në bashkëpunim me këshillat NÇl. të çdo fshati bëri mobilizimin e burrave të aftë nën armë me kushtrimin luftarak 5 pushkë dhe një bombë, u bë organizimi në çeta territoriale të çdo fshati. Në të njëjtën kohë u përcaktuan edhe 3 drejtimet kryesore nga ku mund të marshonte armiku drejt krahinës së Lumit të Vlorës, në rrugën automobilistike Vlorë-Qafë e Dushkut -Ura e Gjormit -Gjorm do të marshonte makineria fashiste italiane, ndërsa nga Qafa e Shëngjergjit që kufizon Tërbaçin me Dukatin dhe në drejtimin Tragjas – mali i Lungarës – Gjorm mund të marshonin mercenarët e Halil Alisë; për mbrojtjen e Qafës së Shëngjergjit u ngarkua një pjesë e çetës së Terbaçit që kishte komandant Beqir Selimin. Hollësitë e këtij momenti i përshkruan Hito Çako në kujtimet e tij, të cilat janë botuar në këtë faqe, nga ana e Juljan Skëndos, nip i Beqir Selimit, dhe të cilave nuk do t’u lëviz asnjë presje. Në mbrëmjen e datës 26 dhjetor 1942, çeta Plakë kreu veprimin më të guximshëm, duke hedhur në erë depot e municionit në Radhimë, ku italianët kishin rezerva të konsiderueshme armatimi për kryerjen e operacioneve luftarake në shkallë të gjerë. Pastaj çeta u tërhoq në drejtim të Tragjasit, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve. Në ndjekje të çetës në datën 27 dhjetor, u vunë mercenarët e Halil Alisë me 3 kolona me 1500 vetë, me qëllim rrethimin dhe asgjësimin e saj. Duke llogaritur raportin e forcave, që ishte me diferencë të madhe në favor të kundërshtarit dhe me qëllim që të ruhej kompaktësia dhe aftësia luftarake e çetës, u pa e arsyeshme që me një manovrim të rrufeshëm të shkëputej kontakti me kundërshtarin. çeta u tërhoq në drejtim të Gjormit, atje ku mendohej se ballafaqimi do të ishte i pa evitueshëm. Gjormi konsiderohej si terreni më i përshtatshëm ku do të përcaktohej edhe fati i këtij konflikti të armatosur. Jo më kot Qazim Koçuli deklaronte me cinizëm, por me vërtetësi se kush merr Gjormin, ka marrë gjithë krahinën. Të befasuar nga manovrimi i çetës Plakë, mercenarët e Halil Alisë e nxorën dufin me banorët e fshatit Tragjas. Të pashembullta kanë mbetur në kujtesën e popullit të Tragjasit, lemeritë që u shkaktuan njerëzit e uritur dhe të pa moralshëm të Halil Alisë, të cilët në kuptimin më të keq të fjalës i nxorën fshatit ujë të zi. Edhe sot kujtohen tmerret që përjetuan pleqtë, gratë e fëmijët që u trajtuan barbarisht nga mercenarët pa gjak shqiptari, të frymëzuar nga vendimi ogurzi i qeverisë Kruja, dhe nga krerët bajraktarë të shitur te pushtuesit e huaj. Të pangopur në limitet më ekstreme, mbasi therën në masë bagëti, dhe rrëmbyen çfarë u zuri dora, ngarkuan kuajt e fshatit dhe nisën plaçkat e rraqet e rrëmbyera drejt kazermave të ushtrisë italiane në Vlorë dhe pastaj drejt Fushë Çidhnës. Episodet e një vandalizmi të tillë i përcjell sot te spektatori Artisti i Popullit Pandi Raidhi me batutën brilante: “Kështu të jetë katandisur edhe Shabani ynë?!” Në datën 31 dhjetor 1942 armiku i nisur nga 2 drejtime [u përjashtua drejtimi Tragjas -Qafë e Shëngjergjit -Tërbaç ]. 1 Në drejtimin Vlorë -Qafë e Dushkut -Gjorm lëvizte autokolona italiane e përbërë nga 1 regjiment milicie, 1 grup karabinierësh, 1 batalion i rojës së financës, 1 batalion këmbësorie 1 grup artilerie dhe 1 n/repart i motorizuar, rreth 1500 vetë, nën komandën e kolonel Klemente.

2- Në drejtimin Tragjas – mali i Lungarës – Gjorm lëvizte turma laramane e Halil Alisë. Këtë skenë tragjike populli e ka përjetësuar në vargjet tronditëse;

Ç’është kështu siç po dëgjojmë,

Mercenarët që po shkojnë,

Nga mali i parë kaptojnë,

Nga Tragjasi për në Gjormë.

Në momentin e parë raporti i forcave fliste dukshëm në favor të armikut. Karshi 3000 forcave kundërshtare, të armatosura deri në dhëmbë, të mbështetura me armë të rënda e mjete të motorizuara, qëndronte një çetë partizane me 40 luftëtarë, por në një kohë rekord, ky raport nga ora në orë ngushtohej, si rezultat i mobilizimit të çetave territoriale nga të gjitha fshatrat dhe vullnetarëve të ardhur nga krahinat përreth, Zemra dhe shpirti i kësaj qëndrese ishin luftëtarët trima të çetës Plakë, të mbështetur fuqishëm nga qindra vullnetarë popullorë që e priten armikun kudo me armë, që nga Ura e Gjormit dhe gjatë gjithë rrugës automobilistike, në pjerrësitë e malit dhe deri në luftime të afërta me të. Sinjali i sulmit u dha në orën 23;30 min të datës 31 dhjetor 1942 dhe armiku u befasua nga që nuk e priste një organizim të kësaj shkalle kaq të lartë, që i përmbysi planet e tij për një fitore të shpejtë e pa humbje. Për 36 orë rresht u zhvilluan luftime të ashpra, ku italianët vunë në veprim edhe armët e rënda. Ballafaqimi i përgjakshëm shkaktoi edhe viktimat e para,ku terreni i favorizonte më shumë forcat popullore mbasi nga njëra anë ishte lumi i Shushicës, i pa kalueshëm në këtë periudhë, dhe nga ana tjetër pjerrësitë e malit, në të cilat ishin pozicionuar luftëtarët. Në fushën e Gjormit kalonte rruga automobilistike ura e Gjormit – Gjorm – Brataj dhe në qendër të teatrit të luftimeve ishte fshati Gjorm që u kthye në një Moskë të vogël. Situata e krijuar dhe terreni i ngushtë ku zhvilloheshin luftimet i ngjante tregimeve që kemi mësuar nga librat e historisë dhe filmave që i referohen betejës së Thermopileve ku Leonida me 300 spartanë luftoi me heroizëm 480 vjet para Krishtit me hordhitë e mbretit Kserks të Persisë. Por me ndryshimin se Leonidës nuk i erdhën në ndihmë aleatët, ndërsa 40 spartanët e çetës Plakë ishin të mbështetur fuqimisht nga populli, që nuk i la vetëm bijtë e tij. Të duket e pabesueshme që kjo ngjarje e ardhur nga thellësitë e shekujve, që më tepër është më afër kufirit të një legjende festohet me madhështi në çdo 9 gusht nga populli grek, ndërsa luftën e Gjormit dhe heronjtë që e ngritën lavdinë e saj në nivelet e të pabesueshmes, i ka mbuluar hija e heshtjes. Atëherë kur dukej qartë se armiku ishte futur në një darë të hekurt dhe rreziku i asgjësimit të plotë ishte evident, komanda e Korpusit 25 fashist e përqendruar në Vlorë dërgoi në ndihmë të të rrethuarve njësi të reja të motorizuara, tanke e autoblinda, duke hequr dorë nga synimi fillestar për të marshuar përpara dhe, mori masat për të dalë nga gracka dhe për t’u tërhequr me sa pak humbje. Pikërisht në këtë moment erdhi lajmi se ishte vrarë komandanti i operacionit, koloneli Klemente, i cili ishte rrëzuar nga kali. Për vrasjen e kolonelit ka pasur shumë versione, duke e veshur këtë ngjarje edhe me nota humori, kur një grup luftëtarësh panë me një dylbi të vjetër të mbetur nga lufta e ’20-ës, një oficer të mbuluar me pelerinë e të hipur mbi kalë, në një lartësi dominuese, dhe një prej tyre tha se ky do të jetë ai i madhi i tyre, ta vrasim qenin. Duke shfrytëzuar terrenin e veshur me shkurre, iu afruan dhe e qëlluan duke e rrëzuar nga kali. Më i besueshëm është versioni tjetër se koloneli ka qenë larg vijës së parë të frontit si dhe rrezes së armëve të luftëtarëve, dhe në distancë ndiqte me shqetësim e mllef luftimet, ku Gjormi po kthehej për të në një makth që gradualisht po shënonte fundin e tij të pa lavdishëm. Për asgjësimin e kolonelit janë përdorur armë me qytë të gjatë dhe me precizion të lartë, armë belxhik. Sipas teorisë së qitjes është krijuar një perde zjarri duke qëlluar në të njëjtën kohë drejt objektivit me disa armë të tilla. Këto episode kaq dramatike populli i përmbledh në një varg me 2 rreshta.

Në u varça dot i gjallë,

Do të djeg, do të vë ‘zjarrë.

Këto rreshta të shkruara nga populli dhe përgjigja që i dha Gjormi kolonelit Klemente shkojnë në kondicion të plotë me kërkesën që Kserksi, mbret i persëve, sipas mitologjisë i bëri Leonidës; Më jep armët. Dhe Leonida i bëri ofertën epike: “Molon lave” [ec e merri], por me ndryshimin se poeti popull e përjetësoi me vargje fundin e kolonelit duke identifikuar edhe vendin se ku ishte ky fund.

Kalibaq, o zall i bardhë,

U vra konsulli mbi kalë.

Vrasja e kolonelit shënoi edhe fundin e aventurës së armikut,. Lufta e Gjormit përfundoi, në pasditen e datës 2 janar 1943 dhe atë e fitoi populli i Vlorës. Armiku pësoi dëme të rënda që shkonin mbi 80 të vrarë, mbi 160 të plagosur, 80 vetë të zënë rob, si dhe shumë material luftarak. Përveç kolonel Klemente, u vra edhe një nga nipat e Halil Alisë dhe u plagos rëndë bashkëpunëtori më i afërt i tij Selim Kaloshi, i cili u transportua nga mercenaret dibrane dhe vdiq në fshatin e tij. Nga radhët e luftëtarëve dhanë jetën 7 vetë, 5 prej të cilëve ishin komandantët e çetave, sipas radhës së fshatrave; Bako Tafili nga Gjormi, Hano Rexhepi nga Lepenica, Bajram Xhebro nga Brataj, Beqir Selimi nga Terbaçi, Qamil Asllani nga Vranishti, si dhe 2 vullnetarë nga Smokthina, Velo Hysi e Bajram Rexhepi, si dhe u plagosën 14 të tjerë. I tmerruar nga disfata e pësuar Halil Alia në mbrëmjen e datës 5-6 janar 1943 vrau në Vlorë në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit Qazim Koçulin, si dhe prefektin Lele Koçi, duke iu faturuar atyre përgjegjësinë për shkaqet e disfatës si dhe duke vulosur plotësisht karakterin e tij gjakatar, si një barbar që nuk i njeh kufijtë e arsyes, edhe atëherë kur larja e hesapeve bëhet brenda llojit. Vrasja e 2 zyrtarëve të lartë shënoi edhe fundin e qeverisë së Mustafa Krujës, e cila dha dorëheqjen, e pa aftë të çonte para drejtësisë kolaboracionistin e fashizmit Halil Alinë. Këtë vrasje e konfirmoi drejtori i përgjithshëm i policisë Shyqyri Borshi me këtë njoftim: Në ora 12 të dt 5 të vazhduesit, ministri Koçuli e prefekti Koçi nga Vlora të gënjyer nga vullnetaret dibrane aty, mandej kanë qenë vrarë nga ata 2 km larg qytetit [A.Q. SH. Faqe 153 viti 1943 D.224,Faqe 6]. Ndërsa për cilësimin e Halil Alisë si kolaboracionist, vlen të theksohet konfirmimi që i bën këtij fakti historiani ultra i djathtë Uran Butka në orën 8:02 të datës 17-09-2016 ku thotë shprehimisht: Në betejën e Gjormit, në kuadrin e një operacioni spastrimi, merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë e Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja [nr 107/5 dt 17-12-1943]. Për ironi të fatit njeriu që i shkaktoi popullit të Vlorës tmerre të pa dëgjuara, jo vetëm që nuk konsiderohet si bashkëpunëtor i fashizmit, por edhe nderohet e vlerësohet me tituj e dekorata. Vetëm 10 km larg qendrës së Tiranës, në Bashkinë e Kamzës, ku është kryetar Bashkie Xhelal Mziu, një nga figurat më kontraverse të politikës shqiptare të këtyre 28 vjetëve, një rrugë e këtij qyteti mban pa asnjë lloj motivi emrin “Halil Alia”. Ish-komuna Fushë Çidhën, vendlindja e Halil Alisë e ka shpallur atë Qytetar Nderi. Ndërsa në qytetin e Peshkopisë është ngritur statuja e tij. Në të gjithë Evropën bashkëpunëtorët e fashizmit janë ndëshkuar, pavarësisht të kaluarës së tyre të mëparshme. Mjafton të cilësojmë këtu rastin e Marshallit Peten, Heroi i Luftës së Parë Botërore. Franca nuk i mori parasysh meritat e tij, por e dënoi atë me vdekje, e cila për shkak të moshës, iu kthye me dënim të përjetshëm, vdiq më 23 korrik 1951, në moshën 95 vjeçare. Të njëjtin fat patën edhe ish-k/ministrat: i Francës Pier Laval, i Norvegjisë Vidkum Kuisling, i Holandës Anton Muserti etj. Vetëm Franca dënoi me vdekje gjatë Luftës 6000 kolaboracionistë dhe mbas lufte 4000 të tjerë. Ndërsa në Shqipëri asnjë prej tyre nuk është cilësuar kolaboracionist, pavarësisht se bëmat e tyre sot janë kthyer në barsoleta. Halil Alia u ekzekutua në Tiranë, më 1944, nga Maksut Kalemi nga Koçuli, i cili deklaroi se e bëri këtë veprim në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qazim Koçulit. Për Qazim Koçulin dhe Lele Koçin, shkrimtari i njohur Naum Prifti shkruan se janë shpallur dëshmorë të LNÇL. Por e vërteta për të cilën flet shkrimtari i nderuar është pak më ndryshe. Në dhjetor 1946 është bërë një propozim nga 3 figura të njohura të Luftës Nacional Çlirimtare; Hasan Pulo, Shemsi Totozani dhe Pupo Shyti, por komisioni i vlerësimit të dëshmorëve të Luftës nuk e mori në konsideratë një propozim të tillë.

Pavarësisht kalimit të viteve dhe pluhurit që përpiqet propaganda e djathtë ta mbulojë këtë epope të lavdishme, jehona e Luftës së Gjormit nuk e ka humbur dhe nuk do ta humbasë kurrë aktualitetin e saj. Populli i ruan në memorien e tij historike ato ditë të lavdishme dhe emrat e heronjve që i dhanë asaj pavdekësinë. Rapsodi i shquar i fshatit tonë, Xhebro Gjika i thuri me pasion vargjet e këngës aq të njohur që këndohet në çdo vatër, në momente gëzimi, festive, dasma e ceremoni të tjera.

Kush është vrarë i pari,

Hajredin Nurua në Vlorë.

I dyti Beqir Selimi,

Vrarë në luftën në Gjorm.

Për hir të së vërtetës rreshti i 4 në variantin fillestar ka tingëlluar ndryshe, por tërbeçiotët, si popull fisnik e tolerant e kanë ndryshuar atë, duke lënë pas fantazmat e të kaluarës dhe pavarësisht se falin, por ata kurrë nuk harrojnë. Kur ishim nxënës shkolle, dëgjonim shpesh të këndohej kënga; “Të kërkon Delo Balili o Bakooo birbilooo”Të them të drejtën unë e dija kush ishte Delo Balili, por Bakon e identifikoja me një personazh tjetër të njohur të Luftës. Shumë vite më vonë kur u emërova në Korçë, pyeta një shokun tim nga Gjormi, nëse kjo këngë i kushtohej komandantit tonë të korpusit B. D.

Shoku që e dinte mirë këngën ma recitoi ;

Të kërkon Delo Balili,

Lule o Bako Tafili,

Të daltë lart nga ShënMërtiri ‘

Ku u vra Beqir Selimi

O BAKOOO, BIRBILOO.