3 vite nga reforma në drejtësi, ku jemi..?Nga Eglantina Alliaj

3 vite nga reforma në drejtësi, ku jemi..?Nga Eglantina Alliaj

922
0

Nga Eglantina Alliaj

 Teksa mbushen tre vite nga miratimi i reformës në drejtësi në vitin 2016 me një konsesus të plotë nga parlamenti, bilanci i këtij projekti kushteutes është një realitet i prekshëm, ku frytet e para të së cilës janë të vlerësuara pozitivisht në mjedisin shoqëror, vendas dhe ndërkombëtar. Po ku jemi me ngritjen e organeve të reja të këtij sistemi, apo dhe me reformimin e institucioneve aktuale..?. Nëse ngritja e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit presin, ndryshe qëndron çështja kur vjen puna tek Gjykata Kushtetuese apo Gjykata e Lartë, institucione që kanë për të shqyrtuar me qindra dosje të qytetarëve shqiptarë, por jo vetëm.

 

Kur do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese..?

 

Institucioni më i lartë gjyqësor në vend kishte nëntë anëtarë në fillim të reformës në drejtësi, ndërsa dorëheqjet, tërheqjet nga detyra dhe vetingu e reduktuan atë në dy, ndërkohë që zëvendësimi i vakancave është në varësi të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një institucion që aktualisht ka problemet e veta me vakancat. Për Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, me shkarkimin e Fatos Lulos, Gjykata Kushtetuese del jashtë funksionit. Në deklaratat publike juristi Sadushi bën apel që anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të kalojë sa më parë në veting dhe më pas të zgjidhen kandidatët e Gjykatës Kushtetuese. Tek mungesa e vetingut për këshillin, juristi Sadushi sheh pengesën kryesore për zgjidhjen e kolapsit në Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese nuk shkrihet, kjo e bën më emergjente veprimtarinë e organeve të rivlerësimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që të kalojë me përparësi anëtarët e Këshillit të Emërimit në Drejtësi me qëllim që ky organ të funksionojë”,- deklaroi Sadushi. Ndërsa gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pasi rregullohet me ligj. Nëse 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do t’i kalonin Vettingut atëherë vakancat në Gjykatën Kushtetuese do të plotësoheshin ndërsa në kushtet aktuale një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

 Si mund të zgjidhet ngërçi!

Gjykata Kushtetuese tashmë ka hyrë në krizën më të paprecedentë që prej krijimit të saj pas vitit 1990. Tashmë rrezikon që roja e ligjit më të lartë në vend të bjerë. Pas shkarkimit të Fatos Lulos dhe dorëheqjes më herët të Besnik Ymerajt, Gjykata Kushtetuese ka mbetur vetëm me pesë anëtarë. Për kreun e kësaj gjykate, Bashkim Dedja, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon më në disa aspekte të saj që janë vendimet e seancës plenare dhe vendimet e mbledhjes së gjyqtarëve. mos funksionim në seancë plenare do të thotë se gjyqtarët kushtetues nuk mund të dalin më në seancë për të zhvilluar këto procese sipas këtij kalendari të paralajmëruar. Bashkim Dedja ka përsëritur të njëjtin apel për zëvendësimin e vendeve vakante. “Tashmë Gjykata Kushtetuese nuk formon më dot kuorumin me gjashtë anëtarë, e vetmja gjë që mund të them është të përshpejtohen procedurat për zëvendësimin e vendeve vakante”, tha ai. Edhe më herët gjatë intervistave në kohë të ndryshme Bashkim Dedja ka deklaruar: “Gjykata Kushtetuese në këto kushte nuk po ju hyn çështjeve që në thelb rrezikojmë të na çojnë në Strasubrg”, ka thënë Dedja më 25 janar 2018.

 

Gjykata e Lartë

Në një situatë normale dhe bindjeje ndaj ligjit, Gjykata e Lartë duhet të kishte 19 anëtarë. Por tashmë janë 6 anëtarë, prej të cilëve kanë fituar 3 anëtarë garën e vetting-ut dhe tre të tjerë presin.

 

Në mes të asgjësë ka mbetur edhe lutja e Nënë Terezës drejtuar gjyqtarëve për të dëgjuar e thënë të vërtetën sepse ata që kaluan vetting-un do t’u duhet të mblidhen në dhomat e këshillimit për të vendosur për çështje emergjente si masat e sigurimit apo urdhrat e ekzekutimit. Tre të tjerët që po presin kanë përpara sfidën e vetting-ut. Por e gjitha kjo përkthehet në një situatë ku stoku i dosjeve dhe i qytetarëve në Gjykatën e Lartë shtohet përditë. Brenda një muaji, fluksi është rritur në 26 500 çështje të pashqyrtuara ende. Por, edhe vjeshta do të jetë akoma më e vështirë për ata që do të kërkojnë drejtësi. Sepse plotësimi i këtyre karrigeve do të vijë vetëm pasi drejtësia të ketë qeverinë e saj, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Për Xhezair Zaganjorin puna e Gjykatës së Lartë ka mbetur në vend, për shkak të procesit të vettingut. Zaganjori bëri me dije se janë mijëra dosje janë në pritje në këtë gjykatë. Ai nënvizoi faktin se iu ka dhënë urdhër gjyqtarëve që të merren më së paku me dosjet urgjente, me masat e sigurisë apo ekstradimet, të cilat janë edhe çështje më bazike “Duhet që të vihet në funksion gjykata, që të trajtohen së paku çështjet urgjente. Ne po merremi me ruajtjen dhe administrimin e dosjeve. Të gjithë gjyqtarët i kam përgatitur që të trajtojnë tema urgjente.

Nga ana tjetër ish ministry I brendshëm Fatmir Xhafa do të shorehej në një referatet e tij se “Harrojnë që deri dje që Gjykata e Lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijëra çështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijëra dosje në pritje dhe me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqësorit. Sigurisht më mirë një vit vonesë se sa një drejtësi e blerë dhe e shitur si mall nën pushtetin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë apo krimit. Ndërkohë që deri dje gjykata kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe çdo institucion i sistemit dhe vet karriera e gjyqtarëve e prokurorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i pushtetit të radhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton që qëndrueshmëria, karriera dhe promovimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe pushtetin, po me vlerat dhe integritetin”.

 

Gati ngritja e SPAK/ Ibrahimi: Kandidatët në fazat finale të vettingut

Pesë prokurorë kanë kaluar të dyja fazat e vetting dhe janë gati për tu emëruar në SPAK. Në mbledhjen e KLP-s kreu i saj, Genti Ibrahimi u shpreh se ngritja e SPAK është një ndër sfidat e KLP-s dhe ata s’kanë asnjë pengesë të nisin emërimet. Prokuroria e cila do të luftojë krimin e organizua rdhe korrupsionin, njohur si SPAK brënda pak javësh do të jetë gati dhe me më pask se sa 15 prokuror që ka caktuar KLP. Sipas kreut të KLP Genti Ibrahimi, tashmë 5 prokurorët e parë të SPAK janë gati. “Nga 15 kandidatë, 10 prej tyre janë në fazat finale të vettingut. Sot prokurorët e krimeve kanë ngarkesë. Ne presim nga SPAK qasje proaktive të hetimi. Jemi në fazën e finalizimit në garën për prokuror të përgjithshëm. KLP e presin sfida të rëndësishme për të vendosur në shina procedurat për ngritjen në detyrë”, tha ndër të tjera Ibrahimi. Një tjetër sfidë që pret KLP në këtë session të ri është edhe përzgjedhja e emrit të kryeprokurorit të përgjithshëm.

 

Institucionet e reja

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët do të zgjidhen 3 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Gjashtë anëtarë do t’i përkasin radhëve të gjyqësorit dhe 5 të tjerë do të jenë juristë, të cilët do të zgjidhen me 3/5 e votave në Kuvend.

 

Gjykata Kushtetuese

Do të ketë 9 anëtarë me mandat 9-vjeçar. Tre anëtarë zgjidhen nga presidenti, tre votohen në Kuvend me 3/5 e votave dhe 3 anëtarë të tjerë nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative. Anëtarët e GJK vazhdojnë mandatin e tyre pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Gjykata e Lartë

Do të bëhet pjesë e pushtetit gjyqësor. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, sipas propozimeve të KLGJ. Anëtarët aktualë do të vazhdojnë të kryejnë detyrën sipas mandatit të mëparshëm.

Gjykata e Lartë Administrative

Krijohet në datën 01.01.2020. Emërimet në Gjykatën e Lartë Administrative duhet të garantojnë përtëritjen e pjesshme të saj.

 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Do të ketë 11 anëtarë, 6 nga korpusi i prokurorëve dhe 5 nga ai i juristëve. Këshilli i Lartë i Prokurorisë i propozon Kuvendit tre kandidatura për prokuror të Përgjithshëm. Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

Prokurori i Përgjithshëm

Prokurori i Përgjithshëm emërohet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit mes 3 kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ai emërohet brenda 2 muajsh pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe jo më larg se data e përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë.

 

Struktura Antikorrupsion

Ngrihet brenda 2 muajsh pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar përbëhet nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Gjykata e Posaçme e Apelit, Zyra e Prokurorisë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë mbi këtë strukturë.

 

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi

Kryen verifikimin e kandidatëve jo-gjyqtarë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

 

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë

Fillon funksionimin 3 muaj pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Përbëhet nga 5 anëtarë; 3 nga radhët e gjyqësorit dhe 2 nga radhët e prokurorisë.

 

Tribunali Disiplinor i Drejtësisë

Vendos mbi masat disiplinore për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarët e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.