Deklaratë e Drejtoreshës së UN Women, Phumzile Mlambo-Ngcuka, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas
2020 është vit i madh për barazinë gjinore. Frytet e barazisë gjinore nuk i vjelin vetëm gratë dhe vajzat, por kushdo, jeta e të cilit do të ndryshojë nga një botë më e drejtë, ku askush nuk mbetet pas. Është viti, kryefjala e të cilit është “Brezi i Barazisë”. Nën drejtimin e shoqërisë civile, po mobilizohemi për të realizuar të drejtat e grave dhe për të shënuar 25-vjetorin e zbatimit të Platformës për Veprim të Pekinit.
Po i aftësojmë gratë për të ndikuar te vendimmarrja lidhur me të ardhmen e tyre. Brezi i Barazisë i trajton çështjet e grave të të gjithë brezave, duke filluar nga vitet më të hershme deri tek ato të mëvonshmet, duke pasur në qendër të rejat dhe vajzat e vogla.
Aktualisht, nuk jetojmë në një botë të barabartë, dhe gratë janë të inatosura e të shqetësuara për të ardhmen, si dhe i presin ndryshimet me padurim. Padurimi i tyre i ka rrënjët e thella dhe ekziston prej vitesh.
Megjithatë, janë bërë edhe ndryshime pozitive për të cilat duhet të festojmë. Për shembull, që prej vitit 2000, ka pasur një rënie prej 35% të numrit të vdekjeve amësore. 131 vende kanë realizuar reforma ligjore për mbështetjen e barazisë gjinore dhe adresimin e diskriminimit. Njëzet e pesë vjet më parë, diskriminimi i grave ishte i ligjësuar në shumë vende. Sot, më shumë se tre e katërta e vendeve kanë miratuar ligje kundër dhunës në familje. Krahas kësaj, sot numri i vajzave që ndjekin shkollën është më i lartë se kurrë, dhe në nivelin botëror, arsimi i lartë frekuentohet më tepër nga gratë sesa nga burrat.
Megjithatë, pavarësisht kësaj ecurie, asnjë vend nuk e ka arritur barazinë gjinore. Nuk e kemi bërë ende më të mirën tonë. Vendet ende përballen me sfida, shumica prej të cilave janë të kapërcyeshme.
Ndërkaq, vajzat nuk e fshehin zhgënjimin e tyre nga mënyra se si po udhëhiqet planeti ynë, nga dhuna e vazhdueshme ndaj tyre, dhe nga hapi i ngadaltë drejt ndryshimit të çështjeve thelbësore, si arsimi. Për shembull, pavarësisht rritjes së nivelit të regjistrimit në shkollë, sot 1 në 10 vajza të reja nuk dinë as të shkruajnë as të lexojnë. Kjo situatë duhet të ndryshojë në mënyrë që vajzat ta ushtrojnë plotësisht fuqinë e tyre, ta gëzojnë vendin e tyre në botë, dhe të luajnë rol jetik në teknologji dhe novacion.
Një tjetër shkak thelbësor i padurimit tonë është mungesa e grave në tryezat vendimmarrëse. Tre e katërta e parlamentarëve në botë janë burra. Një zgjidhje e provuar është parashikimi i kuotave detyruese ligjore për përfaqësimin e grave. Thuajse 80 vende e kanë arritur këtë objektiv me sukses, dhe disa shtete kanë formuar kabinete me ekuilibër gjinor, si dhe kanë hartuar politika që janë shprehimisht feministe. Kjo është një prirje e dëshirueshme që duhet parë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, ku përqindja e përgjithshme e grave në pozicione menaxheriale mbetet rreth 27 për qind, pavarësisht rritjes së numrit të grave që diplomohen në universitet.
E njëjta gjë vlen për gratë në tryezat e paqes, ku shumica dërrmuese e negociuesve dhe nënshkruesve janë burra. Është i dukshëm fakti që përfshirja e grave shpie drejt marrëveshjeve afatgjata për paqen, por ato vazhdojnë të margjinalizohen. Ndonëse vazhdojnë të përballen me persekutimin, grupet e grave dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë të gatshëm të punojnë më fort. Ndaj, kërkojnë me dëshpërim rritjen e sigurisë, të financimit dhe të burimeve.
Shqetësimi im më i madh mbetet pabarazia ekonomike e pandryshueshme. Krahasuar me djemtë dhe burrat, grave dhe vajzave iu nevojitet trefishi i kohës dhe energjisë për t’u kujdesur për shtëpinë. Për këtë, ato flijojnë mundësitë e barabarta në arsim, në tregun e punës dhe në pushtet. Ky është një faktor nxitës i varfërisë së vazhdueshme. Vajzat e reja që kujdesen për familjet kanë 25% më shumë të ngjarë që të jetojnë në varfëri të skajshme në krahasim me burrat, çka prek miliona fëmijë të vegjël dhe ka efekte afatgjata në jetën e nënës dhe fëmijës. Zgjidhja përfshin politika të mira, që promovojnë barazi më të lartë në përgjegjësitë për kujdesin ndaj fëmijës dhe iu ofrojnë mbështetje shtetërore familjeve dhe punonjësve në ekonominë joformale.
Ndaj, pavarësisht padurimit tonë, ne nuk dorëzohemi dhe shpresa nuk shuhet. Po përfitojmë çdo ditë e më shumë mbështetje nga aleatët dhe partnerët tanë, që janë të gatshëm t’i shembin barrierat ndaj barazisë gjinore. Vullnetin nxitës për ndryshim e vërejmë te të gjithë brezat dhe vendet. Po evidentojmë çështjet që na bashkojnë dhe ofrojnë mundësi për ta çrregulluar statuskuonë. Mësimet e nxjerra gjatë 25 viteve të fundit na kanë treguar se çfarë duhet të bëjmë për të përshpejtuar hapat drejt barazisë. Njëra nga përgjigjjet është Brezi i Barazisë, pjesë e të cilit jemi të gjithë ne.