1 Dhjetor 2021! Studentët i telendisin me orë të tëra në radhë...

1 Dhjetor 2021! Studentët i telendisin me orë të tëra në radhë për një abone: Dy ditë që presim, për 900 lekë, po humbasim edhe leksionet

413
0

Është data 1 Dhjetor e vitit 2021, dhe studentët në Tiranë presin me orë të tëra në radhë që të marrin abone me një çmim më të ulët se ai prej 16 mijë lekësh të vjetra, që janë abonetë e përgjithshme.

Fax News, ka qenë sot në pikën e vetme të shitjes së aboneve të studentëve, në zonën e 9-katësheve në Tiranë, ku dhjetra studentë shprehen se qëndrojnë në radhë që prej orës 07:00 të mëngjesit, ndërkohë që temperaturat e ulëta kanë përfshirë vendin tonë prej disa ditësh.

Shumë prej tyre rrezikojnë që të humbasin orët e mësimit, ndërsa tregojnë për Fax News, se e njëjta situatë ka qenë e pranishme dhe gjatë ditës së djeshme, ku kanë pritur deri në 4 orë dhe sërish nuk kanë marrë abone.

Shkak për këtë pritje të gjatë bëhet fakti se ka vetëm 3 kioska ku shiten abone studenti, ndërkohë që numri i kërkesave është shumë më i lartë, përfshirë dhe rreullat që abonetë të shoqërohen me kartën e studentit dhe me fotografi.

Është një diferencë që do të dukej qesharake për xhepat e rrogëtarëve dhe pushtetarëve në vendin tonë, 9 mijë lekë, por që për studentët dhe familjet e tyre do të thotë shumë.

Në mesin e personave që presin në radhë, ka edhe prindër, të cilët kanë zgjedhur që të vetësaktifikohen, në mënyrë që fëmijët e tyre të mos humbasin sot ditën e mësimit.

“Dje kisha 4 orë që prisja, sot kam 2 orë, dhe nuk e di nëse do të mund që të arrij orën e leksionit. Nga ora 3 e gjysëm deri në 7 kam qëndruar këtu dhe nuk e kam marrë abonenë, pasi na thanë që në atë orë sistemi mbyllej. Është vetëm një vajzë e cila punon në pikën e shitjes”, u shpreh një prej studentëve.

“Kemi që në 7 të mëngjesit që presim në radhë”, tregon një tjetër, që nuk e fsheh pakënaqësinë për këtë situatë që përsëritet dhe përsëritet çdo muaj në vendin tonë, pa dhënë një zgjidhje afatgjatë.

“Duhet të ishte më mirë që të shpërndaheshin në fakultete, janë vetëm 3 pika në të gjithë këtë qytet, jemi këtu po ngjeshemi, është vetëm kjo pikë në të gjithë qendrën që japin abone studenti”, shprehet një tjetër studente.

Transporti publik mbetet një gangrenë në vendin tonë, e veçanërisht në Tiranë, ku fluski i lëvizjes së qytetarëve është shumë i lartë. Mjete të tejmbushura, radhë të gjata në stacion, dhe orë të çuara dëm janë ato që të vijnë ndërmend kur kujton një udhëtim me urban në Tiranë.