Vizioni Juaj Informativ

E vishni çdo ditë, por e lani shumë pak, rrobat e zakonshme që mbartin mijëra mikrobe

Pandemia na ka kujtuar në mënyrën më të qartë se sa i rëndësishëm është roli i higjienës në ruajtjen e shëndetit tonë. Megjithatë, në jetën tonë të përditshme, shpesh neglizhojmë pastrimin e rrobave të caktuara që i veshim pothuajse çdo ditë. Veshjet e jashtme dimërore—si xhaketat, palltot, shallet dhe dorezat—na mbrojnë nga të ftohtit, por në të njëjtën kohë, ato mund të bëhen vatra mikrobesh. Kur dalim jashtë, biem në kontakt me mikroorganizma, baktere dhe viruse, të cilat ngjiten lehtësisht në sipërfaqet e rrobave tona. Edhe pse shumica prej nesh jemi mësuar të heqim palltot sapo kthehemi në shtëpi, kjo nuk mjafton për të larguar mikrobet që janë grumbulluar. Mikrobiologu Charles Gerba, profesor në Universitetin e Arizonës, i tha New York Post se dorezat mund të jenë një vend serioz për shumimin e mikrobeve – veçanërisht kur përdoren në hapësira publike të mbyllura, siç janë metrotë ose autobusët, ku ka mbipopullim dhe ventilim të dobët. Baret, karriget dhe parmakët në transportin publik janë sipërfaqe të përbashkëta me një ngarkesë të lartë mikrobike. Kur prekim një sipërfaqe të tillë dhe pastaj fytyrën tonë ne rrezikojmë infeksionin.