Zjarrëfikësi italian rrëfen eksperiencen e tij “Ka ende shpresë për njerëzit nën...

Zjarrëfikësi italian rrëfen eksperiencen e tij “Ka ende shpresë për njerëzit nën rrënoja, deri në 72 orë”

354
0

 

Kanë kaluar gati 36 orë nga tërmeti i mëngjesit të djeshëm në orën 3:54 dhe ende ka njerëz nën rrënoja në Thumanë e Durrës.  Më shumë se 40 njerëz janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat dhe grupe shpëtimi , zjarrëfikës, forca speciale e mjekë kanë ardhur nga Italia, Greqia dhe Romania për të dhënë ndihmë të specializuar.

Operacionet e kërkim shpëtimit të personave të  bllokuar poshtë rrënojave që la pas tërmeti po vazhdojnë e një nga efektivët e trupave të ardhura nga Italia ka deklaruar se po punohet ende për të shpëtuar njerëzit në banesën e familjes Lala, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga tërmeti.

Në një prononcim për A2 CNN ai tha se ka ende shpresa pasi në Itali ata kanë arritur të nxjerrin trupa të gjallë edhe pas 72 orëve.

“Jemi 160 zjarrfikës italianë, të specializuar në kërkimin poshtë rrënojave. Do të vijnë edhe të tjerë. Ka ende kohë, në Akuila kemi shpëtuar njerëz që kishin 72 orë nën rrënoja. Gjithmonë punojmë me objektivin për të shpëtuar njerëz”, deklaroi zjarrfikësi italian.

Sipas tij, operacioni është i vështirë pasi “shtëpia është shembur e gjitha dhe të katër katet kanë përfunduar sipër njëri-tjetrit”.

Duhet pasur shumë kujdes kur gërmon nga njëri kat në tjetrin për të mos dëmtuar njerëzit që janë bllokuar poshtë.