Zhdekretimi i 30 qershorit, vendimi i duhur “ekstrakushtetues”

Zhdekretimi i 30 qershorit, vendimi i duhur “ekstrakushtetues”

344
0

Do të dilte një forcë institucionale, faktor ose aktor, vendas ose ndërkombëtar, që më së paku do të mundohej të ndalte absurditetin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ku të gjitha bashkitë e vendit po projektoheshin vetëm me një ngjyrë, atë të Partisë Socialiste. Në këtë kuptim, zhdekretimi i zgjedhjeve të 30 qershorit, nga ana e Presidentit të Republikës, ishte një akt i pritshëm.

E kundërta do të ishte absurde. Nëse Presidenti i Republikës, duke parë situatën politiko-kushtetuese që po kalon vendi, nuk do të ndërmerrte asnjë veprim, atëherë indiferenca e tij do të ishte e pafalshme. Kështu që, anulimi i datës së zgjedhjeve, sepse të kuptohemi, askush nuk po u heq të drejtën qytetarëve shqiptarë për të votuar, thjesht është duke u diskutuar një datë tjetër për hir të situatës ku ndodhemi, është thjesht një ftesë e detyrueshme nga e ana e Presidentit të Republikës për reflektim për të gjithë faktorët politikë në vend. Deri më tani është një tentativë, sepse askush se di si do të vazhdojë kjo histori deri në fund. Një tentativë, të cilën duke parë pozicionin që ka Presidenti, që ndër të tjera për momentin është i vetmi organ kushtetues që mund të kontrollojë disi pushtetin e mazhorancës, nuk mund të rrinte pa e ndërmarrë.

Në momentin kur një vend është pa Gjykatë Kushtetuese, është vështirë të flasësh për një rend kushtetues, pasi s’ka kush e mbron atë. Në këtë aspekt, debati për kushtetutshmërinë e zhdekretimit të zgjedhjeve, është një debat që të gjithë mund ta bëjmë, por fakti që nuk ekziston Gjykata Kushtetuese, ky debat nuk ka asnjë përfundim. Të gjithë ekspertët, institucionet apo faktorë të ndryshëm kanë interpretimet e tyre për kushtetutshmërinë e një akti të tillë. Por, vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta thotë fjalën e fundit për këtë gjë. Duke qenë se nuk e kemi, atëherë, kushtetutshmëria ose jo e këtij akti do të mbetet vetëm në nivel diskutimi dhe asgjë më tepër.

Për shembull, kush mund ta dijë se gati për një vit me radhë që mungon Gjykata Kushtetuese, ligjet që ka aprovuar Parlamenti gjatë kësaj kohe janë kushtetuese ose jo?!!

Për këtë arsye, zhdekretimi i zgjedhjeve nuk mund të jetë as kushtetues dhe as antikushtetues, por ekstrakushtetues, ashtu sikurse është i gjithë rendi politik në këto momente në Shqipëri, pa Gjykatë Kushtetuese, me një Parlament jo me numrin e deputetëve të përcaktuar në Kushtetutë, apo pa Gjykatë të Lartë.

Prandaj, debati në këtë rast është vetëm një. Në këto kushte, anulimi i datës së zgjedhjeve është gjëja e duhur apo jo? Është në interes të Shqipërisë apo jo?

Për tri arsye kryesore po!

  • E para, problemi i Shqipërisë në këto momente nuk është aspak 30 qershori. Anulimi i 30 qershorit nuk është shkaku i problemeve të Shqipërisë, por vetëm pasoja e tyre. Edhe pse i gjithë debati fokusohet mbi 30 qershorin, problemi i Shqipërisë është bllokimi i saj në të gjitha aspektet. Një vend me gjysmën e shqiptarëve që janë duke protestuar, pa gjykatë kushtetuese, me një parlament i diskutueshëm nga legjitimiteti i tij, sigurisht që zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor ose në një datë tjetër, duhet ta ketë shqetësimin më të vogël. Prandaj, zhdekretimi i kësaj date duhet të shërbejë si një mundësi për të adresuar të gjitha problemet e lartpërmendura dhe të gjejë një zgjidhje për to.
  • E dyta, në momentin kur, me të gjitha gjasat, Prokuroria shqiptare nuk siguron dot liritë politike të shqiptarëve, atëherë zgjidhja e vetme mbetet vetëm politike. Nëse prokuroria do të bënte punën e saj ashtu sikurse e ka detyrë, Shqipëria nuk do të gjendej sot në këtë krizë që po kalon. Është absurde të mendosh që për çështjen më të ndjeshme të shqiptarëve, dhe për kauzën e opozitës për votën e lirë, për të cilën ndërmori aktin për djegien e mandateve nuk ka asnjë hetim. Më së paku, pretendimet e opozitës duhet të merreshin parasysh, sepse të gjitha indiciet ekzistojnë për të bërë hetime në këtë drejtim. Dhe hetimi për votën e lirë, duhej të ishte prioritet kombëtar.
  • E treta, çdo akt presidencial ose jo, kushtetues ose jo, i shërben më mirë demokracisë, sesa qeverisja e bashkive të Shqipërisë nga një forcë e vetme politike. Imagjinoni një moment ku pushteti lokal e pushteti qendror do të qeverisej vetëm nga një forcë politike, madje nga një person i vetëm.

Kështu që, zhdekretimi i një date për zgjedhjet lokale, nuk është drama e Shqipërisë. Drama e saj është vazhdimësia në këto kushte politiko-kushtetuese që gjendemi sot. Prandaj, le të shërbejë ky moment për një rifillim të ri të demokracisë shqiptare dhe interesit publik, ku gara e ndershme dhe garantimi i votës së lirë të jetë kryefjalë e çdo nisme që do të vijë në ditën në vazhdim