Zgjedhjet parlamentare, Shqipëria voton

Zgjedhjet parlamentare, Shqipëria voton

417
0

Në Shqipëri ka nisur sot procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare. Në nisje të tij nuk janë hasur problem serioze. Kryetari i komisionit Qëndror të Zgjedhjeve i cili votoi në hapje të votimit u shpreh se “KQZ në një kohë rekord, brenda ligjit, ka bërë gati përgatitjen e zgjedhjeve që sot shqiptarët të votojnë të lirë e sipas vullnetit të tyre. U bëj thirrje të dalin masivisht në votime, pasi kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e tyre. Kështu funksionon demokracia dhe shpresoj që gjithcka të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe transparente”. Mbi 3 milion e 450 mijë shqiptarë janë thirrur të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet parlamentare të radhës, pjesëmarrja në të cilat si zakonisht, kushtëzohet fort nga numri i lartë i emigrantëve që e kanë të pamundur të jenë pjesë e procesit. Në të gjithë vendin do të funksionojnë 5362 qendra votimi. Në përfundim të procesit kutitë do të numërohen pranë 90 Komisioneve zonale. Në garë marrin pjesë 18 forca politike, të cilat konkurrojnë me vete, dhe jo përmes koalicioneve. Partitë kryesore janë ato që kanë patur të drejtën dhe të emërimeve të 720 komisionerëve zonal dhe rreth 37 mijë të tjerëve që do të jenë në qendrat e votimit. “Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve varet tërësisht nga sjellja e aktorëve në process, ndaj presioni mbi zgjedhësit, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe çdo mënyrë sjelljeje që pengon votuesit në shprehjen e lirë të vullnetit, është dhunim i Kodit Zgjedhor dhe sjell pasoja të rënda ligjore, deri në dënime të rënda penale”, u shpreh një ditë më parë kryetari i KQZ-ës. Zoti Zguri, i kërkoi institucioneve ligjzbatuese t’i kushtojnë vëmendje të posaçme parandalimit dhe pengimit të incidenteve, si dhe kapjen e ndëshkimin e dhunuesve të ligjit. MBi 7 mijë forca policore do të angazhohen për të garantuar procesin zgjedhor, ndërsa në të gjitha prokuroritë e rretheve janë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë. Zgjedhjet e sotme do të ndiqen nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Misioni ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, nga të cilët 255 vëzhguesë afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga Asambleja parlamentare e Këshillit te Europës, dhe 11 nga parlamenti europian.