Zgjedhjet marrin flakë

Zgjedhjet marrin flakë

431
0

Incidentet në disa bashki të djathta tregojnë se fitili i 30 qershorit tashmë është ndezur. Konfrontime mes policisë bashkiake e asaj të shtetit, demonstrim force mes pushtetit vendor e atij qendror, qytetarë të shoqëruar në komisariate dhe një shkollë në flakë…

A do të vijojë kryeministri Rama fushatën, ndërsa incidentet me mbështetësit e opozitës rrezikojnë të përshkallëzohen? A do të ketë pengim të precedentit, edhe me koston që vendi të digjet?

Suadela Balliu

Gjuhët e flakës që ndiznin qiellin mbrëmësor të Shkodrës, duke përpirë godinën e populluar deri para pak ditëve nga nxënës pikturuan tablonë e asaj ç’ka rezervon 30 qershori.

E kishte profetizuar pak muaj më parë ish-kryeministri Berisha, se nëse shkohet në zgjedhje pa opozitën, përplasjet civile do të jenë të pashmangshme. Ajo që u paratha se do të ishte betejë “jetë a vdekje” e opozitës ka nisur të materializohet.

Kryengritësit fitimtarë të Tropojës, i cilësoi ish-kryeministri Berisha qytetarët në Bajram Curri, që mëngjesin e djeshëm mësynë  në KZAZ, thyen  derën e Pallatit të Kulturës, për të hequr prej aty materialet zgjedhore.

Kryetarët e bashkive të PD-së dhe LSI-së nxjerrin shkresa për lirimin e mjediseve të zëna nga KZAZ-të duke respektuar kështu dekretin në fuqi të presidentit Meta, policia bashkiake përplaset me drejtuesit e komisioneve zonale, policia e shtetit përplaset me ta dhe me qytetarët mbështetës të opozitës me thirrje “Rama ik! dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, mësyjnë në qendra votimi,  me brohoritma. “Përshëndetjet me të përzemërta kryengritësve fitimtarë të Tropojës! Ju lumtë! I dhanë përgjigje shkatërrimtare farsës se varrmihësit të pluralizmit Edvin Kristaq Mafia! Rama ik! Fitore!”, përgëzonte ish-kryeministri në profilin e tij të Facebook-ut.

Flakët e Shkodrës

Incidenti në Tropojë u përhap si rreze, madje edhe me veprime më të përshkallëzuara.  Në  mbrëmje, në Shkodrën e qeverisur nga kryebashkiakja demokrate Voltana Ademi  disa mbështetës të PD-së i vunë flakën shkollës “Shejnaze Juka” e përshtatur deri më 30 qershor si qendër votimi. Pasi zjarrvënies të godinës që deri para pak ditësh ishte e mbushur me nxënës, qytetarët u konfrontuan me policinë dhe zjarrëfikëset. Incidenti i mbrëmjes erdhi pas disa syresh në qytetin veriperëndimor, të nisura në paraditen e djeshme. Dje herët disa mbështetës të PD-së nuk lejuan çeljen e portës së Pallatit të Sportit, ku është vendosur KZAZ-ja nr.2 në Shkodër. Por aksioni nuk ishte vetëm qytetar. Policia bashkiake kishte marrë gjithashtu urdhër për t’i zbrazur mjediset. Në ndihmë të anëtarëve të KZAZ-së ishin efektivët e policisë së shtetit, duke krijuar një situatë absurdi ku uniformat e policisë përplasen me uniforma të policisë. “Turp, nuk preket polici i bashkisë, është uniformë e shtetit shqiptar, nuk ia kam dhënë unë, me kap policin me dorë është e turpshme, fakti që policia e shtetit është e armatosur është e turpshme. Nëse dikush ka marrë përsipër me pushtuar institucionin e bashkisë Shkodër me armë le ti dalë zot. Unë e kam detyrim ligjor se ma ka dhënë ligji. Nëse shkel ligjin merrni më çoni brena mua”, do të shprehej drejtori i Policisë Bashkiake Shkodër, Anton Hasanpapaj.

Më pas kryebashkiakja do të dilte në një konferencë për mediat, duke u zotuar se nuk do të lejojë që mjediset në administrim bashkiak, të përdoren për zgjedhjet lokale. Ademi ka vendosur, ashtu si edhe kolegët e saj në bashkitë e djathta, të zbatojë dekretin e presidentit Meta.  Por jo vetëm mjediset e administruara nga Bashkia. Voltana Ademi do të shprehej dje se do të bënte ç’ishte e mundur që Shkodra të mos kalonte një proces zgjedhor farsë apo siç do ta cilësonte ajo si, puç institucional të bandave të Edi Ramës. “Jam e gatshme të udhëheq të gjithë qytetarët për të mbrojtur qytetin e vet. Policia duhet të veprojë sipas ligjit, përndryshe do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për t’u përballur me gjithçka është e jashtëligjshme qofshin edhe Policë të Shtetit”, do të shprehej Ademi gjatë paradites, duke bërë të ditur se  i kishte dërguar një letër policisë së shtetit për mbështetje në aksionin e lirimit të ambienteve të KZAZ-ve.

Kryebashkiakja e Shkodrës,  do të përgënjeshtronte mbrëmë edhe lajmin e flakëve në mjediset e shkollës. Ishin djegur vetëm kartonët e vendvotimeve, sipas saj të paligjshëm, brenda godinës, që administrohet nga bashkia.

I njëjti reagim ka ardhur edhe nga bashkia Lezhë, ku përmes një letre kryebashkiaku Fran Frrokaj i ka bërë thirrje KZAZ-ve nr.12 dhe nr.13 të lirojnë mjediset e shkollës “Besëlidhja”. Frorraj bënte thirrje edhe për heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve, ndërsa do t’i dërgonte shkresë policisë së shtetit, duke i kërkuar ndihmë për lirimin e ambienteve. Policia nga ana tjetër, shtoi numrin e efektivëve për të ruajtur materialet zgjedhore.

Edhe në Berat, bashkia ka kërkuar lirimin e mjediseve në administrim të saj. Kryetari i Bashkisë  Petrit Sinaj i ka dërguar një letër KZAZ-së që të lirohen ambientet e zëna në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”, në të kundërt, bashkia do të ndërhyjë për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta. Kërsa, e njëjtë me ato të Shkodrës dhe Lezhës, përfshin edhe heqjen e heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve pranë kësaj KZAZ-je. Sinaj ka pohuar se listat do të hiqen, pasi “edhe qeveria shqiptare do ta kuptojë që në këtë rrugë pa krye që do ta fusë popullin shqiptar nuk mund të vazhdohet”. Sipas kryebashkiakut beratas nuk mund të ketë zgjedhje vetëm me një parti politike, sepse populli ka deklaruar ai, ka nevojë për qetësi. Shkresa ka vënë në gatishmëri forcat e policisë, që ruajnë mjediset dhe materialet zgjedhore.

Bashkitë e djathta

Ultimatumi i KQZ-së  ka shkuar edhe nw Vaun e Dejës, ku kryebashkiaku Zef Hila i ka kërkuar lirimin e ambienteve të KZAZ-së në mjediset e shkollës profeisonale “Ndre Mjeda” dhe heqjen listës së zgjedhësve të afishuara në qendrat e votimit, duke i lënë afat deri pasditen e sotme.  Ai urdhëron ndërprerjen e veprimtarisë zgjedhore

Edhe kryebashkiaku prej tre mandatesh i Kamzës, është mobilizuar për të liruar ambientet në varësi të bashkisë që prej ditësh janë përshtatur si qendra votimi. Vetë Mziu do të postonte  në profilin e tij në Facebook një video kur policia bashkiake dhe zëvendëskryetari i bashkisë, i kërkojnë policisë së rendit që të largohet nga KZAZ 27 dhe 28, në zonën e Paskuqanit. Mziu do të zotohej se në Kamëz, bastion i djathtë  prej së paku 12 vitesh, nuk do të kishte zgjedhje më 30 qershor. “Unë po zbatoj një ligj që ka dalë në fletore zyrtare nga i pari i shtetit. Nuk të kam ardhur si cub i Mirditës por si zyrtar. Unë kam ardhur të zbatoj dekretin e të parit të shtetit. Ligjin e kujt po zbaton?”, dëgjohej t’i thoshte kryebashkiaku i Kamzës, efektit të policisë së shtetit në debatin e ndezur mes tyre.  Një përfaqësues i bashkisë rreket t’i sqarojë efektivit se është vetëm Gjykata Kushtetuese ajo e vë në diskutim dekretin e presidentit.

Meta me shënime

Ky i fundit do të përcillte mesazhin e tij, përmes zëdhënësit Tedi Blushi duke kërkuar zbatimin me transparencë të ligjit. “Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë. Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.” thuhej në deklaratë.

Ky reagim do të vinte pas atij  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar dekretin e presidentit si inekzistent, ndërsa kërkesat e disa kryebashkiakëve në kundërshtim me ligjin.

Kryetari  i saj Klement Zguri, i cili edhe më herët nuk mori përsipër të gjykonte dekretin e presidentit, do të shprehej se distancohej nga deklarata dhe se ishte qëndrim i katër anëtarëve, por jo i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas shoqërimit  nga policia të 13 personave në Tropojë si  të dyshuar në incidentin e KZAZ-së nr.9 dhe pas flakëve në Shkodër, ministri i Brendshëm do të shprehej se asnjë dhunues nuk do t’i shpëtojë ligjit. “Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”, do të deklaronte Lleshaj. Ministri e ka cilësuar si përpjekje të turpshme të përfaqësuesve të PD për të djegur një shkollë në Shkodër, që deri dje shërbente si KZAZ-ja nr.3.

Pas ngjarjes në shkollën e Shkodrës do të reagonte edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Përmes një mesazhi në Facebook ajo dënonte aktin, duke e cilësuar të paprecedentë në tri dekada. “Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës”, shkruante Topalli, duke cilësuar se demokrati nuk djeg as mandate e as shkolla, as përdor molotovë e as ka frikë nga zgjedhjet.

Kryetari i PD-së, edhe pse do të dilte në një deklaratë për mediat, pas incidentit në shkollën e Shkodrës, do të ndalej vetëm tek shtyrja e vendimit për çeljen e negociatave me BE-në.

E ndërsa i përmendi me radhë të gjithë ata që Basha dhe opozita i ka cilësuar si autorë të masakrave  elektorale, në Durrës dhe Dibër, zgjodhi të heshtë pë të gjitha aksionet në bashkitë e qeverisura nga PD. Vetë Basha pak kohë më parë do të bënte të ditur krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, që do të angazhohej për pamundësimin e zgjedhjeve më 30 qershor, nuk ka bërë të ditur nëse aksionet e mbështetësve të opozitës dhe ato të kryebashkiakëve ishin pjesë e nismës së kësaj Aleance.

Ajo që u pa dje i kalon tentativat e disa qytetarëve për t’i bllokuar rrugën kreut të qeverisë gjatë turit të fushatës, ku disa prej krerëve të PD-së në Librazhd e Elbasan janë ende në burg. Por përshkallëzimi, që tashmë duket se ka kaluar në “spektaklin” e përplasjeve e jo më prova gjenerale, tregon se qytetarët nuk i druhen paralajmërimeve të ambasadave se ata që do të dëmtojnë procesin zgjedhor, nuk do të kualifikohen për të hyrë në ShBA apo shtetet e BE-së e as dënimin deri në pesë vjet burg, që përsërit kryeministri duke cituar Kodin Penal.

Në një postim në rrjetet sociale kryebashkiaku i Tiranës, i cili kandidon për një mandat të dytë përballë Arben Skënderit nga Bindja Demokratike , ka paralelizuar ngjarjen në Shkodër me djegien e një shkolle vajzash  nga talebanët, në Afganistan.  Edhe pse Tirana duket se ka garë në dukje me konkurrentë, në 35 bashki prej 61 që janë në të gjithë vendin, Partia Socialiste shkon e vetme. A do të vijojë kryeministri Rama me turin e tij të fushatës zgjedhore të 30 qershorit, ndërsa incidentet me mbështetësit e opozitës rrezikojnë të përshkallëzohen? A do të ketë pengim të precedentit, edhe me koston që vendi të marrë flakë?/ Gazeta Liberale

Shperndaje