Zef Brozi: Si sot 24 vjet më parë U ARRATISA në SHBA...

Zef Brozi: Si sot 24 vjet më parë U ARRATISA në SHBA për azil politik, më detyroi regjimi i Berishës; për fat të keq sot janë prapë në politikë

157
0

Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë e Shqipërisë), Zef Brozi, ka folur së fundmi për largimin e tij në SHBA me familjen dhe rrethanat që e çuan të marrë këtë vendim.

Në një postim në Facebook, Brozi thotë se regjimi i Sali Berishës e detyroi të arratisej në SHBA, ndërsa ngre akuzat se politikanët e vitit 1995 urdhëruan Parlamentin të fallsifikojë votimin për shkarkimin e tij.

Ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit shpreh keqardhje se këta persona që e detyruan të ikë janë ende në politikë, por nuk harron të falenderojë Ambasadën e SHBA dhe qeverinë amerikane për mbrojtjen dhe mbështetjen që i dhanë.

Reagimi i plotë:

Sa shpejt ikin vitet! Sot 24 vjet më parë, me 12 Nëntor 1995, unë dhe Diana,nën kujdesin dhe mbrojtjen e Qeverisë Amerikane, me dhimbje e zhgënjim, të rrezikuar nga terrorizmi shtetëror i asaj kohe, u detyruam të largohemi nga vendi ynë i dashur dhe erdhëm në Amerikë ku na u dha azil politik. Sot unë përsëri dua të falenderoj nga zemra Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë, si edhe të gjithë të afërmit dhe miqtë e mi që më qëndruan afër në ato ditë tepër të vështira dhe të rrezikuara nga tirania e pushtetit.

Ishin ata pushtetarë e politikanë vrastar e të korruptuar që urdhëruan Parlamentin të fallsifikojë edhe votimin për shkarkimin tim antikushtetues si Kryetar i Gjykatës së Kasacionit natën e pabesë të 21 Shtatorit 1995. Ishin po ata që grabitën, përgjakën dhe dogjën Shqipërinë në vitet 1996-1998 dhe që po aq pabesisht vranë protestuesit më 21 Janar 2011. Për fatin e keq të Shqipërisë disa nga ata politikanë e ish-pushtetarë edhe sot janë agresiv në politikë dhe bëjnë cmos ta lënë Shqipërinë jashtë familjes Europiane, mbase edhe ta gjakosin e shkrumbojnë si më 1997-ën.

Uroj që Reforma në Drejtësi dhe reformat e tjera të përshpejtohen dhe pushtetarët e ish pushtetarët e korruptuar e të inkriminuar të përgjigjen para drejtësisë pa zvarritje a manovra të mëtejshme. Këtë e kërkojnë qytetarët shqiptar, qeveria Amerikane dhe Bashkimi Europian.