I penduar për plagosjen e prindërve, Hajri Neziri, i riu nga Durrësi, rrëfeu ngjarjen e një viti më parë.
Destan Neziri, babai i Hajri Nezirit
Destan Neziri, babai i Hajri Nezirit
Neziri u arrestua dhe po gjykohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë nga Gjykata për Krime të Rënda dhe dje ka treguar para treshes gjykuese sherrin që kishte çuar më pas në përdorimin e një thike dhe plagosjen e babait dhe nënës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të dosjes, Behar Dibra, i riu pranoi krimin, ndërsa tha se është penduar që në momentin kur ndodhi ngjarja. Nga hetimi, por edhe dëshmia e Nezirit, sherri mes tij dhe prindërve ka ardhur pas kërkesës së tij për të ditur se sa pjesë i takonte nga shtëpia dhe faktit që kohët e fundit ai nuk ishte në punë. Gjatë dëshmisë, i riu ka treguar se është përpjekur të gjej punë dhe se nuk ka menduar ndonjëherë se do lëndonte prindërit e tij.
Hajri Neziri
Hajri Neziri
DËSHMIA E PLOTË
“Familja ime përbëhet nga prindërit dhe 7 fëmijë. Në banesë jetonim vetëm unë dhe prindërit, pasi vëllezërit dhe motrat janë me familjet e tyre. Në atë kohë, në banesën tonë ka qenë edhe bashkëjetuesja ime, E.N.. Kishim vetëm 3-4 javë që bashkëjetonim. Ne jemi njohur në vendin ku niseshim për në punë në Tiranë, unë në një fabrikë sallami, ajo në një fabrikë këpucësh. Prindërit e njohën Katerinën për 3 javë, ndërsa ne ishim të lidhur për 1 vit e gjysmë. Kishim sjellje të mirë dhe kemi shkuar mirë edhe kur u shkëputa nga puna stabël. Ndërsa puna si kamerier ishte e vështirë për t’u bërë dhe thashë që nuk mundem dot më. E kam lënë këtë punë. Pas kësaj, prindërit më thanë se duhet të gjeja punë. Prindërit më kanë këshilluar për mirë që të rregullohesha. Edhe E.N. u shkëput nga puna, më tha se nuk mund të punonte më. Asnjëherë nuk kemi pasur mosmarrëveshje, as unë dhe as bashkëjetuesja ime me prindërit. Unë prindërve i kam qëndruar afër dhe nuk do t’i lëndoja”.
UDHËTIMI
“Para ngjarjes kemi ikur në Greqi, pasi E.N. dinte greqisht. Mendova që të nisnim diçka andej, ajo të gjente një punë, më pas edhe unë. Kisha 2 muaj pa punë dhe prandaj vendosëm që të iknim në Greqi. Ne nuk kishim të ardhura, por vendosëm ta nisnim nga zeroja. Kisha njerëz në Greqi, por nuk lajmërova njeri se doja ta nisja vetë. Prindërve i kërkova një shumë parash prej 100 e ca mijë lekësh për rrugën. E.N. ishte me mua. Prindërve u thashë për planin, për të nisur diçka në Greqi.
Fillimisht kemi ndaluar në Selanik, por nuk ndenjën shumë aty. Në atë moment mendova të ktheheshim, sepse ishte e vështirë, unë nuk e kisha provuar ndonjëherë të ikja ashtu. Ne ngelëm, nuk kishim asgjë. E mendova dhe thashë se më e mira do ishte të kthehesha. I kërkova edhe vëllait disa të holla, por nuk kishte mundësi, dhe u kthyem. Prindërit nuk e pritën shumë mirë kthimin, pasi ne nuk ishim dhe aq mirë nga gjendja ekonomike”.
PUNA DHE SHERRI
Banesa e prindërve është 3- katëshe, unë jetoja në katin e parë. Arsye për atë që bëra nuk di të them, nuk ka qenë e qëllimshme nga ana ime. Unë shumë gjëra i kam marr vesh më vonë, pasi nuk i mbaj mend. Ne u hasëm me një kokëfortësi të njëri-tjetrit dhe nuk ramë dakord. Atë ditë është bërë shkak shtëpia, unë asnjëherë nuk kam pretenduar ndonjë gjë, por atë ditë nuk di si shkoi kështu. Kemi qenë në dhomën e ndenjjes, po diskutonim se unë duhet të gjeja punë. Disa fjalë të babait më rënduan shumë, ai më tha se nuk shtyhet më kështu si bëja unë. Unë nuk logjikova dhe nuk e di ç’më shtyu për të marrë thikën. Isha shumë i stresuar, nuk e dija çfarë do bëja me të, vetëm e pashë që e kisha në dorë. Kam goditur babanë me pjesën e kauçukut dhe doja të largohesha. Mami ishte te dera, nuk e mbaj mend si është goditur, sepse vetëm e tërhoqa që të largohesha.
Ke dëgjuar ndonjë të bërtitur?
Vetëm mamanë kam dëgjuar të thërriste që të ndalonim.
Cili ishte motivi që të çoi të godisje prindërit?
Nuk arrita të logjikoja drejt në atë moment.
A doli E.N. ndonjëherë në vendin ku ndodhi ngjarja?
Në momentin që doja të largohesha ka dalë E.N. nga dhoma tjetër. Ajo nuk është e përfshirë fare në këtë gjë. Pas ngjarjes, unë jam larguar dhe E.N. erdhi me mua. Të dy shkuam te vëllai im në Tiranë, ai më dërgoi në spital dhe aty pasi më kanë mjekuar mjekët, më kanë arrestuar.
Cilat ishin fjalët që të nxitën për të marrë thikën?
Babai më tha se nëse vazhdoja kështu do të dilja nga shtëpia, “do të nxjerr nga shtëpia”. Këto fjalë më rënduan shumë.
A je penduar për atë që bëre?
Unë u pendova që në momentin e parë për atë që bëra, i lutem Zotit që të kthehem sa më shpejt në shtëpi.
Plagosja dhe largimi për në Tiranë, si ndodhi ngjarja
Hajri Neziri plagosi me thikë dy prindërit e moshuar pas një debati me tone të larta për pronësinë e shtëpisë. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 14:45 të mesditës në 20 qershor të 2018-ës, në banesën e familjes në Neziri në lagjen 17 të qytetit bregdetar. Mësohet se, Destan dhe Hasie Neziri, 75 dhe 64 vjeç, kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Sulmi mësohet të ketë qenë shumë i dhunshëm, 26-vjeçari ka qëlluar gjashtë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, nënën dhe dy herë babanë: një herë në faqe dhe një herë në kokë, duke i lënë të plagosur rëndë. Në momentin e ngjarjes, në shtëpinë e familjes Neziri ndodhej edhe bashkëjetuesja e Hajriut. Pasi të moshuarit mbetën të shtrirë në tokë, të mbuluar nga gjaku, 26-vjeçari dhe e dashura e tij u arratisën për disa orë, për t’u arrestuar më pas pranë spitalit të Traumës në Tiranë.
Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, i riu është paraqitur i plagosur dhe pasi ka marrë ndihmën e parë, është arrestuar për t’u transportuar për në Durrës, ku pritet të merret në pyetje nga hetuesit. Ndërsa dy të rinjtë u larguan me shpejtësi nga banesa, burrë e grua u dërguan nga fqinjët në spital, ku ndodhen në gjendje kritike për jetën.
PANORAMA