Vrau gruan, prindërit mohojnë djalin: Nuk i shkojmë në gjyq. Halli ynë...

Vrau gruan, prindërit mohojnë djalin: Nuk i shkojmë në gjyq. Halli ynë janë 6 jetimët

423
0

Çlirim Shaholli bashkë me Adrianën dhe 6 fëmijët jetonin në kushte të mjerueshme siç tregojnë këto pamje. Ai i mori jetën fatalisht gruas së tij dhe nënës së 6 fëmijëve duke i përplasur kokën në çimento për një zënkë banale. Grindjet në çift, thonë dy prindërit e moshuar të Çlirimit kanë qenë të vazhdueshme, por nuk u kishte shkuar mendja se situata do të shkonte deri në vrasje. Ata sot e kanë mohuar të birin, ndërsa kanë shqetësim të vetëm rritjen e 6 fëmijëve të mbetur jetimë. Nga sytë e 77-vjeçarit, Zaim Shaholli dalin vetëm lot. “Ajo që bëri im bir është e pafalshme, nuk kam më djalë dhe nuk do t’i shkoj për ta vizituar në burg. Nuk do ta ndjek as në gjyq. E hoqa pensionin tim nga goja që të rrisja fëmijët e tij. Kam hëngër bukë vetëm me qepë, kurse ai shkoi e vrau gruan. Nuk ia fal”, thotë i moshuari. Edhe bashkëshortja e tij thotë se është përpjekur që djalin ta çonte në rrugë të drejtë, por ai nuk punonte. “Kishte një vit që grindej me të shoqen, por nuk e mendonim se do të shkonte deri këtu. Fëmijët janë shumë të prekur. Kush do t’i ndihmojë se janë pa shtëpi. Ky është meraku im më i madh, se unë jam e moshuar tani”, thotë Naimja. Gjyshërit e 6 fëmijëve të mbetur jetimë apelojnë që njerëzit të vënë dorën në zemër dhe të ndihmojnë këta të mitur që humbën nënën dhe babai përfundoi në burg.