VOTIME : Bojkot masiv dhe “djegie” masive të votive . Tabelat...

VOTIME : Bojkot masiv dhe “djegie” masive të votive . Tabelat sipas rretheve

364
0

Pas 13 palë zgjedhje pluraliste, për herë të parë në 30 Qershor, shqiptarët nuk u ftuan të votonin një palë ose një tjetër, por u sfiduan nga të dy kampet politike me thirrje për pjesëmarrje, ose bojkot.

KQZ ka publikuar një të dhënë paraprake, ku thotë se pjesëmarrja të dielën ishte 21.6% e shtetasve me të drejtë vote. Por a shkuan të gjithë shqiptarët tek kutia e votimit për të zgjedhur, apo edhe për të dhënë një mesazh?

Një e dhënë për t’u marrë në konsideratë për këtë pyetje është numri i votave të pavlefshme. Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, 2.39% e votave ishin të pavlefshme. Qytetarët ose kishin vendosur gabim shenjën jashtë kutisë së votimit, ose me qëllim kishin bërë më shumë se një shenjë, apo kishin lënë shënime mbi fletë.

KQZ nuk jep të dhëna mbi numrin e votave të pavlefshme të 30 Qershorit, pasi nuk dëshiron që të shkaktojë konfuzion me të dhëna paraprake, siç ndodhi me nivelin e pjesëmarrjen dhe për këtë do të presë tabelën zyrtare përfundimtare të rezultateve.

Nga të dhënat e përpunuara nga ABC Neës rezulton se këtë të dielë, numri i votave të pavlefshme ka një rritje disa fish, krahasuar me mesataren e zgjedhjeve të mëparshme.

Nga të dhënat paraprake rezulton se në Bashkinë Tiranë, janë regjistruar rreth 13 mijë vota të pavlefshme, që përbëjnë 7% të totalit. Më e lartë është shifra në Lezhë, 1.269 vota të pavlefshme ose 9%. 6% e votave të hedhura në Bashkinë Shijak janë të parregullta, saktësisht 359 fletë.

Në Kurbin votat e pavlefshme llogariten 7%, në Kukës  8% dhe në Vlorë 6%. Shifra më e lartë e votave të pavlefshme llogaritet në bashkinë Përmet, 11% e totalit, ndërsa në Gjirokastër janë numëruar 660 fletë të pavlefshme, që përbëjnë 6%.

Numri i votave të pavlefshme për Bashkinë Durrës është 3029 të tilla, që përbëjnë 7.5%.  Të dhënat e plota për votat e pavlefshme në çdo bashki dhe në nivel kombëtar, do të përllogariten kur KQZ të miratojë tabelën përmbledhëse kombëtare të rezultateve.