Vodafone, grabitqari i tregut përmes çmimeve: Ja abuzimet kolosale me ofertat dhe...

Vodafone, grabitqari i tregut përmes çmimeve: Ja abuzimet kolosale me ofertat dhe neglizhenca e insitucioneve

507
0

 

Autoriteti i Konkurrencës, në një vendim të prillit 2021, i referohet kompanisë “Vodafone Albania SHA” si një ndërmarrje me pozitë dominuese në treg, duke pasur 47% të të gjithë abonentëve në total të regjistruar në të dhe i kërkon të mos abuzojë me këtë pozicion.

Në këtë dokument AK-ja vendos monitorimin e Vodafone për 1 vit dhe i parashtron kompanisë 3 kushte nga të cilat kuptohet se si kompania po abuzon në treg.

Sipas Konkurrencës, Vodafone në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë vendos çmime të padrejta, i vendos palët në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta, e të pafavorshme për konkurrencën si dhe nuk vendos kushte me palët e tjera ku këto të fundit të pranojnë detyrime shtese, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.”

Në vendim nga Autoriteti i Konkurrencës thotë se do të monitorojë kompaninë një periudhë 1-vjeçare dhe se gjatë kësaj kohe “Vodafone Albania SHA” është e detyruar të njoftojë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës për të gjitha ndryshimet që do të kryejnë në paketat ekzistuese dhe paketat e reja që do të hedhin në treg, gjatë periudhës së monitorimit.

Por në dokumentin e Autoritetit të Konkurrencës përcaktohet se “në fakt, në shqyrtimin e paketave të reja që ka ofruar shoqëria e Vodafone nuk ka pasur rishikim të çmimit”.

Në vendimin e shqyrtuar nga Komisioni i Konkurrencës theksohet se “Ofertat e shoqërisë ‘Vodafone Albania SHA’, me një çmim, i cili është i ulët krahasuar me atë të dy shoqërive të tjera që operojnë në tregun e telefonisë celulare, ngre dyshim të arsyeshëm se ndodhemi përpara një sjellje me orientim drejt “çmime grabitqare” (predatory pricing).”

 

Kjo sepse Vodafone ofron 8 deri në 20 GB internet (në varësi të paketave) për 1 vit, kur kompanitë e tjera si “One Communications SHA” dhe “Albtelecom SHA” ofrojnë vetëm 3 deri në 5 GB.

Ndërkohë në dokumentin e Autoriteti të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kur flet për kostot dhe shërbimet në mobile, shpjegohet grafikisht se njësitë e minutave dhe SMS-ve kanë ardhur në ulje për shkak të uljes së interesit për to dhe rritjes së njësive të internetit. Në përputhje me këtë kompanitë ONE dhe Albtelecom kanë përshtatur paketa 30 ditore me në fokus njësitë e internetit. Vodafone vazhdon të operojë në mënyrë të kundërt.

Për 30 ditë, një abonent i Vodafone duhet të paguajë 1.600 lekë për një paketë që përfshin 3.000 SMS, 2.500 minuta kombëtare dhe 3GB internet në rrjetin 3G/4G dhe 1.5GB plotësisht në rrjetin 4G. Pra, pjesa më e madhe e tarifës paguan minutat dhe SMS-të, të cilat janë pothuajse tërësisht të padobishme dhe në fund të 30 ditëve, mbi 90% e këtyre njësive zerohen sepse paketa përfundon. E njëjta situatë do të ndodhë edhe me aktivizimin e paketës së radhës.

Paralelisht, oferta e përafërt me të në kompaninë ONE është 1.500 lekë me 20GB+10GB internet, 300 SMS dhe 4.000 minuta kombëtare.

Albtelecom ofron paketën për 1.900 lekë me 13GB+3GB internet, 3.500 minuta kombëtare, 120 minuta kombëtare.

 

Kjo mënyrë operimi që zbaton Vodafone, sipas metodologjive të telefonisë emërohet si Kosto e Alokuar Plotësisht, FAC. Baza e kësaj metodologjie është ideja që kosnumatorët duhet të paguajnë në shërbimet që marrin edhe për shërbime që nuk kanë lidhje me to, por duhet të mbulojnë edhe kostot e tjera të kompanisë.

 

Në vitin 2009, Komisioni Europian vendosi për Shqipërinë metodën LRIC Pure, e cila ka në bazë të saj arsyetimin ekonomik dhe kompanitë duhet të operojnë me çmime të pranueshme nga konsumatorët dhe që nuk i dëmtojnë ato. Kosto shtesë shtohet vetëm kur merr një shërbim shtesë.