Kreu i Shtetit, Ilir Meta, do të dalë në një konferencë për mediat në mbyllje të vizitës faktmbledhëse të delegacionit të Venecias në Tiranë.
Mësohet se Presidenti Ilir Meta është duke mbajtur ditën e sotme një takim me kreun e opozitës Lulzim Basha. Prej rreth një ore Kreu i Shtetit ndodhet në zyrën e tij në Presidencë me Bashën, ndërsa takimi ka në fokus krizën politike në Shqipëri.
Konferenca është njoftuar në orë 17:00 në ambientet e Presidencës, ku mësohet se Meta do të jetë i hapur dhe përpyetje nga gazetarët.
“Presidenti Meta do të jetë i hapur për çdo pyetje dhe i gatshëm për të dhënë çdo përgjigje, në mënyrën më transparente”, thuhet në një njoftim zyrtar të Presidencës.
“Të dashur miq, Në ora 17:00 ju ftoj të më ndiqni live në Facebook, në një konferencë për shtyp, me rastin e përfundimit të vizitës së një përfaqësie të Komisionit të Venecias, të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë. I hapur për çdo pyetje! Gati për çdo përgjigje!”, shkruan ndërkohë Meta në Facebook.
Ndërkohë kujtojmë që, Delegacioni i Komisionit të Venecias ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës për tu njohur me pretendimet e palëve mbi nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Të parët që dhanë mendimin e tyre ishin përfaqësuesit e opozitës.
Delegacioni u ndal më pas në takimin me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla dhe më tej në presidencë ku mësohet se janë dhënë argumentet për dekretin e anulimit të zgjedhjeve vendore në 30 qershor.