Një “betejë’ e vërtetë po zhvillohet këto ditë për Gjykatën Kushtetuese, pasi dy kandidate rezultonin të zgjedhura për të njëjtën karrige. Arta Vorpsi e përzgjedhur automatikisht, pas mosdekretimit të Metës, dhe e dekretuara e tij, Marsida Xhaferllari, u bënë anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Ditën e sotme ato u paraqitën të dyja në Gjykatë, ndërsa ngërçi u zgjidh më në fund nga kryetarja e kësaj Gjykate, Vitore Tusha.
Në mbledhjen e sotme, Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji diskutuan mbi problemin, duke mos arritur në një përfundim.
Gjatë diskutimit, Tusha nuk mbështeti “socialistet” për t’i dhënë mandatin Arta Vorpsit, ndërsa pranoi se ajo e kishte fituar mandatin nga lista e KED, por se nuk kishte bërë ende betimin para Presidentit.
Nga ana tjetër, Besnik Muçi ka mbështetur marrjen e mandatit nga Xhaferllari, kurse Fjona Papajorgji dhe Elsa Toska kanë qenë për shpalljen anëtare të Arta Vorpsit.
Në përfundim, nuk është marrë asnjë vendim, Xhaferllari ka ikur nga institucioni, ndërsa Vorpsi ka qëndruar në zyrën e mëparshme si këshilltare ligjore e kësaj gjykate.
Më pas, Gjykata Kushtetuese doli me një deklaratë, botuar në faqen e saj ku bënte të ditur se njihte si anëtare vetëm Xhaferllarin dhe jo Vorpsin.
Njoftimi i plotë
Lista e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kushtet e parashikuara në Ligj, për të qenë Anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në mbështetje të nenit 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin nr.47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot, më 15.11.2019, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
- Besnik Muçi, gjyqtar;
Znj. Elsa Toska, gjyqtare;
Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;
Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.