Diaspora

“Viti i Skërnderbeut”, kryetari i Vatrës Dritan Mishto takime në Detroit

By vizional

February 04, 2018

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z. Dritan Mishto i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë së Vatrës z. Zef Balaj dhe Editori i Diellit, Dalip Greca, ishin të ftuar në veprimtaritë e organizuara nga Komuniteti shqiptar në Michigan, ku dega e Vatrës në Michigan ishte bashkëorganizatore. Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, u drejtoi një përshëndetje të ngrohtë pjesmarrësve të shumtë, organizatorëve të Veprimtarive kushtuar 550 vjetorit të përkujtimit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbe, ligjërusve në Simpozium,- gjatë darkës madhështore që u shtrua të Dielën me 28 Janar 2018 në kishën e Shën Palit.

Në përshëndetjen e Tij z. Mishto ndër të tjera tha:

Të dashur motra dhe vëllezër;

Kam nderin e veçantë, që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të falenderoj secilin prej jush për punën e mrekullueshme, përkushtimin e madh që keni për të mbrojtur dhe për të rritur më tej identitetin tonë Kombëtar këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, lindi pikërisht si mësim nga mesazhet e Veprës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Bashkim i shqiptarëve, bashkim i organizatave;- vazhdoi dhe do të jetë përherë në ballë të çështjeve që shtron sot koha për të gjithë shqiptarët.

Nëse Heroi Ynë kombëtar, sot do të ishte gjallë, ai patjetër do t’u kërkonte shqiptarëve që t’i hidhnin sytë nga Amerika, si shpëtimtarja e Kombit të Gjergjit. Prandaj, përballë shqetësimeve që ka sot shoqëria shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, e kudo ku jetojnë shqiptarët, ne duhet të ngrihemi dhe të jemi bashkë , Federata Vatra, por dhe shoqatate tjera, të jenë në këmbë, atje ku do të na kërkojë çështja dhe zhvillimet e Kombit shqiptar.

Ju falenderoj me zemër dhe ndjehem shumë prekur, nga ky organizim i shkëlqyer.

Përulem ,në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, përpara secilit prej jush, që gjeni kohë t’u mësoni fëmijëve gjuhën e bukur shqipe, t’u përcillni dashurinë për traditat shqiptare, të mbani gjallë në familjet tuaja identitin shqiptar.

Faleminderit të gjithëve!

Kryetari i Vatrës gjatë qëndrimit në Detroit u takua dhe bisedoi me klerikët e nderuar dom Ndue Gjergji i Kishës Zoja Pajtore dhe Dom Fred Kalaj të Kishës së Shën Palit, me akademikë e studiues, që mbajtën ligjërata në Simpoziumin kushtuar Heroit Kombëtar, me Shoqatën “Kosova” kryetarin e saj Mikel Dema, me shoqatën “Malësia e Madhe”-kryetarin Tony Vulaj, me Bashkësinë Shqiptare në Kanada, me Presidentin Ramazan Kellezi dhe presidenten e Nderit dr. Ruki Kondaj etj.

Ndërsa gjatë ditës së Hënë me 29 Janar, Kryetari i Vatrës, i shoqëruar nga anëtari i këshillit të Vatrës z. Alfons Grishaj, drejtori i Muzeve të Shkodrës dr. Eduard Grishaj, ligjërues në Simpoziumin kushtuar 550 vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, anëtari i kryesisë së Vatrës Zef Balaj dhe editori i diellit Dalip Greca, u takuan me Konsullin e Nderit në Michigan z. Ekrem Bardha.