Viti 1937, kur plazhi i Durrësit gumzhinte nga austriakë e gjermanë që...

Viti 1937, kur plazhi i Durrësit gumzhinte nga austriakë e gjermanë që pushonin në resortet e Rexhep Breshkës e Noti Stratit

555
0

 

Dashnor Kaloçi

 

Memorie.al publikon historinë e plazhit të famshëm të Durrësit, i cili në vitet e Monarkisë zë Zogut arriti një shkëlqim të madh, pasi ai popullohej nga pushuesit vendas dhe të huaj, kryesisht italianë, austriakë e gjermanë, të cilët merrnin dhoma me qira në 300 vilat moderne që ekzistonin aty asokohe, apo në banjat popullore të dy tregtarëve të njohur durrsakë, Rexhep Breshkës e Noti Stratit. Si e përshkruante gazeta “ARBNIA” e vitit 1937 “Ranishten e Durrësit” ku pushonin shumë të huajt dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, nga resortet turistike dhe shëbimi që ofrohej aty, deri tek kërkesat për më shumë angazhim e ndihmë nga kryetari Bashkisë së Durrësit, i cili dilte vetë personalisht dhe kontrollonte gjithçka.

 

 

 

Për gjatë plazhit të Durrësit që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri tek Plepat, janë ndërtuar rreth 300 vila të reja shumë të bukura dhe shumë të tjera janë në ndërtim e sipër. Të gjitha vilat janë të projektuara dhe të ndërtuara me një arkitekturë moderne dhe brenda tyre gjendet i gjithë komforti i duhur dhe i nevojshëm, ashtu si ato që ndodhen në plazhet e vendeve më të bukura të Europës. Vilat janë të paisura me të gjitha instalimet e nevojshme, me dushe dhe lavamane ku uji rrjedh pa ndërprerje në 24 orë dhe energjia elektrike gjithashtu nuk ndërpritet për asnjë moment. Përveç vilave të bukura të lyera me të bardhë ashtu si shkuma e detit, përgjatë plazhit, në vende piktoreske, janë ngritur mjaft restorante moderne me meny të shumëllojshme e çmime tepër të arsyeshme për xhepin e kujtdo, ku pronarët e tyre dhe personeli i shërbimit të ofrojnë një shërbim tejet cilësor. Gjithë vija e plazhit shëndrrit nga pastërtia dhe në breg nuk gjenden më si më parë male me leshterikë.

 

Falë punës së kujdesshme të Bashkisë dhe kryetarit të saj tepër simpatik, i cili i rri punës mbi kokë, grumbujt e leshterikut nuk digjen më si më parë, por ato transportohen prej aty në vende të caktuara. Përgjatë gjithë ditës deri në orët e vona të mbrëmjes, autobuzat urbanë lëvizin pa pushim nga Durrësi tek Plepat, duke sjellë pushuesë të shumtë që preferojnë të kalojnë pushimet në këtë plazh të bukur, që edhe turistëve anglezve do t’ju kujtonte plazhet e tyre të Brighton-it, apo Folkestone-it, duke mos iu lënë gjë mangut atyre. Mes mijra pushuesëve, kanë ardhur dhe tre autobuzë me turistë gjermanë dhe austriakë, ku në mes tyre ndodhet edhe ambasadori gjerman në Shqipëri. Në të djathtë të plazhit, shtrihet qyteti i Durrësit, i cili me skelën e tij iu kujton turistëve Gjenevën dhe liqenin e Leman-it. Në të majtë të saj shtrihen kodrat rreth e përqark gjirit të Durrësit, me një pamje magjepse që edhe një plazhë i madhe europiane si ai Ostend-es dhe Scheeveningen, do t’a kishte zili”.

 

Kjo tablo e plazhit të Durrësit që përshkruam më lart, nuk i përket sezonit turistik që u mbyll aty nga fillimi i tetorit dhe as të disa viteve më parë kur në të gjithë gjatësinë e vijës së plazhit, filloi ndërtimi i hoteleve, lokaleve, vilave dhe apartamenteve të shumtë të banimit ku një pjesë jo e vogël u shembën apo u plasaritën nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Paragrafet e cituara në fillim të këtij shkrimi i përkasin plot 82 viteve të shkuara, apo më saktë në 1937-ën, në periudhën e Monarkisë së Zogut, kur ai plazh pati dhe shkëlqimin më të madh. Ata që e kanë arritur atë kohë nga qyteti i Durrësit, Tiranës, etj., dhe që e kanë pas frekuentuar bregdetin, tashmë janë mjaft të paktë, por e mbajnë mënd shumë mirë atë kohë të shkuar, kur plazhi i i Durrësit zhurmonte nga turistët vendas dhe të huaj, kryesisht italianë, austriakë e gjermanë. Të cilët, me anë të agjencive të ndryshme turistike, vinin herë pas here aty duke shijuar bukuritë magjepse të Adriatikut nën diellin përvëlonjës, e hijet e kurorës së pishave shekullore. Por kjo gjë tashmë i përket një kohe të shkuara, dhe shumë mund të kujtohet nga ndonjë i moshuar nostalgjik, që vitet nuk ia kanë shuar ende dëshirën për të shëtitur mëngjeseve apo muzgjeve në atë vijë të plazhit. Kohët kanë ndryshuar dhe plazhi gjithashtu e ka humbur pothuaj tërsisht pamjen e tij nga ndërtimet e shumta të këtyre tre dekadave të fundit, ku pallatet shumëkatëshe që u “shkundën” nga tërmeti i 26 nëntorit, kanë zënë vëndin e vilave të dikurshme të ndërtuara sipas arkitekturës italiane që tashmë janë vetëm një imazh i një kohe të shkuar dhe mund të gjenden vetëm në foto apo ndonjë filmim të rrallë të Studio Luçe. Por për të krijuar një përfytyrim të përafërt dhe një tablo se si ka qenë plazhi i Durrësit në vitet e Monarkisë së Zogut, po publikojmë disa nga artikujt e shtypit të asaj kohe, (Gazeta “Arbnia”), duke mos u bërë asnjë ndryshim nga versioni origjinal i tyre.

 

Gazeta “Arbnia”: Zhvillimi i Ranishetes së Durrësit

 

Një personalitet i huaj, që ron prej disa kohë në vëndin t’onë, na dërgon përshtypjet e bukura të tij nga ranishtja e Durrësit, të cilat me kënaqësi po i botojmë në vend nderi, pse fjalët e Tij, e nderojnë Shtetin tonë të vogël. “Kam ndjekë me kujdes artikujt e botuem në fletoren t’Uej, në të cilën keni shfaqun një interesim të gjallë për zhvillimin e Ranishtes së Durrësit. Me lejoni me cilësinë t’ime si lexues i Juej, me Ju prue, po me këtë rrugë, pjesën, t’eme të vogël në favor të zhvillimit të kësaj ranishte së bukur. Po bahet stina e dytë që, bashkë me familjen t’eme, jam tue kalue verën në ranishten e Durrësit, dhe e kam për detyrë me Ju tregue se këtë vit kam gjetë ndryshime të mbdha. Së pari, një shumicë të madhe villash të reja të ndërtueme në çementë dhe tulla, dhe të tjera në ndërtim e sipër, kështu që barakat prej dërraset, që në vitin e kaluem ishin në shumicë, përbajnë sot pakicën e ndërtesave të ranishtes. Pjesa e ranishtes që shtrihet nga ana e Durrësit e deri tek banjat popullore, nuk ka veçse një barakë prej dërrase, dhe të tjetar janë të gjitha villa të reja dhe të bukura me të gjithë komfortin e duhun. Në pjesën mbas banjave popullore, ndodhen, në të vërtetë ende mjaft baraka dërrase, porse këto hupin midis villave të reja. Unë vetë kam marrë me qira një villë të re dhe të bukur, që nga çdo pikëpamje, ka konfortet ma të përsosuna dhe përbahet prej dy të ndarash, 1 dhomë pritje, 2 verandash, (njana ka deti për kohën paradreke dhe tjetra ka kodrat mbas dreke) 1 kuzhinë me të gjitha instalimet moderne, gjithkund ujë të rrjedhshëm, dhome banje me dush, lavomën, qilar etj. Elektriciteti asht vu gjithkund në mënyrë ma të mbarueme. Dritoret janë pajosh me panxhure. Besoj se turistat ingelzë ma pretenciozë, nuk mund të qahen aspak nga komforti i tillë dhe do të kujtojnë se gjendeshin në plazhin e tyne të Brighton-it, ose të Folkestone-it. Pronari që ma dha villen me qera, asht një zotni i dashtun në kundërshtim me pjesën më të madhe të personave që janë të këtij rendi. Më pyet përherë nëse kam ndonjë dëshirë të re për sa i përket plotësimit të villës dhe ban çka asht në mundësinë e tij, për ta ba banimin tim sa më të kandshëm. Besova se në Tiranë kisha pronarin ma “shik”, i cili iu përgjigj të gjithave dëshirave t’mija, por mu desht që ditën e parë të ardhjes sime në ranishte, të konstatoj se “agai” simpatik i Tiranës, nuk asht një përjashtim në këtë vend. Pronari i villës erdhi që ditën e parë të më bëjë një vizitë në banesën t’ime verore tue interesua sidomos nëse çdo gja ishte simbas andjes sime. Për t’vendue në villë kishte nevojë për ndihmën e disa punëtorëve që punonin për një ndërtesë të re pranë meje. Mbasi më ndihmuan, u ofrova një shpërblim të vogël, të cilin ma refuzuan tuj thanë se nuk më ndihmuan për të holla, porse për miqësie. Po kështu më ngjau në fillim kur bakalli i ranishtes posa që arritëm, më dha ndihmën e tij të çinteresueme. U ndodhë në një situatë të tillë, u ofrova kundrejt miqësisë së tyne disa cigare të cilat fort lumturisht i pranuan, ndryshe do të ishja para një problemi mjaft të zorshëm për ta shkoqitë. Mbas një eksperience të tillë dhe kurse n’oksident, detyrohemi t’i japim një bakshish shërbyesit të cinemas ose të theatrës, i cili asht i detyryem t’i shoqërojë klientat në vendet e tyne, kemi të drejtë të pyesim, përse “bakshishit” i kanë dhanë një kuptim “ballkanik”?! Në restaurantin e ranishtes që asht vendosun në një pozitë shumë piktoreske sipër detit, kam gjetë një pastërti shembullore. Në guzhinë që shifet në kalim esipër, vërejmë akshit të veshur me të bardha, si dhe me një kësulë të bardhë mbi krye. Garsonat me pantalona të zeza dhe një bëluzë të bardhë të papërlyeme, në kundërshtim me “non-chalence”-in oriental, shpejtojnë menjëherë në hyrjen tuaj, dhe posa që ju shofin se jeni i huaj, ju urojnë ditën e mirë dhe ju flasin me një frëngjishte të mirë për dëshirat t’uaja, tuj folun edhe pothuaj të gjitha gjuhcat ballkanike. Shërbimi asht i përsosun, i disiplinuem mirë, restoranti i pajosun me të gjitha ato sende që nevojiten dhe çmimet janë siç do të thoshin shumë mirë inglizët, “popular proces”, për xhepin e kujtdo. Ranishtja vetë asht tuj u pastru nga leshteriku i grumbulluem gjatë vjeshtës dhe dimnit, dhe në vend që të digjet, ashtu sikurse bahesh më parë, tue lëshue një tym mbytës disa dit me rradhë, asht tuj u bartë që andej me kosha me kuaj. Siç shihet bashkija e Durrësit së cillës i bjen tashti për barrë mbikëqyrja e ranishtes, tregohet shumë aktive. Kryetari energjik dhe simpatik i Bashkisë së Durrësit, merret gjithë kohën me organizimin dhe gjendjen shëndetësore të ranishtes, tue kontrollue ujët e pijshëm, që bijn me kuaj nga Shën-Vllashi, nëse teneqet e ujit kanë plumbin e garancisë, nëse u mungon gja banuesave të plazhit, nëse konditat shëndetësore, së cilave u kushtohet kujdesja ma e madhe, janë në gjendjen e dshirueme, nëse funksionon shërbimi i bartjes me autobuza prej Durrësit, dhe nëse ka ndonjë ankim prej banuesave ose vizituesëve. Udhëtimi i shkurtër prej ranishtes në Durrës dhe anasjelltas, bahet tani prej ½ leku. Këto janë reforma që nuk përgënjeshtrohen dhe as që duhen nënçmue. Togje punëtorësh janë tue nivelue disa vende të ranishtes, ku pak javë më vonë do të shohim kopshte. Një mjek shumë i zellshëm kalon me Ford-in e tij rreth ranishtes dhe me punëtorët e tij asht tuj tha tokat e lagëta për me mbrojtë banuesit e plazhit nga rreziku i mushkonjave. Përveç dy familjeve që rrojnë atje përherë, si në verë ashtu dhe në dimër, jemi vetëm pesë familje të instaluara rishtaz. Pritet një sulm i fortë ndaj ranishtja posa që të mbyllen shkollat. Me gjith numrin e vogël të banuesave të plazhit, kemi një shërbim shembullor të post-telefonit-telegrafit, të restaurantit dhe t’autobuzave për Durrës. Në mbrëmje kur ndonjani shplodhet në verandë tuj pas pranë tij një kafe të mirë, shijon pamjen e pashoq të gjiut të Durrësit. Në të djathtë shifet qyteti dhe skela e ndritshme e Durrësit, që na kujton Genevën dhe liqenin e Leman-it, në të majtë shifen kodrat rreth e përqark gjiut të Durrësit, pamja që edhe një plazhë e madhe europjane si ajo e Ostend-es dhe Scheeveningen do t’a kishte zili. Në këtë atmosferë të qetë tingëllon natën kënga e puntorëve të ndërtesave të reja. Netët janë të freskëta dhe të shplodhshme dhe ata që mund të shpëtojnë nga vapa e Tiranës, dijnë t’i çmojnë më së miri. Në mengjes herët, kur bje dielli, ndodhesh prapë në verandë, përherë kafen pranë, dhe ndijon zhurmën e detit; ranishtja po ju fton. (X.Y.)

 

Shenim: Një personalitet i huaj, që ron prej disa kohë në vëndin t’onë, na dërgon përshtypjet e bukura të tij nga ranishtja e Durrësit, të cilat me kënaqësi po i botojmë në vend nderi, pse fjalët e Tij, e nderojnë Shtetin tonë të vogël.

 

Reportazh i vitit 1937

 

“Plazhi i Durrësit u inagurua të djelën dhe na tregoi përparime të dukshme”

 

Rexhep Breshka dhe Noti Strati janë pronarë të rinj të banjove popullore. Ndërtesa në stil të panumërta e zbukurojnë udhën, që, duke u nisur prej Urës së Dajlanit, mbarojnë përtej banjove të Mbretit.

 

Këtë të djelë K.T.A.M.-i na kishte organizue një shëtitjke deri në Durrës. Autobuzi, që përmbleth ndonja njëzet turista shqiptarë, na çoi gazmorisht deri te banjat popullore. Na shoqëroi drejtori jonë, z. Zoi Xoxa. Që të themi të drejtën, vargu prej afro 300 vilave moderne që rreshtohen sikurse të kenë qenë prej shkumbës së detit, i jep vizitorit të kësa pjese të Durrësit, përshtypjen e një burrimi të një qyteti të ri dhe plot prehje. Djell i fortë, që duke u-shtri amblazi në det dhe futet rrëmbimthi në gjirin e ranës s’imët të plazhit, duket sikur s’e mbledh tërë atë sipërfaqe të përbamë në formë gjuhe porse në një velo të bardhë të vulosuna këtu-këtejme hijen e pakët të ndërtesave.

 

Banjot Popullore

 

Në banjot popullore gjeni sivjet dy ndryshime themelore: pronarët dhe lokalin. Më parë këtu triumfonte drejtimi pak a shumë dinamik i z. Rexhep Breshka, i cilli duke e parë se breshka ecën nghadalë dhe nuk u përshtatej ekzigjencvave të përparimit, vendosi sivjet ta ndryshjë mbiemrin në Çakri. Në fakt porsa hynë në banjat popullore, do t’ju bjerë në sy një tabellë ngjyrë shprese në të cilën rreshtohen çmimet e ulta, mund të them edhe jashtëzakonisht të ulta, të pijeve e të gjellave, dhe dy emnat e pronarëve të lokalit: Noti Strati dhe Rexhep Çakri. Thashë njëherë se mos kishin detronizue të gjorin Rexhep Breshka, dhe do të më kishin ardhur keq, sikur të kish ndodhur kjo, sepse mirë a ligsht, ky zotni ka qenë pionier i këtyne banjave. Por jo, Rexhep Breshka ka ndërrue vetëm mbiemrin dhe le të pëlcasin anmiqtë. Banjat popullore sivjet kanë ndryshuar ngjyrë dhe shërbim; Janë lyer me të bardhë, tavane me tel e çimento, shtretën me susta, çarçafë jo ma me lara-lara, por të bardha si bora dhe prej kambrike e prej peshqire me push, tryeza dhe karriga të kandëshme dhe dushe, gjashtë shtatë dushe në atë lokal të modernizuem. Në çdo gja që shifni aty, ndini erë ujë dhe pastërti të plotë.

 

Shërbëtorë nga Tirana

 

Të gjithë ata që kanë pas rastin të viziotojnë ma parë banjat popullore të Durrsit, do të kenë konstatue se aty haesh keq dhe shtrenjtë, gjellë të rënda për stomakun dhe për xhep; tashti Not Strati dhe Rexhep Çakëri kanë sjellë kuzhunierë specialistë nga Gjinokastra dhe ketë do ta kenë bamë ndoshta për të largue çdo dyshim ose keqkuptim që mund të baj dikush që mendon se, duke marrë një kuzhinier këndej së largmi, kish mundësi që të futesh në mes kontrabanda. Prandaj larg, shumë larg, ta marim kujdestarin e barkut t’onë. Shërbëtorët, ata që ju shërbejnë n banjat popullore janë sjellë përgjithësisht prej hoteleve dhe kafeneve ma të dukshme të Tiranës dhe Durrësit. Kush nuk e njeh Koçon gojë-ambël, të shpejtë dhe të kujdesëshm që dikur i bante ballë tanë shërbimit të Kursalit të këtushëm? Xhaketë të bardhë, pantallona të zeza, koletë të fortë, kravatë të zezë, fisnikëri, nderim dhe respekt për klientin, mbasandaj shpejtësi.

 

Ca përkrahje

 

Sikur Kryetari i mirnjoftun i Bashkisë së Durrësit t’i ndihmonte pronarët e banjove, do të kishim me të vërtetë se pse të krenoheshim për këtë të parin plazh t’onin. Një orkestër, një tjetër autobus, që duke shoqnue ato dy të tashtishmet të munt të sillnin orë pas ore amatorët e detit, do të vlente të rendohesh kjo jo vetëm si një vepër përparimtare, por si një bamirësi shoqnore. Të djelën ky plazh u nderue prej vizitës së një autobusi të mbushun me gjermanë dhe austriakë, burra dhe gra. Në krye të tyne gjejmë dhe ministrin fuqiplotë të Gjermanisë. Një tryezë e madhe u mbush në Banjat popullore me këta turistë të huej që derdhnin mundnin e tyne në tokë Shqiptare. Hajnë dhe pijnë, gjithnjë pareshtur; janë të gjithë biondë dhe kanë pothuajse një fizionomi; unë nuk e di se si njihen midis tyne, por besoj se nganjëherë do ta shkëmbejnë shoqi-shoqin për një tjetër. Merri gratë, përshembull: fytyrat e tyne janë të kuqe e të bardha; sytë ngjyrë qielli ose të blertë, flokët të lëmuetë ose kaçurrella, por të gjitha bionde pa përjashtim, dhe të shëndosha. Duket sikur kanë dalë prej një fabrike. Mandej këndojnë: Gjermania dhe Austrija pothuaj kanë një tip standard kangësh: këto që këndoheshin të djelën i kam mësue edhe unë dikur këtu e njëzet vjet më parë në shkollat austriake. Tashti ndijoj të këndueme po me atë mall atdheu të largët, po me atë shpirt të njomë të njikohshëm.

 

Kanga e detit

 

Në pafund të detit vizatohen kujtimet fazmagorike; një gramafon pas meje lot disa valse vieneze, ma andej disa djelmosha t’ ardhur prej Tirane lozin kartash, kurse në një kand disa pleq të ardhur ndoshta për të rifituer një pjesë të energjive të humbuna në ujët e njelmët të detit, mendojnë ke fluturimi i pamëshirshëm i jetës. Asht pasdite: ngrohtë; prej trupave pothuaj të çveshuna të njerzisë del një erë mishi të përcëlluem dhe djersë të zbutun prej shtresës së padukshme të krypës. Djelli derdh vllaka argjendi mbi ngjyrën prej pluhuni të detit. Ta shikojmë prej këndej Durrësin, të duket porsi një kështjellë magjike e derdhun në një kand qielli të ulët. Duhu i tokës i përzjerë, me pluhurin e dritës, i mbulon porsi një mjegull kodrishtat vjollce. Këtej jeta të duket e gjitha një andërr; zgjohemi jo shumë vonë, por gjithmonë shumë herët për t’u rikthye në rutinën e punës. Lamtumirë Banjo. (NICHTS) /Memorie.al”Tjetër ndjesi e bukur”, ka shkruar Aurela.