Instituti i Shëndetit Publik ka deklaruar se rreziku që Shqipëria të preket nga virusi misterioz që po përhapet me shpejtësi është i ulët. Në një reagim zyrtar, ISHP-ja shton se virusi i shfaqur së fundmi , që është mjaft i ngjashëm me Sars, nuk rrezikon të përhapet as në Shqipëri dhe as në Europë.
Virusi misterioz është shfaqur në Kinë kohët e fundit dhe po përhapet me shpejtësi të madhe duke përfshirë edhe Pekinin. Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar edhe disa rekomamndime në mënyrë që ulet ekspozimi ndaj këtij virusi.
Reagimi i ISHP-së
1) Lani duart me ujë dhe sapun, ose përdorni solucion të duarve me alkool.
2) Kur kolliteni dhe teshtini mbuloni hundën dhe gojën me shami ose me parakrah.
3) Shmangni kontaktet e afërta me çdo njeri që ka simptoma të rrufës/gripit.
4) Praktikoni rregullat bazë të higjenës gjatë gatimit.
5) Shmangni kontaktin me kafshë të gjalla.
Shfaqja e re e koronavirusit, e zbuluar në qytetin qendror të Wuhan, në Kinë ka shkaktuar alarm për shkak të lidhjes së saj me sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes (Sars), e cila vrau gati 650 njerëz në të gjithë territorin e Kinës dhe Hong Kongut në 2002-2003.