Virozat, pediatrja-prindërve: Ja kur t’i çoni fëmijët në siptal

Virozat, pediatrja-prindërve: Ja kur t’i çoni fëmijët në siptal

625
0

Mjekja pediatre e Qendrës Shëndetësore nr.10 në kryeqytet, Erma Çobaj, iu ka dhënë disa këshilla të rëndësishme prindërve shqiptarë, se si të mbrojnë fëmijët e tyre nga virozat e stinës së verës.

 

Në rubrikën “Opinion”, në News 24, pediatrja tha se kohët e fundit ka pasur një shtim të vizitave nga fëmijët, shumica e të cilëve paraqiten me temperaturë 38-38.5 gradë, ndërsa kur kanë komplikacione shkon edhe 40 gradë.

 

“Ka pasur shtim të vizitave nga fëmijët. Temperaturat arrijnë 38-38.5, ndërsa kur ka komplikacione shkon deri në 40 gradë. Fëmijët nuk duhet të pinë ujë të ftohtë, kur janë të djersitur. Fëmijët duhet të trajtohen që në shtëpi, kur janë me diarre. Ata mund të vijnë në qendrat shëndetësore, kur diarreja shtohet”, u shpreh ajo.

 

Sipas Çobajt, prindërit duhet të kujdesen shumë për fëmijët, sidomos me ushqimet, që duhet të jenë të lara mirë, të gatuara mirë dhe të ruhen në frigorifer.

 

 

“Frutat duhet të lahen mirë, ushqimet të jenë të gatuara mirë dhe të mbahen në frigorifer, higjiena personale e fëmijët është shumë e rëndësishme”, tha pediatrja.

 

Gjithashtu, ajo ka këshilluar nënat të mos i drejtohen direkt spitalit, por fillimisht të trajtojnë fëmijët e tyre në kushte shtëpie.

 

“Nënat duhet të presin një ose dy ditë. Varet dhe nga shtimi i diarreve. Mund të trajtohen fillimisht me gjëra shtëpie, kos dhe lëngje. Nëse diarreja zgjat, është me të vjella dhe shpeshtia e diarresë pesë herë në ditë, mund të shkojnë në qendrat shëndetësore, të cilat më pas vendosin nëse duhet të dërgojnë rastin në Urgjencën e Pediatrisë. Ne i çojmë në urgjencë, kur fëmijët nuk reagojnë edhe pas mjekimit”, theksoi Çobaj.