
ITALI- Drejtoresha e Aeroportit të Bergamos, shqiptarja Stela Ulaj, thotë se shqiptarët po largohen drejt Italisë duke nxjerrë si qëllim kurimin. Në një reagim në rrjetet sociale, me nota ironie, Ulaj thotë se shqiptarët me udhëtimet e tyre të shumta, janë ato që mbajnë gjallë ekonominë e këtij aeroporti, ndërkohë që nuk i kursyen në takimet e tyre puthjet e përqafimet, duke mos u ruajtur nga rreziku i përhapjes së koronavirusit.
“Kur të keni nevojë si zakonisht për mjekësinë italiane mos bëni si viktima, o trima! Kam vite në botën aeroportuale dhe mirëkuptoj që motivet e spostimit janë nga më të larmishmet e të detyrueshmet, por këto eksodet me qëllim shpëtimi me duken tragjikomike.”,-shkruan ajo.
Reagimi i plotë:
Dje Bergamo Tiranë ishte udhëtimi me më shumë pasagjerë në aeroport. Me pas lezet! Me t’u shtu jeta! Shqipet që mbajnë gjallë ekonominë e aeroportit. Një bravo të madhe. Vetëm shqip dëgjoje… Po ti shihje?. .. Vite jetë të shtoheshin… Të gjithë bashkë e të përbashkuar me një dëshirë e një qëllim… Shtrëngime duarsh shoqëruar me tundje krahu, se s’bën vaki mos të takosh dikë që e njeh:
- Oh, po ju këtu?
- Po përcjell pleqtë. Nami këtu.
Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
- Edhe unë po I nisi. A ke lexu? Në Shqipni asnji për besë nuk është sëmurë, janë duke na studiu. Vazhdimi në Shqipni… Fantazia bën punën e vet. Triumfues pasagjerët tanë arrijnë në Shqipni, ku përqafime e puthje me muah, muah zemra nanës, nuk kursehen.
Ca me kursy moj, një ‘Shyqyr që u kthyet shëndosh’ shoqëron çdo takim të përzemërt.
Tash kena mbërrit në Shqipni, kurgja s’na gjen.
Aman na ndal për një kafe të lokali poshtë shtëpisë se mbaruam për një kafe si duhet… Aaa, prit sa te ndalem ti përshëndes komshinjtë se janë bë merak të shkretët… Neser do shkoj vrap te im vëlla se është keq me tension i shkreti e është ba merak për mu… Aman moj, po për tetat që arritën në kohë per një darkë 8 Marsi? Po një valle doradore a nuk i takon? Kush ka kurajo të më thotë jo???Aman, po një kafe të blloku me një tag #asgjesmendalon?
E kështu pra! Etj etj E gjitha kjo nga marazi i djeshëm më vjen. Optimizmi juaj më ka dhënë më kuptu se kam probleme. Jam bash rob kot! Pse moj, pa lidhje, a thu nisen ba me e dit se po ven në rrezik krejt fisin e lagjen? Hë pra!!!!!!!!!!!! Tash një lutje e një kërkes kam. Zot ruaji e na ruaj! Kur të keni nevojë si zakonisht për mjekësinë italiane mos bëni si viktima, o trima! Kam vite në botën aeroportuale dhe mirëkuptoj që motivet e spostimit janë nga më të larmishmet e të detyrueshmet, por këto eksodet me qëllim shpëtimi me duken tragjikomike. Tung!
Reagimi vjen në një situatë alarmante me koronavirusin në Shqipëri, ku tanimë numri i të prekurve ka shkuar në 6. Fillimisht rezultuan të infektuar dy persona, babë e bir, përkatësisht 54 dhe 28-vjeç. Ministria e Shëndetësisë njoftoi në orët e para të mëngjesit të sotëm se analizat e 3 familjarëve të tyre rezultuan pozitive. Po kështu, sipas ministrisë është i infektuar edhe një 31-vjeçar, i cili kishte shkuar në Milano. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që të ruajnë qetësinë, ndërkohë ata që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndiejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127 dhe të mos shkojnë direkt në spitale. Rama një ditë më parë dha urdhërin që të mbyllen institucionet e arsimit me dy javë dhe të anulohen të gjitha aktivtetet deri më 3 prill.