Policia e Shtetit ka shkatërruar një grup prej gjashtë personash, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, trafikonin automjete të vjedhura nga Kosova për në Shqipëri.
Një ditë më parë, (të premten), ishte gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ajo që raportoi për arrestimin e një oficereje të policisë shqiptare në bashkëpunim me dy persona të tjerë si të dyshuar për vjedhjen e disa banesave dhe një automjeti në Kosovë, ndërsa u arrestuan nga policia shqiptare në afërsi të Tiranës.
Referuar të njëjtave burime, gazetarja Anila Hoxha, ka mësuar se drejtues kryesor i këtij grupi ishte shtetasi Selaudin Shahini, i cili në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, kishte krijuar një rrjet personash që trafikonin mjete motorike nga Kosova për në Shqipëri.
Mësohet se në prangat e policisë kanë rënë shtetasi Ndriçim Shahini, i cili është kushëri i Selaudinit, Ervis Cara, cili është kushëri i Ndriçimit, Aurel Shatri që është shok i Ervisit dhe Vojsava Doda, punonjëse e policisë dhe lidhje e kreut të këtij grupi.
Po ashtu, në pranga ranë edhe shtetasit Endi Ahmetaj dhe Fatri Braha, të dy këta punonjës të policisë.
Gazetarja Anila Hoxha ka mësuar se shtetasi Ndriçim Shahini me lidhjet e tij shoqërore në shtetin e Kosovës, siguronte vjedhjen e automjeteve të markave të ndryshme në këtë shtet. Më pas, sipas saj, personat e më sipërm, ofronin ndihmën në forma e metoda bashkëpunuese dhe bënin transportin e këtyre mjeteve nga shteti i Kosovës për në Shqipëri, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Morinë-Kukës.
Hetimet kanë nisur nga DVP Tiranë dhe janë kryer në bashkëpunim me AMP.