Lajme

Video politika dhe pseudongjarjet/ Është e gabuar të mendohet se imazhet kanë zë dhe flasin vetë!

By vizional

June 25, 2020

Foto Ilustruese

 

Nga Diana Mjeshtri

Në një qytet ndodh inagurimi i një investimi publik. Kush e financoi? Imazhi është memec në këtë rast, e thotë ai që ka në dorë mikrofonin, e nëse folësi është urdhëruar të gënjejë, populli do të formojë një opinion të shtrembëruar mbi çështjet publike.

Televizioni ka krijuar me duart e tij problemin e të shfaqurit një imazh të “video-denjë” në çdo kohë, kështu që syri i kamerës duhet të jetë i kudondodhur dhe i gjithëpranishëm në vendngjarjet.  Detyra e të “shfaqurit” me patjetër shkakton më pas edhe dëshirën  apo kërkesën e shfaqjes, e cila prodhon pseudo- ngjarjet, ngjarjet që ndodhin vetëm aty ku ka një kamera që regjistron, të cilat pa praninë fizike të saj nuk do të ndodhnin. Pra, pseudo-ngjarja e video-politikës është “ngjarja e paketuar” ose fabrikuar për televizionin; nëpërmjet inskenimeve politike dhe prej televizionit, për të shuar etjen e përditshme të reporterëve. Këta të fundit, kërkojnë më shumë ngjarje sesa bota mund të krijojë dhe si pasojë fabrikojnë ngjarjet e munguara. Ndërsa ngjarjet janë ndodhi spontante, pseudo-ngjarjet janë të planifikuara me qëllimin direkt për t’u raportuar dhe riprodhuar nga mediat. Sesa e sukseshme është pseudo -ngjarja, do të matet nga gjerësia e raportimit së saj në publik.

Video-politika, sipas nocionit të politologut italian Giovanni Sartori, nënkupton pushtetin e videos: ndikimin e saj në proceset politike, duke transformuar mënyrën ”se si të jemi politikë” dhe “se si të menaxhojmë politikën”.Meqenëse sistemi politik në Shqipëri, teorikisht, psalet si demokraci përfaqësuese, e quajtur shpesh si qeveria e opinioneve, ai ka nevojë për qytetarë të informuar për çështjet publike.

Televizioni është padyshim një ndikues i fuqishëm në formimin e opinionit publik.Vitet e fundit, në Shqipëri, politikanë të sukseshëm kanë rezultuar ata që kanë përdorur spektaktlin televiziv, platformat e rrjeteve sociale, si dhe mjete të tjera për të krijuar pseudo-ngjarje. Politikani në vetvete koreografon vallen, ndërsa gazetari e merr atë. Pra, politikani kompozon historinë, ndërsa gazetari gjeneron ngjarjen. Qytetari nuk mund të shkëputet lehtë nga ky iluzion i krijuar nga të dyja palët dhe të aksesojë në realitet, kur vetë pjesëmarrësit janë në hutim se kush po bën ngjarjen dhe kush po e raporton atë. Kush është historia dhe kush është historiani? Padyshim, ka raste kur vetë raportuesi nuk e ka të qartë se kur po i thuhet një fakt i zhveshur, një politikë e sapo miratuar, një shpresë administrative, ose kur ndoshta të pavërtetat janë përhapur qëllimisht për përfitime politike. Vetë politikanët shprehen me dykuptimësi dhe shpesh nuk janë të qartë.

Konferencat për shtyp janë forma më e zakonshme e pseudo-ngjarjeve të përdorura nga video-politika, megjithëse ato paraqiten edhe si përvjetore, inagurime, fjalime ose demonstrata. Qëllimi është gjenerimi i një mbulimi mediatik dhe ndërtimi imazhit të një politikani të dëshirueshëm nga shtypi. E përbashkëta e tyre është, se të dyja, janë ngjarje të paraqitura në publik për të kontrolluar përmbajtjen e mesazhit politik.

Në Shqipëri, rasti i fundit i këtij fenomeni janë kamionët e përdorur për shembjen e Teatrit Kombëtar. Vendimi nga Këshilli Bashkiak për shembjen e tij, parashikonte se kompetencën e prishjes e kishte IMT ( Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit) pranë Bashkisë së Tiranës. Kamionët e veshur me logon e Bashkisë së Tiranës, jo vetëm që nuk janë mjete në pronësi të saj, por bazuar në të dhënat e tyre të qarkullimit, rezulton se janë në pronësi të dy kompanive private ndërtimi. Bashkia e Tiranës nuk ka shpallur asnjë tender publik, që do mund të justifikonte shembjen e teatrit nga mjete të kompanive private. Në fjalimin e tij të video-shfaqur për shtypin, pas shembjes së godinës, kryebashkiaku i Tiranës, pyetjes se me çfarë parash do të ndërtohet Teatri i Ri iu përgjigj duke thënë se: “Versioni ideal do të ishte ta ndërtonim me paratë e dikujt tjetër, në këtë rast dikush tjetër mund të ishte sektori privat, rasti stadiumit është rasti perfekt. Hoteli Marriot mori kullën, ndërkohë që qyteti mori Stadiumin.” Por kjo sipas kryebashkiakut, ishte e pamundur pasi artistët e teatrit kishin kërkuar facilitete, të cilat ishin të papërballueshme për biznes-planin e kompanisë private. Shembja e ish-Teatrit Kombëtar, si domosdoshmëri për krijimin e hapësirës fizike për ndërtimin e Teatrit të Ri, është pjesë e projektit për Teatrin e Ri Kombëtar, që sipas kryebashkiakut do të ishte plotësisht i financuar nga kreditë e marra bashkiake. Të kundërtën pohon prania mjeteve të kompanive private gjatë procedurës së shembjes. Një ngjarje me mbulim të gjerë mediatik, patjetër që do të shfrytëzohej për të prodhuar pseudo-ngjarje, si ekzistenca e mjeteve të punës nën pronësinë bashkiake.

Pseudo-ngjarja e hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, megjithëse tashmë një aspiratë e përmbushur gjatë situatës pandemike, një vit më parë ishte një nga gjetjet novele të kryeministrit për të fituar  ekspozim të vazhdueshëm mediatik. Urtësia historike ka provuar se qytetari shqiptar i gadishullit ballkanik, ka patur gjithmonë nostalgji për bashkimin me nënën e saj, Europën. Ky fakt është shfrytëzuar vazhdimisht nga politikanët, të cilët e promovojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një qëllim në vetvete dhe jo thjeshtë si një mjet për rritjen e mirëqenies së Shqipërisë. Integrimi evropian është një prej prioriteteve kryesore të çdo partie politike në pushtet, pavarsisht ideologjisë. Sipas një sondazhi të realizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri , 93 përqind e shqiptarëve janë pro anëtarësimit të  Shqipërisë në Bashkimin  Evropian. Nga kjo shifër, është e qartë se shqiptarët mbështesin fort integrimin në BE dhe çdo zhvillim politik në këtë drejtim do të fitonte vëmendjen mediatike.

Me përhapjen e gjerë të rrjeteve sociale, tashmë kemi mbërritur në fenomenin e ri që nuk ka më nevojë për gazetarë, nuk ka më nevojë për “bashkëpunëtorë në krim” për pseudongjarje. Politikani po bëhet vetë media. Nuk i duhet mëgazetari. Mjafton facebook-u,. tweeter-i, instagrami. Ajo që mbetet në pikëpyetje është fakti a do të munden gazetarët që paguhen për të bërë gazetari të ndajnë pseudongjarjen nga ngjarja.?