Vezhgim. “Romancë” në autobusët e linjës ndërkryeqytetase/ Nga Leonard Veizi

Vezhgim. “Romancë” në autobusët e linjës ndërkryeqytetase/ Nga Leonard Veizi

720
0

Në automjetet e linjave urbane të Tiranës mund të ndodhin rëndom romanca, flirte e ndonjë ngacmim seksual i mundshëm. Por jo, vëzhgimi im nuk ka të bëjë më këtë fenomen. Të them që udhëtimin me autobusët publikë nëpër rrugët e Tiranës e kam fort qejf, e më shijon në thellësi teksa shoh pamjet magjepsëse të metropolit që sa vjen e rritet, ia fus kot. Po kot fare ama. Nga të dëgjuarat kam dalë në përfundimin se shumica e njerëzve edhe pse e përdorin e kanë alergji. Dhe do të lë mënjanë radikalët, të cilët deklarojnë në mënyrë patetike se e urrejnë këtë lloj shërbimi, ku njerëzit shtyhen sa mund, aq sa kur del nga dera e pasme mund të të mungojë çanta ose portofoli, por kurrsesi celulari. Sepse celulari është i vetmi mjet që, edhe gjatë sulmit për të kapur një vend në këmbë te mesi i urbanit, vazhdon të shtrëngohet në dorë e në vesh. Pra, mbetet pjesë integrale e trupit. Unë vetë po përmbahem në përcaktimin tim. Thjesht më pëlqen më shumë të eci në këmbë, e kam dhe si terapi, por edhe me paratë e autobusit pi një nga tre kafet e ditës. Shkurt, dal me qarin. Por edhe pse i shmangem fort, ndonjëherë jam i detyruar të hipi në ndonjë autobus linje. Në fund të fundit shërbim publik është, edhe do ta shfrytëzojmë! Kështu një natë vonë, si kisha menduar se ca punë të pazgjidhura më ishin grumbulluar e duhej patjetër t’i mbyllja, vendosa që të nesërmen të dilja që herët e të mbaroja ç’të mundja nga problemet që më ishin bërë kapicë. Një makinë që kam, të cilës ia paguaj taksat rregullisht, as që ia vlen ta marr, pasi në ditët e sotme shpenzimi i karburantit është lule. Kostoja e parkimit e kalon atë të qarkullimit. Rrugët e Tiranës janë blinduar nga vijëzimet blu mbi ato të bardha, që tregon se vendet publike të parkimit po hyjnë në ujë çdo ditë e më shumë. “Do marr autobusin, – thashë me vete. – Ja, te dera e shtëpisë e kam. Edhe unë si gjithë njerëzia”.

 

E hënë – ora 07.00

Pres autobusin të kreu i rrugës “Medar Shtylla”. Mëngjesi shënon temperatura të larta, por brenda në autobus të çante kondicioneri. Udhëtarët m’u dukën rob të veshur me shije dhe erë djerse nuk ndesha kund. “E kemi kapur veten, – mendova. – Nuk është më si më parë, që kur hipje në urban të vinte për të vjellë”. Më bën çudi që nuk ka shumë njerëz dhe i vetmi që qëndron në këmbë jam unë. Në një ulëse dyshe fare pranë meje, një vajzë nja 20 a 22 vjeç – s’di t’ia bëj skanerin më mirë, – kishte rehatuar çantën në sedilje dhe ishte përqendruar te celulari. Ndërhyrjes së faturinos për të më liruar vendin iu përgjigja vetë: “Lëre çupën të bëjë qejf, – i them. – Jam nga ata burra që e përballoj edhe në këmbë”. Nuk pati debat. Faturino vazhdoi të priste biletat, vajza nuk e prishi terezinë. Unë shtrëngova dorën pas tubit të sipërm, nga inercia që të mos më merrte me vete gjatë frenimeve të shpeshta të shoferit për shkak të trafikut. Meqë isha në këmbë, u hodha sytë pasagjerëve. Shumica dërmuese më rezultonte me kokën e ulur mbi celular. Të gjitha femra. Asnjë mashkull për be. Dy prej tyre bisedonin në telefon, gjatë. Kush ia paska ngenë në orën 07.00 të mëngjesit të bëjë muhabet shtruar mendova. Njërën nga gratë e kisha afër. Ajo mendonte se po fliste më zë të ulët, por biseda e saj vinte deri tek unë. “…po, po, mami ka qenë shumë e axhitume, i dhamë dhe një diapazon, por si bëri fajde, qëndroi si kukudh deri në mëngjes”, – ishte fjalia pasardhëse. Qesha me vete. Paska qyfyre këtu në autobus, mendova. Do gjej sebep e të hipi më shpesh. “Diazepan”, – e korrigjoi bashkudhëtuesja përkrah saj. Tjetra i dha një vështrim si t’i thoshte, “Mos u ngatërro në punët e mia”. Gjatë 19 minutave të udhëtimit nuk e hoqi celularin nga veshi, dhe me këtë rast mora vesh dhe një alamet lajmi: që uji me limon në mëngjes esëll të bënte fajde për dobësim.

Zbrita në qendër. U ula të pija një kafe që të mblidhja veten, e më pas të vazhdoja rrugën, se me aq punë sa kisha do të më duheshin nja tre ditë të mira e jarebi të mbaroja.

 

E martë – ora 11.30

Vapa po shtrëngonte. Por unë nuk po e ndjeja aq shumë. Kisha hequr qafe disa prej telasheve dhe ndihesha lehtshëm. Mora linjën Kombinat-Kinostudio. Nuk ishte më e nevojshme të shtrëngohesha pas tubit. Kishte aq shumë njerëz sa mund të qëndroja pingul në këmbë pa rrezikuar se mund të rrëzohesha. Udhëtarët ishin aq pranë njëri-tjetrit sa mund të putheshin pa teklif, pavarësisht gjinisë. “Jemi bërë si sardelet”, dëgjova një zë. Nuk e di pse në mend më erdhën kutitë e sardeleve “Made in Vlora”. E megjithatë pamja nuk ndryshonte shumë nga ajo e mëngjesit. Edhe pse në një “kuti sardelesh” femrat e kishin hapur celularin te faqet me të klikuara. Kush në Facebook, të tjerat në Instagram, dhe akoma më tej, në Viber e What’sapp. Komunikimi masiv vazhdonte. Bisedohej për telenovelën indiane që nuk i mbarojnë seritë, flitej për gjellën e drekës ku i duhej hedhur dhe pak rigon që të merrte shije, dhe për pushimet e prenotuara në Borsh, në ditët e vapës së madhe. Në udhëtimin prej 22 minutash, të vetmin mashkull që e thirrën në celular ishte një burrë të 60-at, që si rington nuk kishte vendosur ndonjë simfoni të Bahut, por një zile demode si atë të centraleve manuale të ushtrisë, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Zilja dhe zëri i tij prej basi shkaktonin reagime agresive dhe shenja që të ulte tonin e zërit, edhe pse në të njëjtën kohë, 6-të femra të tjera as që e hiqnin celularin nga veshi duke biseduar rehat për të rejat e fundit.

 

E mërkurë – ora 14.00

Dielli piqte si saç. Mora autobusin e Unazës. Kondicioneri nuk bënte më derman. Kallaballëku kishte shkuar atje ku nuk mban. Të çante era e djersës që përzihej me atë çka kishte mbetur prej parfumosjes së mëngjesit. Atë çast mendova se nuk kishim ecur shumë, përderisa e njëjta situatë më vinte si aromë që prej vitit 1987. Në këtë siklet dëgjoj një piskamë. “Kujdes se më shkele sandalet”. Një alamet femre i bërtiste fatorinos që çante mes turmës të priste biletat. “Kush është ai që të lë ty moj vajzë të hipësh në urban, – mendova – Një autostop me gishtin e madh të bësh dhe s’ka horr me X6 që nuk të merr në sediljen e parë. Për më tepër që prishe dhe sandalet firmato”. Autobusi çante me vështirësi në trafik. Një tjetër femër, nja dy kokë pas meje, vazhdonte të fliste në Skype me të dashurin. “Ja se po më shtyjnë këtu në autobus, idiotët”. Asnjë nuk nxori zë. Ia vlente ta përtypje fyerjen thënë nga goja e asaj femre. Lutjeve të mashkullit, të cilit i dukej koka në ekran, që ta mbyllte e ta merrte sapo të zbriste nga autobusi, ajo iu përgjigj gjithë fodullëk. “Çfarë thua ore, pse nga këta do kem turp unë”. Dhe në fund, pas insistimit të tjetrit, e mbylli me një: “Mirë pra, shifemi, puc, puç shpirti. Pafshim zemra, Çao”. Kaluan plot 27 minuta derisa erdhi stacioni im.

Zbrita. Isha i gjithi i larë në djersë.

-Paske dalë nga dushi? – më pyeti jo pa një ironi fine, një i njohuri im me të cilin u ndesha pak metra më tej.

-Jo, nga autobusi, –  iu përgjigja.

Ndërsa me vete shfryva: Shyqyr 100 herë që mbarova punë. Në axhendën e 6 muajve pasardhës nuk kisha asnjë planifikim për të marrë urbanin. Veç në ndodhtë ndonjë katastrofë.

Shperndaje