Aktualitet

Veshur me vjeshtë kjo dhimbje/ Nga Vera Istrefaj/ Cikël me poezi

By vizional

November 04, 2017

*1

Do ta marrim shpesh  këtë udhë

nëpër kujtime duke shkelur,

jetësosur do mbërrijmë,

dëshirë patretur

 

Hap mendimi duke hedhur

e ndjesitë gjeth më gjeth,

fëshfërima e mendimi

bëhen bashkë , shpirti na ther

 

Pikëlon dhe dhimbja-vesë

hap i çalë,  pa siguri,

vetëm koha s’di të presë

gjithë të tjerat janë aty

 

 

 

 

 

*2

Ky mëngjes

me ëmbëlsi

më pëshpëriti në vesh

 

Me rreze dielli

më puthi

 

Ndryshe,

krejt ndryshe

ky mëngjes i ri

 

Planet e ditës

më varen supeve

e mendja

më vrapon tek ti

 

E paskan harruar veten

 në ëndërr,

fjetur në ty

 

 

 

 

*3

 

Degët e shelgut

puthen me valën e ujit

e pikojnë lot të dehur

 

Dhimbja ime e bukur

s’ka të prehur

 

Gurët e përroit

janë fjalët që s’ti thashë,

e puhiza e erës

jemi ne, bashkë

 

 

Ka kohë

që asnjë pranverë nuk po mund

gonxhet e shpirtit të mi  çelë

 

 

Vijon

me valën të puthet shelgu,

e nëpër lumë

rrjedh pengu

 

Përplaset brigjeve

pengu i dhimbjes,

brigjeve të shpiritt

 

 

 

 

 

*4

 

Fjala e pathënë

mbeti hënë,

por hënë prapa reje

e fshehur prej meje

 

Dhimbja m’u bë qiell

e shpresa

mbeti zog në fluturim

 

Fjala e pathënë

pikon trishtim

 

Netët e heshtjes

zhytur në terr,

gjumin e harresën

çdo natë m’i merr

 

Nuk po tretet dhimbja

në lotin e trishtimit

 

 

 

 

*5

 

E kam veshur me vjeshtë

dhimbjen time

 

Mantel gjethesh

për dritherima

 

Kupën e shpirtit

plot aromë frutore

 

E kam thirrur erën

të m’i shpërndajë mendimet,

e shiun

të m’i zbusë plagët e shpirtit.

 

Më përpëlitet frika

në pritje të dimrit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

6*

 

Në mështeknat e qytetit

përplasen mendimet tona

si zogj të hutuar

 

Përshendetsim njeri-tjetrin

me buzëqeshje të varura

si gjethet e pemëve

këtë fundjvjeshte

 

Trungjebardhat

dëshmojnë ankthin

që fort na ka zënë për fyti

 

 

Edhe kjo vjeshtë

gati iku!

 

*7

Ky nëntor

trokiti i dielltë sivjet

 

I grimon ditët e ftohta

me prarim

 

Vjeshtë lajkatare

në qytetin tim

 

Me shije ftoi

mashtrohen ndjesitë

tek duart fërkohen

 

Mpirja

s’mbeti veç në gishta,

por edhe në shpirtra

 

Ky nëntor prarues

nuk i zbeh dot dhimbjet

që kacafyten me avujt

 

Të akullta kanë mbetur mendimet

 

 

 

 

 

Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975.

 

Eshtë juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje experience 20- vjecare.

 

Eshte koordinatore e rrjetit “ Barazi ne vendimmarje” per Qarkun Kukes.

 

Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.

 

Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku ushtron profesionin e juristes dhe nderkohe drejton “ Qendren e Keshillimit te Grave dhe Sherbimeve sociale” nje OJF lokale

Ka  relacion te vecante me poezine dhe ka botuar 7 vellime poetike deri tani, nderkohe qe here pas here eshte nderuar me cmime ne kompeticione te ndryshme te kesaj fushe.