Vendimi i gjykatës amerikane tregon shkelje të të drejtave të njeriut dhe...

Vendimi i gjykatës amerikane tregon shkelje të të drejtave të njeriut dhe nga Erion Veliaj

289
0

Gjykata amerikane e Apelit në Nju Jork ka vendosur se bllokimi i përdoruesve në Twitter nga ana e Presidentit Trump shkel Amendamentin e Parë që mbron të drejtën e shprehjes të çdo qytetari.

Për sa kohë Trumpi e përdor llogarinë e tij në Twitter për të komunikuar mesazhe që lidhen me pozitën e tij si President, gjykata vendosi se ai nuk mund të pengojë qytetarët nga qasja në atë informacion. Të tre gjyqtarët e gjykatës votuan unanimisht për këtë vendim.

Nëse llogaria do ishte një llogari personale, Trump do të kishte të drejtën të zgjedhë se kush komunikon me të, por për sa kohë është zyrtar dhe e përdor Twitterin për të komunikuar mesazhe publike, është e paligjshme që të bllokojë qytetarët kritikët nga profili i tij.

Ndërkohë në Shqipëri, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kohët e fundit bllokoi në Twitter gazetaren britanik Alice Taylor, pasi shkroi disa artikuj kritikë për të.

Gazetarja Taylor e intervistoi Veliajn në fillim të vitit 2018, duke vënë në dukje se ajo mendonte se ai po bënte punë pozitive në Tiranë. Me kalimin e muajve, teksa Taylor përfshihej më shumë në realitetin dhe gazetarinë në Shqipëri, ajo filloi të shkruante më shumë në mënyrë kritike ndaj Veliajt, veçanërisht për çështje si Teatri Kombëtar, projekti i Unazës së Madhe dhe trajtimin ndaj banorëve të Astirit, shpifjet kundër aktivistëve, sjelljen e tij ndaj gazetarëve dhe propagandës për mblelljen e pemëve.

Pas publikimit të artikullit për bllokimin e Taylorit në Twiiter, shumë përdorues të tjerë të rrjetit social denoncuan të njëjtin fakt: bllokimin nga profili i Kryebashkiakut Veliaj. Mes tyre përfshihen përfaqësues të komunitetit LGBTI, gazetari i TRT World Elis Gjevori, një ish-deputet i opozitës, hulumtuesin Taulant Muka dhe plot qytetarë të tjerë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës zgjidhet nga qytetarët dhe paguhet me paratë e taksapaguesve. Po ashtu., nëpunësit përgjegjës për kontrollin dhe menaxhimin e profileve të tij në median sociale paguhen nga paratë e taksapaguesve. Për këtë arsye, Veliaj duhet të presë komente, pyetje dhe kritika nga qytetarët.

Në kundërshtim me këtë, Zoti Veliaj nuk u jep as konferenca shtypi me gazetarë, nuk pranon intervista nga gazetarë të pavarur, nuk i lejon mediat të ndjekin ose të filmojnë angazhimet dhe punën e tij. Duke bllokuar qytetarët dhe gazetarët në Twitter, ai kufizon edhe më shumë qasjen e qytetarëve në punën e tij, një shkelje të qartë të detyrimeve të tij si nëpunës civil.

Kushtetuta shqiptare përmban klauzola të ngjashme me kushtetutën amerikane dhe gjithashtu garanton “të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, të cilat përfshijnë lirinë e shtypit, lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes. Sipas nenit 10, shteti duhet të “garantojë lirinë e shprehjes në jetën publike” – sikurse në Amerikë, komunikimi me një zyrtar nëpërmjet forumeve publik mbulohet nga kjo dispozitë.

Neni 15 gjithashtu detyron “organet e pushtetit publik”, pjesë e së cilëve është dhe kryebashkiaku Veliaj, “të respektojë të drejtat dhe liritë themelore” të qytetarëve. Neni 22 gjithashtu thekson se “Liria e shprehjes është e garantuar”, ashtu si dhe “liria e shtypit”.

Ashtu si situata me Trumpin në Amerikë, duket se bllokimi i gazetarëve dhe qytetarëve nga Veliaj në mediat sociale është jokushtetuese dhe shkelje e të drejtave themelore të njeriut, të mbrojtura nga ligji shqiptar./ Exit.al/