Vendimi: Francesco Becchetti t’i paguajë 7.8 mln euro Shqipërisë

Vendimi: Francesco Becchetti t’i paguajë 7.8 mln euro Shqipërisë

100
0

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit vendos përfundimisht në favor të qeverisë shqiptare, pas padisë së bërë nga kompania e biznesmenit italian Francesco Becchetti për mospërmbushjen e kontratës së ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit. Në vendimin e marrë që në 7 shtator, por të zbardhur së fundi dhe që Televizioni Klan e disponon, Arbitrazhi detyron kompaninë “Hydro SRL” t’i paguajë në total Shqipërisë 7.8 milionë euro. Përveç këtyre kompania italiane duhet të paguajë edhe 468 mijë euro shpenzime gjyqësore për Arbitrazhin. Në tetor të vitit 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës së Tregtisë, shoqëria “Hydro S.R.L.” kërkoi zgjidhjen e marrëveshjes së koncesionit me qeverinë shqiptare, duke kërkuar edhe një dëmshpërblim prej 137.2 milionë euro. Por qeveria e Tiranës paraqiti një kundërpadi në këtë proces, ku pretendonte se pavarësisht nga mirëbesimi dhe vullneti i mirë që ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë në lidhje me zbatimin e këtij koncesioni, kompania “Hydro SRL” ka qenë në shkelje dhe mospërmbushje të kontratës së koncesionit për fajin e saj, duke shkaktuar në këtë mënyrë edhe dëm të konsiderueshëm për arkat e shtetit shqiptar. Shqipëria kërkoi nga Arbitrazhi edhe një dëmshpërblim prej 158 milionë eurosh, krahas kamat-vonesave prej 13 milionë eurosh për mospërmbushjen e kontratës. Në janar të këtij viti Gjykata e Arbitrazhit i rrëzoi pretendimet e kompanisë së Becchettit dhe kreu një shqyrtim të çështjes në themel, duke marrë në shqyrtim edhe dokumentacionin plotësues të palëve. Tashmë me vendimin e tij përfundimtar, Arbitrazhi vendos që të rrëzojë të gjithë pretendimet e kompanisë italiane, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e kontratës. Në vendim janë të parashikuara në detaje edhe pagesat që “Hydro SRL” duhet të kryeje për dëmin dhe kamat-vonesat. Saga e Hidrocentralit të Kalivaçit nisi që në vitin 1997, kur u nënshkrua kontrata që parashikonte të investoheshin 150 milionë euro, por edhe pas 21 vitesh ky HEC nuk ka përfunduar. Në tetor 2017 qeveria shqiptare lidhi kontratë të re me kompanitë “Ayen Enerji” dhe “Fusha” për të vijuar ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, i cili do të prodhojë 366.6 milionë kilovat/orë energji në vit. Koncesioni ka një vlerë 125 milionë euro dhe punimet pritet të mbyllen në fillim të vitit 2020.

loading...