“Vend qesharak dhe karagjoz”, Luan Rama: Shqipëria është Republikë, por ditë të...

“Vend qesharak dhe karagjoz”, Luan Rama: Shqipëria është Republikë, por ditë të republikës nuk ka!

363
0

 

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama duke marrë shkas nga zhvillimet politike në vend, deklaron se pavarësisht faktit që Shqipëria është Republikë, ajo nuk ka një ditë të republikës.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Luan Rama flet për faktin se çfarë parashikon Kushtetuta në rastin e Republikës parlamentare. Mes të tjerash zv.kryetari i LSI-së tha se Shqipëria është vendi më qesharak dhe karagjoz në botë.

 

MESAZHI I LUAN RAMËS

Jo vetëm paradoks:

Shqipëria është republikë,

por nuk ka ditë të republikës!

Kushtetuta, ligji themeltar i shtetit, zyrtarisht titullohet “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

Ndërsa në pikën e parë të nenit të parë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sanksionohet:

“Shqipëria është republikë parlamentare”.

Pra, Shqipëria është republikë, por ditë të republikës nuk ka!

Të gjithë shtetet e kësaj bote që kanë republikën si formë të organizimit shtetëror, qofshin republika demokratike apo jo, qofshin republika parlamentare, presidenciale apo edhe ato që quhen republika islamike, të vjetra a të reja, e kanë një ditë të lindjes apo të shpalljes së republikës.

E kanë ditë të historisë e të krenarisë së tyre.

Madje shumë prej tyre e kanë kryeditë!

Vetëm Republika e Shqipërisë nuk e ka!

Nuk e ka, edhe pse ka President të Republikës.

Nuk e ka edhe pse ka Kuvend të Republikës e, edhe qeveri të Republikës së Shqipërisë!

Nuk e ka, edhe pse vendimet e gjykatave shpallen në emër të republikës!

Republika e Shqipërisë nuk e ka ditën e republikës, me sa duket për të dëshmuar edhe përmes kësaj mungese që nuk është aspak formale, më shumë se injorancën në qasjen ndaj shtetit, perversitetin e një klase politike, që nuk ka lidhje me kulturën e shtetit, që nuk e di se çfarë është historia e shtetit dhe se si historia iu nënshtrohet vetëm ligjësive të saj dhe parimit të historizmit!

Shqipëria është shpallur dy herë republikë; për herë të parë më 1 janar 1925 si Republika Shqiptare, e mandej pas Luftës së Dytë Botërore, më 11 janar 1946 si Republika Popullore e Shqipërisë.

Por, ndërsa vendimi i parlamentit të asaj kohe për republikën e parë të 1 janarit 1925 u abrogua duke e zëvendësuar republikën me monarkinë më 1 shator 1928, republika e dytë, ajo e 11 janarit u zëvendësua prej marrëzisë që rrëzimin e sistemit komunist, e “lexoi” sipas qefit të vet edhe si rrëzim të republikës!

 

E sot, edhe prej kësaj mungese, por jo vetëm prej saj, jemi një vend qesharak dhe karagjoz në botë, sepse jemi e vetmja republikë pa ditën e republikës!

Dhe për ta bërë më të plotë paradoksin dhe turpin bashkë, në kalendarin e festave zyrtare, kemi festë ditën e verës, por jo ditën e republikës!