Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka përkujtuar përmes një postimi 1-vjetorin e tërmetit fatkeq të 26 nëntorit 2019.
Veliaj shkruan se parë tërmeti fatal provoi brishtësinë tonë njerëzore, por që shqiptarët ditën të ngrihen edhe më të fortë. “Një vit më parë tërmeti fatal provoi BRISHTËSINË tonë njerëzore! Një vit më pas, iu përgjigjëm pasojave të tërmetit duke rindërtuar dhjetëra shkolla e qindra shtëpi për të provuar FORCËN tonë! Të brishtë në fatkeqësi, të fortë në ringritje – ne, shqiptarët e bashkuar”, shkruan Veliaj.
Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 ishte një nga më të fortët që është regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Pavarësisht dëmeve tepër të rënda, Bashkia e Tiranës trajtoi me bonus qiraje të gjithë familjet që dolën të pastrehë dhe dha dëmshpërblime për familjet që pësuan dëme më të lehta në banesa.
Paralelisht po punohet për pallatet e reja si dhe për banesat individuale për strehimin e familjeve të prekura në banesat e tyre të reja që janë më të sigurta, më të mëdha dhe me kushte shumë herë më të mira se të vjetrat.