Lajme

Vdekja e turistit rus në Himarë, lirohet biznesmeni Fatmir Kuçi

By Vizion

August 18, 2016

Gjykata e Apelit ka nxjerrë nga qelia biznesmenin Fatmir Kuçi, i dyshuar për ngjarjen ku mbeti i vdekur turisti rus në Himarë, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Mësohet se gjykata urdhëroi lirimin e Kuçit, me argumentin se nuk ka prova që të vërtetojnë se turisti u dëmtua nga skafi i biznesmenit në zonën e Potamit në Himarë, raporton BalkanWeb.

Në argumentet që avokati i Kuçit renditi për të kërkuar lirimin e tij ishin:

“Nuk jemi para gjendjes së flagrancës, pasi personi nën hetim nuk u kap në kryerje e sipër të veprës penale. Nga aktet rezulton se ky shtetas, pasi konstatoi të dëmtuarin në det, ka ndaluar mjetin e tij, e ka kthyer dhe i ka vajtur në ndihmë, si dhe u ka kërkuar ndihmë personave që ndodheshin në një mjet lundrimi mbas tij dhe së bashku me një tjetër person, kanë mundur ta hipin në mjetin e tij të dëmtuar dhe ta sillnin në mol. Ai ka lajmëruar zv.shefin e kufirit të Himarës, Hekuran Muça, për ngjarjen.

Policia e Himarës nuk i ka vajtur në ndihmë. Ka lajmëruar ambulancën vetë, e ka zbritur të dëmtuarin me ndihmën e personave të tjerë për ta nisur në qendrën shëndetësore të Himarës dhe më pas është interesuar për gjendjen e tij.

Vetë Kuçi ka shkuar në postën e Himarës për të dhënë sqarime, i ka kërkuar të shkojë në vend për të parë mos kishte të tjerë të dëmtuar, të merrte njollat e gjakut e shenja të tjera të nevojshme të hetimit”, deklaroi avokati.