Vazhdon kaosi kilometrik në Kakavijë: mijëra shqiptarë presin të shkojnë në Greqi

Radha kilometrike në doganën e Kakavijës vazhdon të shtohet frikshëm me kilometra të tjerë. Mijëra qytetarë tashmë janë në pritje për të kaluar në Greqi prej tre ditësh nën një vapë përvëluese dhe në kushte kaosi.

Dogana greke, e mbyllur gjatë natës, ka nisur punën me tre sportele, përkundër palës shqiptare që po punon me pesë sportele.

Radha është bërë më e dendur dhe vuajtjet e shqiptarëve edhe më të mëdha pasi Greqia ka njoftuar se për të gjithë ata që do të hyjnë në këtë shtet pas datës 16 gusht, do të duhet të futen në karantinë për shtatë ditë.

Qeveria shqiptare, pas presionit public, protestave dhe pamjeve të rënda të publikuara nga mediat, bëri dje disa tentative të vakëta për të zgjidhur situatën. Sipas saj, vonesat janë krijuar për shkak të testit të COVID që iu bëhet shqiptarëve nga autoritetet shëndetësore greke dhe ndërprerja e punës gjatë natës.

Author: vizional