Lajme

‘Ulni rrogat ose shpallni falimentin’, Barcelona buzë greminës

By vizional

October 31, 2020

Epoka Bartomeu ka përfunduar. Pas më shumë se pesë vitesh në krye të klubit,  57 vjeçari vendosi të jepte dorëheqjen. Së bashku me të u larguan edhe pjesa tjetër drejtuese. Një lajm i përshëndetur nga shumë tifozë të klubit blaugran, të cilët kishin nënshkruar edhe një peticion për largim e Bartomeut.

Mirëpo fatkeqësisht, për ata të paktën, klubi i tyre i zemrës do të vazhdojë të paguajë çmimin për menaxhimin e keq të ekipit nga ish-presidenti. Lajmet e fundit nga Katalonia janë më shumë se shqetësuese …

Për javë të tëra, klubi është përpjekur të gjejë një marrëveshje për uljen e pagave të lojtarëve. Disa futbollistë tashmë kanë dhënë dritën jeshile, individualisht, si Gerard Pique, Frenkie de Jong, Clement Lenglet dhe Marc-Andre ter Stegen.

Lojtarët në fjalë kanë nënshkruar kontrata e reja, duke rënë dakord me uljen e pagës. Megjithatë, situata mbetet kritike. Siç shpjegon radioja serioze katalanase RAC1 , Barça, do të duhet të ulë me të paktën 190 milionë euro pagat e lojtarëve.

Së fundmi është organizuar takimi i parë mes lojtarëve dhe drejtuesve për uljen e pagave. Lojtarët janë të gatshëm ta ndihmojnë klubin dhe pritet që pagat të reduktohen në nivelin e kërkuar. Drejtuesit të cilët morën përsipër udhëheqjen e Barcelonës, pas dorëheqjes së Bartomeut kanë kohë deri më 5 nëntor për të zgjidhur situatën. Po sikur kjo të mos ndodh? Përgjigja është e thjeshtë. Klubi i Barçës rrezikon falimentimin.