U rikthye pas 30 vitesh në Shqipëri, rrëfehet Anisa Markarian: Çfarë më...

U rikthye pas 30 vitesh në Shqipëri, rrëfehet Anisa Markarian: Çfarë më shtyu, kush është personazhi i vërtetë në roman

659
0

E rikthyer në jetën artistike shqiptare, pas 30 vitesh mungesë, aktorja, skenaristja dhe shkrimtarja Anisa Markarian është rrëfyer këtë mbrëmje në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në “News24”. Në pjesën e parë të rrëfimit, shkrimtarja Markarian është ndalur te libri i saj “15 ditë prilli”, me të cilin vendosi të rikthehej në Shqipëri, duke treguar mesazhin e këtij romani dhe kujt ja dedikon. Ajo tregoi në ekranin e “News24” se këtë libër ia dedikon fëmijëve të saj, të cilët, siç pohoi aktorja, i kanë premtuar se do të mësojnë gjuhën shqipe, në atë formë sa të mund ta lexojnë dhe kuptojnë.

 

Çfarë të bëri të rikthehesh në Shqipëri?

Ishte kthimi ose rikthimi im artistik. “Njeriu më shumë se nisjen, ëndërron kthimin”, thotë Polo Coelho. Unë u ktheva me një libër. Ëndrra ime ishte që kthimi im artistik të jetë një festë për mua dhe miqtë e mi, por edhe për publikun. Ishte një lloj falënderimi, që më kanë pritur 30 vjet.

 

Kujt ja dedikon?

Romani është kronikë letrare, janë 15 ditët e fundit të një regjimi totalitar. Kush e ka jetuar atë regjim di të njohë ngjarjet e atyre viteve. Gjithçka ndodh në ato 15 ditë. Kjo kronikë letrare shoqërohet me rrëfimin e fatit të një grupi personazhesh të të gjitha shtresave të shoqërisë. Unë e shikoja si shembja e një muri, e një mali, por shikohet përtej murit, përtej malit, e ardhmja, romani ndalet aty.

 

Janë personazhe të jetës sime, njerëz që i kam takuar, por romani ka gërshetim të disa personazheve, iu kam dhënë ngjyrime të tjera. Teo është i vërtetë, është një djalosh 23-vjear që e pata takuar. Ishte një nga djemtë që donte t’i shpëtonte ushtrisë. Atij i ishte zhvilluar një kancer në gju. Pastaj, zhvillimi i personazhit të Teos është trillim. Bulëza ka fund të trishtë, bashkë me fundin e librit përcillet edhe ajo.

 

Bën përshtypje shqipja ekselente, si ka mundësi, si është ruajtur?

Gjuha e përditshme nuk mund të jetë gjuha letrare. Bëhet një kërkim i vazhdueshëm për të pasuruar fjalorin e personazheve me fjalë të pastra shqipe, por edhe fjala të rralla. Kam gjetur një thesar margaritarësh e perlash të gjuhës shqipe. I kërkova familjes në Tiranë të më dërgonin fjalorin, versionin e vjetër, dhe që nga ajo kohë është bërë libri im i komodinës.

 

Kujt ja dedikoni romanin?

Fëmijëve të mi, sepse më kanë ndihmuar të mos humbasë kujtesën. Ata donin të dinin për Shqipërinë. Ime bijë di shqip. Ata më kanë premtuar se do ta mësojnë shqipen në atë nivel sa të mund të më lexojnë, dhe kjo ishte një ndër arsyet që ua dedikova.

 

A ka një mesazh romani që doni t’ua përcillni brezave të ri?

Jo vetëm brezave të ri, e ndërmora këtë vepër, në radhë të parë, të mos humbas unë rrënjët e mia, sepse harresa do të ishte dënimi më i madh për individin, por edhe kombin. E shkuara është tabani i fortë për të ndërtuar të shkuarën. Nuk duhet harruar e shkuara, nuk duhen mbyllur sytë.