Vijon gjyqi në Turqi mes Adnan Polat dhe Sinan Idrizit. Disa muaj më parë një nga ish-presidentët e klubit të futbollit të Galatasaray-t ka depozituar një padi në të cilën pretenon se ishte mashtruar nga Sinan Idrizi. Ky i fundit partner në kompaninë e fluturimeve “Air Albania” menaxher i Flamurtarit, një nga ekipet e Superligës Shqiptare.
Pasi ka depozituar padinë, ndaj Idrizit është ngritur një proces gjyqësor, ku shqiptari akuzohet për veprën penale “mashtrim ” ku ai rrezikon 3 deri në 10 vjet burg.
Seanca e parë u zhvilluar ditën e sotme, ku i pranishëm në sallë ishte vetëm Sinan Idrizi dhe avokatët e tij, pasi Polat kishte zgjedhur që të mos ishte prezent. Në fjalën e tij, Idrizi mohoi akuzat për mashtrim duke kërkuar që të lihej i lirë nga Gjykata.
“Nuk mund të ketë mashtrues në familjen time. Dua pafajësinë time,”-u shpreh ai.
Më herët për mashtrimin prej 3.5 milion eurosh, Prokuroria e Stambollit ka kërkuar 10 vite burg për Idrizin. Polat pretendon se shumën e mësipërme ia ka dhënë Idrizit në formën e një garancie, për blerjen e kompanisë së hidrokarbureve “GFI Albania”, e cila bën edhe markimin e naftës. Pas dështimit të marrëveshjes, turku i kërkoi mbrapsh garancinë Idrizit, por nuk arriti kurrë t’i merrte paratë.
Sipas Polat, pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërsa Idrizi pretendon se lajmi është sponsorizuar nga mediat turke. Sipas tij, shitblerja nuk u realizua, për shkak të mungesës së financimit.